Bogdani: Rama po sulmon marrëveshjen me Italinë
Partia Demokratike reagoi dje pas qëndrimit zyrtar të PS-së që e cilësoi marrëveshjen me Italinë për njohjen e patentave si të vonuar në kohë. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, tha se “njeriu që dita-ditës po tregon se nuk ka asnjë lloj interesi tjetër përveç karrierës personale, në emër të së cilës është i aftë të trillojë dhe mashtrojë për çdo gjë, nëpërmjet zëdhënësit të tij sulmoi marrëveshjen reciproke të patentave me Italinë”. Sipas tij, këtë marrëveshje e kanë pritur me padurim rreth gjysmë milioni shqiptarë që punojnë, studiojnë dhe jetojnë në Itali dhe bashkë me ta, familjet e tyre në Shqipëri, por këtë marrëveshje nuk e nënshkruan dot për tetë vjet qeveritë socialiste. Më tej, duke sulmuar Ramën për qëndrimin e tij, Bogdani tha se “në vend që të përshëndeste këtë arritje, për hir të atyre shqiptarëve që jetojnë sot në Itali, z. Rama nuk e la pa e sulmuar edhe këtë marrëveshje që është arritja më e madhe dhe më konkrete e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë dhe që për më tepër përbën lehtësi të ndjeshme për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë”. Ai e lidhi qëndrimin e tij me protestën e Mjaft-it kundër ministrit italian Fratini, duke shtuar se “gjatë kohës që nënshkruhej kjo marrëveshje me impakt shumë pozitiv për shqiptarët, z. Rama, nëpërmjet nënkryetarit të tij, z. Veliaj, që akuzohet nga bashkëdrejtuesit e Mjaft-it se u pasurua me paratë e kësaj organizate dhe ndërtoi vilën e tij personale, kishte organizuar një mikromiting proteste së bashku me tre a katër debatikas të tjerë”.