“Votuesit e Tiranës, me votën e tyre shmangën lojën politike”

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata
Kolegji Zgjedhor rrëzoi në themel kërkesën e Partisë Socialiste, e cila pretendonte pavlefshmërinë absolute të vlerësimit dhe numërimit të fletëve të votimit të gjetura jo në kutinë përkatëse, duke legjitimuar vendimmarrjen e KQZ, në rolin e KZAZ-së së madhe për zonën zgjedhore, Bashkia e Tiranës.
Pasi gjithçka ka përfunduar dhe ashtu siç dhe vetë e kishte pritur, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, deklaroi se kjo vendimmarrje u jep vlerë dhe vendimeve pasuese të PS, shpalljes së tabelës së rezultatit për KZAZ 49 dhe asaj përmbledhëse për Bashkinë e Tiranës.
Sa i përket pjesës së dytë të vendimit të formës së prerë të Kolegjit Zgjedhor, atë të pushimit të gjykimit të çështjes lidhur me kërkimin për anulimin e vendimeve të ndërmjetme për çdo kuti të nxjerrë nga pala e paditur, KQZ, Gjata i jep ketë domethënie nisur dhe nga eksperienca e tij si gjyqtar. “Finalja është se kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndonëse ende i pa certifikuar zyrtarisht nga KQZ, është Lulzim Basha me 81 vota para rivalit të tij, Edi Rama”.
Por ajo që Gjata e quan fitore, është fakti se zgjedhësi i kryeqytetit përvese tregoi vlerën që ka vota, ia doli që me rezultatin e ngushtë, të shmangë lojën politike, duke i dhënë hapësirë në fushë vetëm përplasjes së argumenteve juridike.
Të premten, Partia Socialiste u përqendrua vetëm tek procedura në mbrojtjen e qëndrimit të saj në Kolegj, ndërsa KQZ si palë e paditur dhe demokratët si palë e interesuar, i mëshuan jo vetëm procedurës, por mbi të gjitha, asaj që nis që nga Kushtetuta: e drejta e votës, së lirë dhe të barabartë të qytetarit.
Pikërisht, këtu duket të ketë qenë dhe pika e dobët para trupës gjykuese një pjesë e së cilës në 2007-ën për një kuti në komunën Ndroq kishte refuzuar shpalljen e pavlefshmërisë, duke i dhënë sërish përparësi vullnetit të zgjedhësve dhe jo mënyrës së administrimit të procesit në qendrën e votimit.
Një ditë para vendimit të KQZ-së, Çlirim Gjata, e solli pikërisht në vëmendje këtë rast kur ai kryesonte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas Kodit Zgjedhor, nenit 158 të tij, ku u bazua dhe vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor, ai është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij, pra ditën e hënë.