“Vota në kutinë e gabuar nuk mund të cilësohej e pavlefshme”
Ligji i zgjedhjeve në Shqipëri, flet analisti Artan Hoxha
Që pas mbarimit të votimeve për pushtetin lokal më 8 maj, në rastin e nxjerrjes së rezultatit për Bashkinë e Tiranës ende është i ndezur debati se si do të trajtohen ato vota që janë hedhur në kuti të gabuara. Nëse nuk ka ende një rezultat final për Bashkinë e Tiranës kjo i dedikohet një fenomeni të ri që u shfaq në procesin e numërimit të votave pas ditës së zgjedhjeve. Votat e diskutuara janë gjykuar si të vlefshme, por ato figurojnë të hedhura nga qytetarët jo në kutinë e duhur por në një kuti tjetër.
Për mazhorancën këto vota duhet të shqyrtohen sepse në këtë mënyrë lexohet verdikti i çdo qytetari. Kurse për opozitën përllogaritja e tyre është një mekanizëm që deformon rezultatin e zgjedhjeve në bashkinë më të madhe të vendit.
Drejtori i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, Artan Hoxha, mendon se debati që po zhvillohet aktualisht mbi trajtimin e votave që janë hedhur gabim në një kuti tjetër duhet të fokusohet tek çështja thelbësore: a janë apo jo të vlefshme ato.
“Në këtë prizëm duhet të gjykojnë dhe instancat që marrin në shqyrtim ankesat e palëve, si KQZ ashtu dhe Kolegjit Zgjedhor”, thotë Hoxha për DË.
“KQZ ka mbajtur një qëndrim, u fut në proces si një komision zonal, shqyrtoi këto vota që ishin objekt diskutimi në grupet e numërimit dhe vendosi ti quajë ato të vlefshme. A është ky hap procedural i KQZ 100 për qind i pastër? Këtë nuk di ta them. Por duket që argumentet që ka dhënë ky Komision në mbështetje të vendimit të saj janë të bollshme, koherente dhe logjike. Vota e hedhur në një kuti tjetër nuk mund të klasifikohen si të pavlefshme. Përkundrazi, administrata zgjedhore kujdeset që në fillim të procesit që t’i marrë këto fletë nga ajo kuti dhe ti hedhë ku duhen. Është vështirë që dikush që do të ankohej kundër këtij parimi të mund të fitonte davanë. Ankimimet në Gjykatën Kushtetuese Hoxha i cilëson si variant teorik. “Teorikisht çdo kush mund të bëjë ankesa në Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri apo në Gjykatën e Strasburgut, që i janë shkelur të drejtat themelore. Kjo më duket një mundësi teorike, pa asnjë efekt në rezultatin zgjedhor nga Kolegji Zgjedhor. Por mund t’i shërbejë përmirësimit të sistemit zgjedhor në të ardhmen”, thotë ai.