Ambasadorët:Të respektohet Kolegji, procesi s`ka mbaruar

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu dhe Kreu i Delagacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadori Ettore Sequi, dolën sot me një deklaratë të përbashkët për publikun shqiptar mbi procesin zgjedhor në Shqipëri.
Ata reagojnë mbi precipitimin e zhvillimeve elektorale pas shpalljes së vendimit të premten nga Kolegji Zgjedhor i cili rrëzoi kërkesën e PS.
Ambasadorët Sequi, Arvizu dhe Wolfarth ka deklaruar se ata janë njohur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor shqiptar, si organi më i lartë ligjor që gjykon apelimet zgjedhore dhe sipas tyre është thelbësore që të gjitha palët të veprojnë, pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë, të pjekur e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak.
Po aq e rëndësishme është që të gjitha palët, partitë politike dhe qytetarët, të presin derisa rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kërkohet nga legjislacioni shqiptar, – vijon deklarata e tre ambasadorëve.
“Ne besojmë se më 8 Maj, qytetarët e Shqipërisë votuan për kandidatët e zgjedhur prej tyre. Ky zë tashmë duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partitë politike” thekson deklarata ndërsa shton se ata do të ndjekin nga afër përmbylljen e procesit zgjedhor dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare, si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it, duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura në deklaratat tona të mëparshme.