E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Korrupsioni në drejtësi problem kyç



“Me gjithë progresin, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet sfida më e madhe”

Komisioni Evropian thotë se Shqipëria ka bërë përparim në demokraci dhe në reformat kyçe apo në luftën kundër korrupsionit, por vendit i mbetet ende shumë për të bërë kundër korrupsionit në drejtësi dhe transparencës së financimit të partive politike.

Gazeta “standard” ka siguruar dje një pjesë të raportit, që do të bëhet publik në 5 nëntor dhe përmbledh kritikat dhe vlerësimet për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimorë. Raporti vlerëson përparimin në “fuqizimin e strukturave shtetërore në implementimin e marrëveshjes së MSA-së dhe koordinimit të punës drejt integrimit në Bashkimin Evropian”. Por sipas tyre ende ka probleme në kthimin e administratës publike në një administratë me baza merite.

“Qeveria ka vazhduar përparimet në luftë kundër korrupsionit, që është një çështje kyç për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, thuhet në raport duke vlerësuar masat e ndërmarra nga qeveria. Ndërkohë konstatohet se në Shqipëria ka tashmë një strategji shumëplanëshe të luftës kundër korrupsionit, por kjo ende nuk është vënë në zbatim. Në raport theksohet se korrupsioni është "një nga problemet më serioze dhe më i shtriri."

Ndërkohë një vend të posaçëm raporti i kushton luftës kundër korrupsionit në sistemin e gjyqësorit. “Ka pasur progres në reformimin e sistemit të drejtësisë. Akte të rëndësishme legjislative mbi organizimin e sistemit gjyqësorë janë adoptuar”, thuhet në paragrafin kushtuar drejtësisë, ndërsa më tej vihet ne dukje se:“Megjithë përmirësimin, Shqipëria ka mungesë të një infrastrukturën gjyqësore. ”

Sipas KE-së: “Lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë është një çështje kyçe”. Raporti e cilëson drejtësinë shqiptare me probleme edhe në marrjen e vendimeve dhe sidomos në zbatimin e çështjeve civile.

“Duhet shumë punë sidomos në rritjen e përgjegjësisë së gjyqësorit dhe transparencën e fondeve nga financohen partitë politike,” thuhet në raport.

Ndërkohë në pikat e shënuara si progres është reforma në legjislacionin e policisë dhe përshtatja e ligjeve me BE. "Shqipëria ka bërë gjithashtu progres në legjislacion, në polici me standardet evropiane dhe në implementimin e marrëveshjes interim, por sidoqoftë në fushën e drejtësisë, kërkohet një përmirësim tërësor," thekson raporti i KE për progresin demokratik të Shqipërisë në 2008-ën, ndërsa inkurajon një hetim të thellë mbi çështjen e shpërthimit në Gërdec.

Ndërkohë sipas KE-së ka një progres të kufizuar në parandalimin e pastrimit të parave, dhe në luftën kundër trafikut të drogës. Nga ana tjetër liberalizimi i vizave mes Shqipërisë dhe BE është një çështje tjetër që preket në këtë raport. "Shqipëria po merr pjesë në dialogun mbi liberalizimin e regjimit të vizave, por ajo ende nuk ka arritur ende standardet e Bashkimit Evropian lidhur me ndryshimin e regjimit te vizave. BE i rekomandon Shqipërisë të fillojë shpërndarjen e pasaportave biometrike" shkruhet në raport. Komisioni Evropian evidenton progresin e Shqipërisë edhe në demokratizimin e shoqërisë dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës por në vazhdimësi kritikon mungesën e dialogut mes partive politike, një nga pikat e kritikuara në të gjitha raportet e mëparshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›