Prifti: PS-ja kërkon pakt me PD-në në kurriz të LSI-së
Akuza, PS-ja kërkon të na largojë nga KZZ-të
Fatmir Xhafa i quan qesharake akuzat
Replikat dhe mosmarrëveshjet mes dy partive të majta, PS-LSI, shkaktuan dje një tjetër përplasje mes drejtuesve të këtyre dy partive. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, akuzoi PS-në se ka vënë si kusht për kryerjen e reformës zgjedhore përjashtimin e LSI-së nga çdo komision që administron procesin zgjedhor dhe në këmbim jep mbështetjen për ligjin e prokurorisë të paraqitur nga maxhoranca. Pas kësaj deklarate, reagoi sekretari për çështjet ligjore në PS, njëherësh edhe kryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafa, i cili i konsideroi akuzat qesharake dhe personale. Deri me mbylljen e Kodit Zgjedhor, përplasjet mes dy partive janë të pashmangshme. Shkak për këtë janë formulat e propozuara nga PS-ja për strukturat e administrimit të zgjedhjeve që e nxjerrin LSI-në jashtë loje.
Akuza
Pak para se Kuvendi të miratonte për të disatën herë shtyrjen e mandatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, numri dy i LSI-së, Dritan Prifti, tha se është PS-ja ajo që po mban peng kryerjen e reformës zgjedhore, me qëllim përjashtimin e LSI-së nga e drejta për të marrë pjesë në administrimin e zgjedhjeve.
“Ne kemi marrë së fundmi një informacion, që Partia Socialiste e ka vënë si kusht kryesor për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore, heqjen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga komisionet e tjera të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pra, ata nuk japin konsensus për reformën, nëse LSI-ja do të ketë anëtarë nëpër komisione zgjedhore”, - tha Prifti.
Sipas LSI-së, nëse PD-ja pranon kushtin e PS-së, në këmbim do të ketë mbështetjen e kësaj partie në favor të ligjit të prokurorisë, i cili më parë është kundërshtuar nga kjo parti. “Pra, është një pazar i pastër, atje ku e ka dobësinë PD-ja, tek prokuroria, sepse është e zhytur në korrupsion dhe tashmë ka fakte para të gjithë shqiptarëve. PS-ja kërkon t'i japë atyre amnisti për korrupsionin dhe për problemet që ata kanë me drejtësinë, duke goditur ata që duhet t'i ketë aleatë në zgjedhjet e ardhshme”, - deklaroi Prifti.
Përgjigjja
Ndërkaq, pas deklaratave të ashpra të Priftit, reagoi kryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafa, i cili i vlerësoi akuzat si qesharake.
“Mendoj se nuk ka mundësi të japësh një përgjigje serioze për gjëra qesharake dhe për deklarata që janë të përçarta. Nuk ka asnjë lidhje mes këtyre të dyjave në mënyrë absolute, por përçartja është personale dhe nuk kam ndërmend të merrem me këtë gjë”, - tha Xhafa. Në kundërshtim me akuzat e Priftit për vonesa në bërjen e ligjit zgjedhor, Xhafa nënvizoi se nga pikëpamja e punës së ekspertëve, Kodi Zgjedhor pothuajse ka përfunduar. “Ka mbetur pjesa për pushtetin vendor, janë rregullimet e fundit dhe disa gjëra që lidhen me një aneks që duhet t’i bashkëngjitet kodit lidhur me përcaktimin e zonave të administrimit zgjedhor në një qark”, - theksoi deputeti socialist. Ndërsa në lidhje me pretendimet për ligjin e prokurorisë, Xhafa vuri në dukje se nuk njeh asnjë projektligj të prokurorisë dhe debatin për të PD e nis vetëm kur të zbardhet ai. Sa për qëndrimin në parim, drejtuesi socialist vuri në dukje se nuk lëviz nga qëndrimet e mëparshme për këtë çështje.
Reforma zgjedhore, edhe 15 ditë afat
Kuvendi miratoi dje një shtyrje prej 15 ditësh të afatit të punës së Komisionit të posaçëm për hartimin e Kodit Zgjedhor. Duket se ky afat do të jetë i fundit, nisur edhe nga presioni ndërkombëtar i cili ka kërkuar realizmin sa më të shpejtë të kësaj reforme kyç për realizimin e zgjedhjeve tërësisht demokratike në vitin 2009. Komisioni do të punojë rreth sistemit zgjedhor deri më 14 nëntor. Ky vendim u votua me 81 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime. Kjo është hera e tretë që shtyhet ky afat. Vendimi fillestar parashikonte që kjo reformë të përfundonte në fund të shtatorit, pastaj u shty përsëri deri në fund të tetorit, ndërsa tani u shty për mesin e muajit nëntor. Duket se ky do të jetë afati i fundit për shkak edhe të ndërhyrjes së OSBE-së e cila ka kërkuar garanci. Palët politike janë shprehur se kodi është gati me përjashtim të vetëm disa pikave të cilat kërkojnë ende diskutim. Ndryshe nga ky pretendim i partive të mëdha, Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar se kjo shtyrje është një pazar politik, me qëllimin e vetëm, që sipas kësaj force, është monopolizimi i politikës në dy pole.