E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Bufi: Propozimi im për një pakt mes Ramës dhe Berishës

 Aristir LumeziIsh kryeministri i PS-së dhe për një kohë të gjatë anëtar i kryesisë së kësaj partie, Ylli Bufi, negociatori kryesor i PS gjatë të gjitha krizave politike dhe elektorale në vend, jep propozimet e tij për daljen nga situata e rëndë politike ku ndodhet vendi. Ai shprehet se të dyja palët, si PS ashtu dhe PD duhet të ulen dhe të bëjnë një marrëveshje, që të përfshijë dhe hapjen e kutive. Mbi bazën e defekteve që do të dalin, të bëhen përmirësimet e ardhshme në Kodin Zgjedhor, ku të përcaktohet qartë detyrimi i hapjes së kutive sa herë e kërkon një parti politike.   Zoti Bufi, ju keni qënë disa herë pjesmarrës në negociatat e ndryshme që janë bërë midis PS dhe PD për kapërcimin e krizave që ka përjetuar vendi më parë. Cili është mendimi i juaj, për zgjidhjen e krizës që po përjeton vendi aktualisht, e parë kjo pas rezolutës së Këshillit të Europës?Për të dhënë një mendim për zgjidhjen e krizës duhet, së pari, të saktësojmë se si është krijuar ajo, ose më mirë se çfarë përfaqëson ajo, dhe së dyti, kjo është dhe më e rëndësishmja, të dimë se çfarë kërkojnë të dy protagonistët e saj, zoti Rama dhe zoti Berisha. Krizën e ka dëshiruar zoti Rama si drejtues i opozitës, prandaj dhe e ka krijuar nëpërmjet bojkotimit të Parlamentit. Bojkoti i zgjatur i deputetëve të PS me insistimin e Ramës kishte pikërisht këtë qëllim, të “institucionalizonte” krizën nëpërmjet një deklarate apo rezolute të institucioneve ndërkombëtare. Natyrisht që zoti Berisha nuk e dëshironte një situatë të tillë, por rruga e ndjekur prej tij, për të krijuar imazhin se vendi nuk ka krizë, se parlamenti po miraton normalisht ligjet e propozuara nga qeveria, e shoqëruar kjo dhe me përpjekjet “për t’i treguar vendin” Ramës, nuk mund të kishte efekt për parandalimin e qëllimeve të Ramës. Berisha duhet më parë, që në fillim, të vendoste dialogun real me opozitën dhe Ramën. Tani që kriza “u institucionalizua”, është e natyrshëm që Rama të shprehet dakord për vendosjen e dialogut për zgjidhjen e krizës. Kjo është e vetmja mundësi e tij, sepse edhe “oksigjeni” i bojkotit ka përfunduar. Kjo është ç’ka ka ndodhur.  Të gjykojmë atë që po ndodh aktualisht. çfarë duan realisht palët në këtë situatë?Në kushtet e tensionit të fortë të krijuar midis palëve, më shumë ne mund të mendojmë pretendimet logjike, të arsyeshme, që realisht mund të jenë të mundura për t’u arritur, sesa çfarë thonë ata në deklaratat e përditshme të tyre, që kanë si mision të mbajnë tensionin e lartë. Pra, Rama do të jetë i kënaqur të mbyllë “në mënyrë dinjitoze” bojkotin, të garantojë që në zgjedhjet e ardhshme të mos ndodhë më ai gabim i rëndë, bile shumë i rëndë, që bëri KQZ dhe Kolegji Zgjedhor për mos hapjen e kutive të votimit, duke përligjur kështu qëndrimin e opozitës. Zoti Rama është shprehur disa herë se nuk dëshiron të ndryshojë rezultatin, dhe në fakt, këtë gjë ligjërisht ai nuk mund ta pretendojë. Pas kësaj, edhe zgjedhjet e parakohshme, që pret populli opozitar, të cilat i janë premtuar nga drejtuesit e tij, nuk është e besueshme se mund të arrihen. Natyrisht, Rama ndoshta do të “qetësohej” edhe nga lëshime të karakterit pragmatist, por këto nuk e di sa reale dhe të besueshme janë. Për sa i përket asaj që dëshiron zoti Berisha, besoj se është më e thjeshtë: opozita të kthehet në Parlament, dhe ai të vazhdojë qeverisjen e vendit. Natyrisht, ai nuk mund të pranojë rinumërimin e votave, qoftë edhe në disa kuti, sidomos në ato të pretenduara nga opozita.Atëherë cila do të ishte zgjidhja? çfarë mund të përmbante marrëveshja politike e bërë midis tyre, me ndërmjetësinë e Presidentit Topi?Nëse arsyetimi im i mësipërm do të konsiderohej korrekt, ose më mirë i pranueshëm, atëhere mendoj se marrëveshja duhet të përmbajë dy çështje kryesore: Së pari, marrëveshja duhet të garantojë që gabimi i KQZ dhe i Kolegjit Zgjedhor të mos përsëritet më në zgjedhjet e ardhshme, domethënë, palët do të garantojnë se hapja e kutive dhe numërimi i votave do të bëhet gjithmonë sa herë do të kërkohet nga një forcë politike, gjithmonë brenda kohës së administrimit të rezultateve të votimit dhe kushteve të parashikuara nga ligji. Një gjë e tillë natyrisht do të shoqërohet me ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor. Kjo do t’i jepte fund të gjitha veprimeve abuzuese të komisionerëve në fazën e numërimit të votave.Në gjykimin tuaj a duhet të hapen kutitë e votimit?Këtu doja të dilja, marrëveshja duhet të institucionalizojë ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të një komisioni parlamentar hetimor me objekt, transparencën e proçesit të votimit dhe të numërimit të votave, nëpërmjet shqyrtimit të dokumentacionit që ndodhet edhe në kutitë e votimit. Pra, për të bërë transparencën e nevojshme, palët bien dakord që të hapet një numër i caktuar i kutive të votimit, të përcaktuara nga opozita dhe maxhoranca, sipas një marrëveshjeje të bërë midis tyre. Pra, qëllimi i hapjes së kutive, të caktuara nga të dy palët të bëhet për efekt të transparencës dhe raporti i hartuar në fund të këtij hetimi të parashikojë të gjitha masat që duhet të merren për përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Marrëveshja duhet të garantojë që të gjitha këto masa do të miratohen me ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor.Formulimi dhe rënia dakord për këto dy çështje, do të ishte, le të themi, përmbajtja minimale e kësaj marrëveshjeje, që do të sillte situatën në një normalitet me kthimin e opozitës në Kuvend. Në kontekstin e proçesit të integrimit në BE, kam bindjen se vendi ka nevojë për një sjellje dhe qëndrim ndryshe të partive politike, që vështirë se do të mund të arrihet në një marrëveshje të tillë, të paktën për situatën ku ndodhemi aktualisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›