E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të humbasësh Ben Blushin

Edmond Arizaj Vallë a e ka këtë luks Partia Socialiste? T’i japë shkelmin të vetmit politikan, (siç thonë italianët “con le palle”) në radhët e saj. Vetëm pse ai qëndron përballë kryetarit të partisë dhe jo pas tij, shumica janë të gatshëm, dhe tashmë kanë filluar ...linçimin, apo e përkthyer në gjuhën e 20 viteve më parë, përgatitjet për eliminim. Pa e kuptuar as vetë, Partia e sotme Socialiste është duke ecur në gjurmët e Partisë së dikurshme Demokratike, apo më keq akoma të Partisë së vjetër të Punës; me zbulime tradhtarësh, me gjetje agjentësh që u shërbejnë armiqve, me antipartiakë e antikryetarë. Sot Ben Blushi konsiderohet i tillë. Dhe si i tillë, sipas mendjemykurve të vjetër, por edhe mendjengushtëve të rinj, ai nuk e ka më vendin në PS. E vështirë të besosh se Partia Socialiste do të bëjë gabimin e madh që bëri me Ilir Metën, të cilin po e vuan disa vite me radhë. Por faktet janë kokëfortë. Mediat pranë kryetarit të PS-së kanë nisur sulmet ndaj Blushit. Në të njëjtën linjë, megjithëse më të rafinuar, qëndrojnë edhe kolegët e tij, dhe pa dyshim dirigjenti i madh, i cili sot nuk është ai i djeshmi dhe nuk pranon që atë që ka bërë ai dje me tjetër njeri, ta bëjë dikush sot ndaj tij. Partia Socialiste në atrofizimin e saj politik, nuk po kupton se Ben Blushi është lidhja, është elementi kyç i evolucionit të politikës shqiptare. Nga një politikë e rrugës, e populizmit, e sharjeve dhe kërcënimeve, te politika e tryezës, e marrëveshjes dhe e debatit. Ben Blushi nuk është dora e ashpër që jemi mësuar dhe jo pak herë edhe kërkuar, nuk është as i binduri i radhës, apo papagalli shumëngjyrësh, nuk është një udhëtar kokulur—— në autobusin ku nuk i flitet shoferit; Blushi është pasuri politike dhe si çdo pasuri duhet çmuar dhe vlerësuar. Një fakt, paksa relativ; në të gjithë grupin e deputetëve të pabetuar socialistë, fjala e kujt do të dëgjohej me vëmendje në Kuvend?! Pas Fatos Nanos dhe Ilir Metës, dikur dhe Gramoz Ruçit, deputetët demokratë (dhe jo vetëm ata), dëgjonin me kujdes fjalimin e Blushit. Jo pse Blushi është shkrimtar dhe di t’i lidhë mirë fjalitë, por pse ai thotë ide që duhen mbajtur shënim. Të bardhës i thotë e bardhë, të zezës e zezë dhe ylberit ylber. Fatos Nano nuk është më deputet, Ilir Meta është bashkëqeverisës në maxhorancë, Gramoz Ruçit i ka mbetur vetëm historia…Kush do ta mbajë peshën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste me jo pak, por 64 deputetë (gjithmonë nëse ata vendosin të braktisin absurdin e bojkotit). Deputetët e rizgjedhur, të vjetrit, nuk kanë më asnjë efekt në elektorat, madje janë bërë njësh me një kryetar që nuk e kanë dashur dhe nuk e kanë votuar dikur. Kjo u heq atyre individualitetin dhe seriozitetin personal. Rishtarët janë kaq shumë të përdorur, fatkeqësisht, sa ende pa u ulur për herë të parë në sallën e “burrave” janë të paragjykuar si gratë. Kjo sallatë deputetësh, e grirë nga kryetari, është e pamundur të sjellë forcë opozitare të besueshme në Kuvend. Blushi do të ishte pa frikë një element bazë, që do të rriste kredencialet e çdo njërit prej të 64-ërve dhe pa dyshim do t’i shkaktonte kokëçarje maxhorancës. Për faktin e vetëm se Blushi nuk është prerje për rrugë, por ashpërsia e tij qëndron te logjika e faktit të ftohtë. Me logjikë të ftohtë, sot mund të shtrosh pyetjen: kush po i shërben më shumë me qëndrimin e vet maxhorancës, Ben Blushi, që kërkon hyrjen në Kuvend dhe përqendrimin e të gjithë organeve ndijore brenda dhe jashtë vendit te puna e Qeverisë, apo kryetari i PS-së, që me lënien jashtë të deputetëve e ndan në gjysmë problematikën politike, duke i faturuar edhe opozitës përgjegjësi. Blushi nuk është një investim disa mujor. Nuk është investim as vetëm i një njeriu. Blushi është investuar personalisht dhe intelektualisht për vite me radhë, është investim i një partie, madje edhe i një shoqërie që pret prej kohësh t’i largohet ekstremizmit. Mënjanimin e Blushit, aq më keq largimin e tij, PS nuk do të mund ta zëvendësojë dot as shpejt, dhe as me ndonjë eksponent aleat që qëndron në selinë e saj më shumë sesa “tradhtarët”(të cilët guxuan dhe sfiduan kryetarin). Nuk duket aspak çudi që partia, e cila denigroi kryetarin që e mbajti tetë vjet në pushtet, mallkoi kryeministrin në kohën e të cilit vendi mori drejtimin evropian, të flakë edhe ish-kryetarin e grupit parlamentar, të dorëhequr në mënyrë të respektueshme. Kjo nuk është çudi. çudi do të jetë nëse pas kësaj, Partia Socialiste të zmadhohet, të ketë prurje të reja jo të emëruara dhe të përcaktuara, të ketë më shumë demokraci seç kishte në 12 vitet e para të jetës së saj, të ketë një kryetar kolegjial, të ketë një kryesi ku debatohet dhe jo vetëm dëgjohet, të ketë një asamble vendimmarrëse dhe jo votuese qorrazi, të ketë militantë që nuk duartrokasin për kryetarë minipartish…Nëse PS vendos të mos e mbrojë Blushin, atëherë duhet të përgatitet të ecë në gjurmët e qëndrestarëve demokratë. Formulë e provuar dhe shumë e dështuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›