E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi, hapet dosja “Gërdeci 2”

 Trazhgim SokolajProkuroria e Tiranës regjistroi dje dosje të re në hetim ndaj ish-përgjegjësit të fabrikës së Gërdecit Veiz Muça, i arrestuar tri ditë më parë në seancën gjyqësore të tragjedisë. Organi i akuzës tha se ish-brigadieri i fabrikës së Gërdecit u arrestua jo vetëm për shkak të ndryshimit të deklarimeve në seancë nga ato që kishte dhënë në hetimet paraprake, por edhe për faktin se mohoi fakte të njohura botërisht. Sipas prokurorisë, në seancën e tri ditëve më parë në Gjykatën e kryeqytetit, Veiz Muça, mohoi që në fabrikën e Gërdecit të kishin punuar të mitur, kur në gjykatë janë paraqitur nga fillimi i procesit deri tani të paktën 10-15 fëmijë që kanë pohuar se kishin punuar me demontimin e fishekëve. “personi i thirrur si dëshmitar mohoi fakte që konsiderohen në dosje si prova absolute, të pohuara nga më shumë se dhjetë dëshmitarë”, tha prokuroria. Për këtë shkak, dje në organin e akuzës është regjistruar një procedim penal i ri, i lidhur me dosjen Gërdeci, me akuzën e “dëshmisë së rreme” ndaj Veiz Muçës, i cili për nga hierarkia, konsiderohet si zv.drejtor i fabrikës së demontimit të municioneve. Në kuadër të këtij procedimi të ri, Prokuroria tha se ditën e sotme do t’i drejtohet gjykatës me një kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj ish-brigadierit të Gërdecit, i cili po mbahet në arrest prej 48 orësh. Një tjetër pohim i të arrestuarit, i cili sipas prokurorisë nuk qëndron, ka qenë ekzistenca e një rregulloreje në Gërdec. Sipas prokurorisë, Veiz Muça konsideroi rregullore një copë letër të gjetur në fabrikë në të cilin ishin shkruar pak rreshta për rrezikun e zjarrit dhe asgjë më shumë. Akuza konfirmoi edhe mungesa e një rregulloreje ushtarake në fabrikën ku gjetën vdekjen 26 persona, është faktuar me anë të provave dhe dëshmive që ndodhen në dosje. Ndërkohë burime nga seanca e tri ditëve më parë, thanë se gjatë dëshmisë së tij në gjykatë, Veiz Muça komunikonte verbalisht me ish-drejtorin e fabrikës së Gërdecit Dritan Minxolli. Ky i fundit, sipas burimeve nga seanca, aprovonte thëniet e Veiz Muçës ndërsa ky i fundit mohonte punësimin e të miturve në Gërdec dhe pretendonte për një rregullore ushtarake e cila zbatohej aty. Sipas prokurorisë tragjedia e Gërdecit më 15 mars 2008 ndodhi si pasojë e shkeljes së rregullave teknike dhe ushtarake ndërsa pasojat erdhën nga grumbullimi pa kriter i barutit në afërsi të fabrikës çka shkaktoi shpërthimin katastrofik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›