Ambasadorët në Shkodër diskutojnë për lidhjet me jashtë të bashkive
Konferenca e Ambasadorëve vijoi dje jashtë Tiranës, në qytetin e Shkodrës, duke u ndalur në krijimin dhe forcimin e lidhjeve me jashtë, në nivelin edhe të pushtetit vendor. Ndër prezantimet e ditës së djeshme zënë vend ai i zv.ministrit të Brendshëm, z. Ferdinand Pone, i titulluar “Roli dhe veprimtaria e pushtetit vendor në marrëdhëniet me jashtë”, prezantimi i zv.ministrit të Jashtëm, z. Anton Gurakuqi, i titulluar “Për një strategji më të bashkërenduar për binjakëzimet”. Në panelin e djeshëm pati shkëmbim mendimesh si dhe u bisedua për lidhje konkrete me vendet e tjera, nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta të ambasadorëve dhe titullarëve të përfaqësive me kryetarët e bashkive të qyteteve të Kukësit, Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Korçës dhe Sarandës. Më 29 tetor, paneli i pasdites i konferencës iu kushtua reformës arsimore si dhe thithjes së trurit (brain gain) në vendin tonë. Folës kryesor në këtë panel ishte këshilltari i Kryeministrit për Shkencën dhe Teknologjinë, z. Myqerem Tafaj. Në fjalën e tij z. Tafaj parashtroi reformën në sistemin arsimor, si dhe programin e thithjes së trurit, në kuadër të të cilit gjatë vitit 2008 është zbatuar programi Fondi i Ekselencës. Z. Tafaj sqaroi se programi brain gain për vitin 2009 që kap një vlerë prej 1 milion euro, ka si pikësynim kryesor të rrisë nivelin e sistemit të arsimit universitar dhe të nxisë kthimin në atdhe si dhe tërheqjen e kontributit të atyre bashkatdhetarëve që janë dalluar për arritjet e tyre në fusha të ndryshme jashtë vendit. Në takim u tha se përfaqësitë tona jashtë do të jenë nga bashkëpunëtoret kryesore për realizmin me sukses të këtij projekti.