Ambasadori Arvizu i kërkon Ramës të njohë rezultatin e zgjedhjeve vendore

Diplomati amerikan mbërriti dje në selinë socialiste, për të bindur kryesocialistin se duhet të ruajë qetësinë, pas deklaratave konfliktuale të hedhura në media
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranës, Aleksandër Arvizu, zhvilloi dje një vizitë të papritur në selinë e Partisë Socialiste. Mësohet se Arvizu është takuar me kreun e PS-së Edi Rama, të cilit i ka komunikuar se procesi i numërimit të votave të 8 majit, po shkon në mënyrë të shkëlqyer dhe si e tillë duhet të pranohet rezultati nga forcat politike. Përfaqësuesi i lartë amerikan ndenji për rreth 20-30 minuta në selinë rozë.
Në përfundim të takimit, Arvizu nuk dha asnjë deklaratë për mediat, por me rolin e tij si vëzhgues gjatë pasdites së djeshme në njësinë bashkiake nr. 5 në kryeqytet, u faktua se shqetësimi i ambasadorit amerikan ishte pikërisht rezultati i zgjedhjeve.
Burime të “55”-ës bënë të ditura dje se ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i ka kërkuar kryetarit të socialistëve dhe njëherazi kandidatit për një mandat të katërt në bashkinë e kryeqytetit, Edi Rama, të moderojë retorikën politike si dhe të shmangë tendencat konfliktuale.
Deklaratat e Ramës në media gjatë paradites së djeshme se mbizotëron një presion politik ndaj grupeve të numërimit, duket se ka shqetësuar ambasadorin Arvizu, i cili mësohet se e ka konsideruar të tepruar këtë qëndrim. Procesi i numërimit të zgjedhjeve po ecën në mënyrë konstruktive dhe brenda kuadrit ligjor të funksionimit të KZAZ-ve, të cilat rregullohen me ligj nga organi qendror i administrimit të zgjedhjeve (KQZ). Por, shqetësim parësor mbetet mosnjohja e rezultatit të zgjedhje nga forcat politike.
Në këtë sens, Shqipëria ka një eksperiencë të hidhur porsa i takon njohjes së rezultatit. Duket se edhe ambasadori Arvizu, drejt kësaj linje e ka kuadruar misionin e tij, atë të bindjes së faktorëve politik që të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit. Diplomati amerikan i vlerësoi zgjedhjet e 8 majit si të rregullta dhe në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Sipas Arvizu, raporti paraprak i OSBE/ODIHR foli qartë se procesi ishte transparent dhe konkurrues.
Kreu i OSBE-së Eugen Wollfarth: “Procesi i numërimit të votave është transparent”/Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, deklaroi mbrëmjen e djeshme se procesi i numërimit të votave po bëhet i saktë dhe transparent. Wollfarth, i cili vëzhgoi procesin e numërimit të votave në njësinë 9, KZAZ nr. 53, në Tiranë, e konsideroi si të rëndësishëm faktin se vota po numërohet drejt, por ai vlerësoi se ky proces duhet të ishte më i shpejtë. “Ne jemi të sigurt se procesi i numërimit të votave po bëhet i saktë”, tha Wollfarth. Ai u kërkoi politikanëve të presin procesin e numërimit, te jenë të qetë dhe të presin rezultatin. Kjo njësi, e cila është në përfundim të procesit të numërimit të votave për kryetar Bashkisë së Tiranës, ka pasur një proces të ngadalshëm, për shkak të vonesave dhe zvarritjeve nga komisionerët e grupeve të numërimit.
Aktualisht, procesi i numërimit po vëzhgohet nga afër nga ndërkombëtarët, të cilët po ashtu, kanë monitoruar në vijimësi procesin paraelektoral, ditën e votimeve si dhe po ndjekin nga afër edhe procesin e numërimit. Në ditën e zgjedhjeve ishin të pranishëm rreth 5000 vëzhgues vendas dhe të huaj, të cilët rreth 400 vëzhgues i përkasin misionit të OSBE/ODIHR-it, të cilët dy ditë pas 8 majit nxorën edhe konkluzionet paraprake të procesit elektoral të zgjedhjeve vendore. Në raportin paraprak u theksua se procesi ishte transparent, por u karakterizua nga mosbesimi mes palëve.
Kongresmeni amerikan Eliot Engel: “Shpresoj që numërimi i votave në Shqipëri të vazhdojë pa vështirësi”/Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Eliot Engel tha se shpreson që numërimi i votave në Shqipëri të vazhdojë pa vështirësi dhe që palët t’i përmbahen sundimit të ligjit. Zoti Engel i bëri komentet mbrëmë në një takim me përfaqësuese të shoqërisë civile nga Kosova të cilat vizituan Kongresin amerikan. “Ne po ndjekim rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri. Nuk e di kush do të fitojë. E di se rezultati është shumë i ngushtë. Por shpresoj se të dyja palët do të bien dakord me sundimin e ligjit për sa i përket zgjedhjeve. E di se numërimi vazhdon dhe shpresoj se do të vazhdojë pa ndonjë vështirësi. Shpresoj gjithashtu se cilido që të fitojë do të respektohet, sepse kjo do t’i tregojë Bashkimit Evropian që Shqipëria po i plotëson standardet e BE-së. Jam shumë i gëzuar që Shqipëria i plotësoi standardet e NATO-s, por këto zgjedhje do t’i tregonin Bashkimit Evropian se Shqipëria e dëshiron anëtarësimin në BE”, u shpreh Engel.