Oketa: FA, përkrah NATO-s në gjithë botën
Ministri i Mbrojtjes, z. Gazmend Oketa, priti dje në një takim të veçantë zv.ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, z. Stjuart Xhons.
Në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes dhe si anëtar i kabinetit të qeverisë shqiptare, z. Oketa shprehu bindjen se Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura do të vazhdojnë rrugën e reformave. “Ne, - tha ai, - kemi plane të qarta për shkatërrimin e municioneve të tepërta, gjithashtu do të vazhdojmë kontributin tonë përkrah forcave aleate, në misionin në Afganistan derisa kjo të kërkohet nga NATO-ja dhe se reformat tona do të vazhdojnë pa u ndalur me qëllim që ne të bëhemi anëtarë të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Stjuart Xhons, shprehu vlerësime për arritjet e shënuara nga Shqipëria në procesin drejt anëtarësimit të plotë në NATO. “Ratifikimi i Pprotokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në Senatin amerikan dhe firmosja e tij nga Presidenti Bush, - theksoi z. Jones, - ishte një arritje e rëndësishme e Shqipërisë, por mbeten akoma shumë angazhime të tjera pas anëtarësimit tuaj në NATO. Është e rëndësishme, - nënvizoi më tej ai, - që të vazhdojë bashkëpunimi rajonal. Zv.ndihmëssekretari Xhons vlerësoi pozitivisht iniciativën A3 +2 dhe në të njëjtën kohë u shpreh se SHBA-të do të vlerësojnë edhe mundësinë e mbështetjes për shkatërrimin e municioneve të tepërta. Vlerësime dhe falënderime të veçanta zyrtari i lartë amerikan shprehu për kontributin e trupave ushtarake shqiptare në Afganistan dhe në Irak.