E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët me Berishën e Ramën

 ADI SHKEMBIAmbasadorët e akredituar në Tiranë intensifikojnë axhendën për zgjidhjen e krizës në vend. Mesditën e djeshme diplomatët perëndimorë janë takuar me Kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës, Rama, ku temë e ditës besohet se ka qenë mungesa e dialogut dhe bojkoti i opozitës. Rreth orës 10:00, Ambasadori i Komisionit Evropian Helmuth Lohan dhe Ambasadori i Spanjës, vendi i të cilit mban Presidencën e Bashkimit Evropian, Emanuel Montobio u takuan me kreun e Qeverisë, për më shumë se 60 minuta në zyrën e këtij të fundit. Zgjatja e takimit bëri që të vonohet për rreth 15 minuta edhe mbledhja e Këshillit të Ministrave, e cila ishte parashikuar të niste në orën 11:00. Nga ana tjetër, në të njëjtin orar Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uidhërs u takua me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, në ambientet e Bashkisë së Tiranës. I pyetur nga mediat se cila ishte tema e bisedës, kreu i diplomacisë amerikane në vendin tonë tha se gjatë takimit u fol për vizitën e fundit të kryetarit të opozitës në SHBA. BerishaKryeministri Sali Berisha u shpreh dje sërish i gatshëm për t’u ulur në tryezën e iniciuar nga Presidenti, Bamir Topi, por shtoi se bisedimet duhet të japin rezultat. “I vetmi problem që ne kemi dhe asgjë tjetër, është se ne mendojmë se një takim që jep rezultate dhe nuk firmos dështimin është i vlefshëm; një kafe pa rezultate edhe ajo mund të pihet, por nuk është ajo që pritet. Nuk ka asnjë paragjykim, por i vlefshëm është një takim që jep rezultate”, theksoi kryeministri. “Unë mendoj se serioziteti i procesit kërkon qëndrim serioz, por unë vetëm jam i gatshëm, që për çdo variant, qoftë për kafe, qoftë jo për kafe, qoftë me zotin Rama, qoftë me zotin Topi. Unë nuk kam absolutisht asnjë paragjykim për asgjë, por natyrisht, të mendohet se i shërbehet çështjes, pa një përgatitje, kjo nuk qëndron. Unë personalisht, megjithë eksperiencën time politike, më duket se përgatitjet janë të nevojshme”, vijoi më tej fjalën kreu i ekzekutivit. Ai hodhi poshtë zërat për një paragjykim të tryezës së thirrur nga ish vartësi i tij, tani President i vendit, teksa bëri sërish thirrje për të përmbushur të gjitha pikat e rezolutës së votuar pak ditë më parë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. “Absolutisht nuk ka asnjë vështirësi për t’u ulur që sot pasdite. Nuk ekziston për mua vështirësi për t’u ulur me asnjeri. Unë e kam faktuar këtë dhe nuk paragjykoj asgjë”, tha kreu i ekzekutivit. Berisha theksoi në të njëjtën kohë se ka gati propozimin për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, por kjo do të bënte që kryesimin ta merrte maxhoranca. Në këto kushte sipas kreut të Qeverisë, do të pritet që opozita të kthehet në Parlament për të bërë ajo propozimin dhe automatikisht të marrë edhe kryetarin e këtij komisioni. “Unë nuk do të ndërpres kurrë komunikimin me kundërshtarët e mi, është një normë konstante e imja. Kundërshtari është kundërshtar, komunikimi është komunikim. Nuk ia lejoj vetes unë që të ndërpres komunikimin”, u shpreh më tej kryeministri Berisha.PBDNJ: Dialog maxhorancë- opozitëKryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule deklaroi dje se dialogu mes forcave politike do të çonte në zgjidhjen e krizës politike në vend. “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, konsistonte në bindjet dhe qëndrimet e veta politike shpreson, uron dhe do të kontribuojë nga pozitat e veta në spektrin politik të vendit për një dialog esencial të qenësishëm, i cili nuk do të na çojë në një zgjidhje që do të ketë për bazë interesin politik të njërës apo më shumë forcave politike në vend, por që do të garantojë zgjidhjen e problemit kronik të zgjedhjeve jo të lira, jo të ndershme, të pabarabarta dhe te kontestueshme” tha Dule.PS: Komisioni të hapë kutitëPartia Socialiste shprehet se një komision hetimor i ngritur në Parlament që hap kutitë e votimit nuk bie ndesh me Kushtetutën. “Të hetosh manipulimin e zgjedhjeve, të hetosh nëpërmjet provave të padiskutueshme, nëse manipulimi zgjedhor vjen si pasojë e një sipërmarrje të organizuar apo fenomen spontan, të hetosh se si mund të përmirësohet kjo gjendje është një tagër absolut dhe prerogative e padiskutueshme e Kuvendit nëpërmjet një komisioni parlamentar”, u shpreh Tahiri. Sipas tij “çdo iniciativë e njëanshme e maxhorancës, për të hetuar vetë ajo zgjedhjet, do të jetë antikushtetuese dhe do e minojë njëherë e mirë tryezën e dialogut mes palëve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›