E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia sot bëhet zyrtarisht me Kryeministër, Papadimos do drejtojë qeverinë e koalicionit

11-11-2011 / Gazeta 55

Sot betohet kryeministri i ri i Greqisë i i cili do të drejtojë qeverinë e koalicionit. Lukas Papademos do të betohet sot më datën 11, të muajit të 11, të vitit 2011, ndërsa vetë ai do të jetë edhe kryeministri i 11 i radhës në Greqi qysh prej diktatures së vitit 1974. Dje udhëheqësit politikë grekë emëruan zyrtarisht zotin Papademos, ish- zv/presidentin e Bankës Qendrore Evropiane, si kreun e qeverisë së përkohëshme, i cili do ta udhëheqë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve, ndoshta vitin e ardhshëm. Kryeministri grek Jorgos Papandreu i dorëzoi atij përgjegjësinë për zbatimin e masave të rrepta ekonomike, të kërkuara nga kreditorët ndërkombëtarë, në shkëmbim të një ndihme tjetër për pagimin e borxhit që ka Greqia.
Z. Papademos, i cili do ta bëjë betimin si kryeministri i ri i vendit sot, tha se para tij ka një rrugë aspak të lehtë, për t’u përshkruar. Por ai tha se vazhdimi i përdorimit të Euros është një garanci për stabilitetin monetar të vendit dhe se grekët duhet të jenë optimistë për rezultatin përfundimtar, nëse qëndrojnë të bashkuar.
Më herët, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Mark Toner tha se Shtetet e Bashkura presin me kënaqësi të punojnë kryeministrin e ri dhe se Greqia është një partnere e rëndësishme dhe mike e vjetër e Ameriks. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mirëpresin konsensusin e arritur në Greqi për nevojën e zbatimit të reformave të këruara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian.

Profil/Kush është Lukas Papadimos, kryeministri i mandatuar i Greqisë?

Akademiku dhe ish zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore Europiane, Lukas Papadimos, u paraqit në pallatin presidencial dhe mori mandatin për krijimin e qeverisë me bazë të gjerë.Gjatë paradites të së enjtes janë takuar me presidentin e vendit Karolios Papulias liderët politikë ku u vendos që Papademos të jetë kryeministri i mandatuar i Greqisë. Lukas Papadimos, u lind më 1947 në Athinë. Pas përfundimit të Kolegjit të Athinës vazhdoi studimet e larta në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts-it (MIT) në SHBA, ku u doktorua për ekonomi.Në periudhën 1975 - 1984 ishte pedagog i ekonomisë në Columbia University, dhe njëkohësisht punoi si ekspert ekonomik i Bankës federale (Federal Reserve Bank) të Shteteve të Bashkuara.
Në vitin 1988 u zgjodh pedagog i shkencave ekonomike në Universitetin e Athinës.
Me kthimin në Greqi, u emërua anëtar i këshillit të ekspertëve të ministrisë së ekonomisë kombëtare (1985 - 1988 dhe 1991 -1994).
U emërua zëvendësguvernator i Bankës së Greqisë në dhjetor 1993 dhe guvernator i saj më 1994. Të njëjtin vit u emërua anëtar i këshillit të Institutit Financiar Europian dhe ishte kryetar i nënkomisionit të politikës monetare dhe i komisionit të guvernatorëve të bankave qendrore të Komunitetit Europian.
Nga viti 2002 deri 2010 ishte Zv/Guvernator i Bankës Qendrore Europiane dhe pas largimi u emërua këshilltar pa pagesë i kryeministrit Jorgos Papandreu. Që nga viti 2006 është anëtar i Akademisë së Athinës. Puna kërkimore dhe vepra e tij janë përqëndruar në çështje të teorisë dhe politikës së makroekonomisë, si strukturimi dhe funksionimi i tregjeve financiare, problemi i falimentimeve, eficenca e mjeteve të politikave monetare dhe ekonomia politike në Bashkimin Europian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›