“Edi Rama të kuptojë se kur flet gjykata, të tjerët heshtin”

Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj komenton replikat e prodhuara në shtyp pas marrjes së vendimit të Kolegjit
“Edi Rama duhet të kuptojë se kur flet gjykata, të tjerët heshtin”. Kështu u shpreh dje në një intervistë televizive për ABC News, ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, në lidhje me situatën pas marrjes së vendimit të Kolegjit Zgjedhor për Bashkinë e Tiranës, duke shpallur kandidatin Lulzim Basha si fitues të garës së 8 majit.
Sipas tij, rezultati në fakt nuk vendoset nga gjykatat, por nga vetë qytetarët, të cilët e thanë fjalën e tyre për kandidatin që dëshirojnë të kenë në krye të Tiranës për 4 vitet e ardhshme me votën që hodhën në 8 maj. “Ajo çfarë do t’i thosha Edi Ramës pas deklaratës e tij është fakti se nuk e përcakton rezultatin e zgjedhjeve të Tiranës, as KQZ dhe as Kolegji Zgjedhor, por qytetarët e kryeqytetit. Rama duhet të kuptojë se kur flet gjykata, të tjerët heshtin”, u shpreh deputeti demokrat, Alibeaj. Duke shtuar se Edi Rama vazhdon të kacavirret mbi disa artikulime të ligjit, por tashmë nuk bëhet më fjalë për qasjen “Kam fituar apo jo”
“Duhet të induktojmë kulturën e respektimit të vendimit të gjykatave. Pas Kolegjit Zgjedhor nuk ka më. Ndërkaq, kushdo që mund të ketë paqartësi në mënyrën e zbatimit të standardit, ka të drejtën t’u drejtohet instancave ndërkombëtare. E unë mendoj se instanca e duhur është raporti i OSBE-ODIHR-it dhe Rama, le të rrijë derisa të shprehet ky institucion për mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet. Gjithsesi, këtë nuk ka përse të na e thotë dikush nga jashtë kur ne vetë ishim aktorë dhe faktorë të këtij procesi. Natyrisht që një proces zgjedhor, ka të mirat e të këqijat e tij. Por ne të gjithë e pamë që në Shqipëri pati një pjesëmarrje të rregullt në zgjedhje, gjë që tregon se qytetari beson te instancat zgjedhore dhe Kolegji Zgjedhor”, përfundoi argumentimin e tij ish-ministri Alibeaj.
Kolegji Zgjedhor shprehu dy ditë më parë me 5 vota “pro” rrëzimin e kërkesës së Partisë Socialiste për shpalljen të pavlefshëm vendimin e datës 23 maj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. KQZ, pas numërimit të të gjitha votave shpalli fitues të bashkisë së Tiranës kandidatin e Partisë Demokratike Lulzim Basha me një epërsi prej 81 votash.
Në kushtet e pamundësisë politike për të pranuar humbjen e postit të kryebashkiakut, Edi Rama e pranon atë si verdikt të qytetarëve, por këtë herë fajëson bindshëm institucionet gjyqësore.