E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët përshëndesin miratimin e reformës zgjedhore

"Miratimi i Kodit të ri Zgjedhor pas një procesi gjithëpërfshirës negociatash, përbën një hap të madh për Shqipërinë drejt demokratizimit të mëtejshëm të vendit", tha ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth.
Ai theksoi nevojën për vullnet të vazhduar politik si garanci për zbatimin e plotë të legjislacionit të ri, i cili ka rëndësi të veçantë për periudhën përgatitore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. "Kjo reformë ka për qëllim të kontribuojë për të siguruar që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të mbahen në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Edhe me një Kod Zgjedhor të përmirësuar, vullneti politik është një element i domosdoshëm për zbatimin e Kodit Zgjedhor, për krijimin e besimit në të gjitha nivelet – midis zgjedhësve, komisionerëve dhe politikanëve – dhe për krijimin e një mjedisi drejtësie dhe të respektimit të rregullave", tha Wollfarth. 

Wollfarth i mëshoi gjithashtu edhe nevojës për adresimin nga ana e Kuvendit të çështjes po aq të rëndësishme të imuniteteve duke bërë thirrje që të arrihet një marrëveshje deri më 6 gusht.

Ndërkohë, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, menjëherë pas miratimit të reformës zgjedhore tha se “Kur flasim për mungesën e besimit është fakt i trishtueshëm, por do jem i sinqertë me ju, nuk e kisha menduar se do e miratonin reformën zgjedhore dhe gjithashtu e kuptoj zotin Dule, Oketa, Mediu dhe partitë e vogla sepse e di që ka pasur diskutim për sistemin, nuk ka qënë i mundshëm, por do jetë në të ardhmen. Të jem i sinqertë nuk e dija që do e kalonin reformën zgjedhore në Kuvend, kam humbur dy baste se nuk e kisha menduar se do e kalonin, edhe me mungesën e besimit nëse kaluan reformën do kalojnë edhe imunitetin”

Ndërsa lidhur me heqjen e imuniteteve, Arvizu tha se të gjitha palët duhet të bien dakord dhe janë të zëshëm që imuniteti duhet të hequr.” A duhet shikuar me kujdes, absolutisht po. Jemi të sinqertë nuk është dicka që ka ndodhur brenda natës, pra nuk është tematikë e re, ekspertët ndërkombëtarë kanë kontribuar për këtë proces. Kemi pasur shumë takime. Gjatë 7 deri në 10 ditët e ardhshme do ketë shumë aktivitete, debate publike dhe diskutime. A nevojitet shumë kohë, ndoshta, por dua të jem i sinqertë. Sot është 19 korrik dhe koha nga sot deri më 6 gusht në periudhën shqiptare është përjetësi dhe nuk është tematikë e re, por nëse ka vullnet mund ta heqin imunitetin”.
 
I pranishëm në seancën e sotme parlamentare ishte edhe ambasadori i BE-së, Etore Sequi, i cili pas përfundimit u shpreh i lumtur për kurorëzimin e këtij procesi duke përgëzuar të dyja palët.

“Rezultati i ditës së sotme është një hap shumë i rëndësishëm për integrimin. Ky vullnet nuk ishte i lehtë, por palët duhet ta vazhdojnë. Çështja e reformimit të rregullores, një ndër pikat e marrëveshjes së arritur në nëntor dhe që nuk është trajtuar ende, dhe heqja e imuniteteve, në përputhje me standardet europiane, janë shumë të rëndësishme që të bëhen hapa para drejt BE-së", tha ai./Start/

                                                                                             2012-07-19 13:18
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›