Ambasadori Bosch vlerëson punën e medias
Tiranë-Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Zyrën e Komisionit Europian në Tiranë dhe Fondacionin "Friedrich Ebert", organizuan të premten në ambientet e Hotel "Sheraton", konferencën për Ditën Botërore të Medias.
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, u shpreh në hapje të kësaj konference, se "aktualisht Shqipëria po përjeton ndryshime të rëndësishme, që do të ndikojnë në imazhin e mediave në dhjetëvjeçarin e ardhshëm". Gjithashtu ai ka vlerësuar punën e bërë cilësore të medias shqiptare gjatë viteve të fundit.
"Mbështetja për zhvillimin e medias është një element i rëndësishëm i mandatit të Prezencës së OSBE-së", tha Ambasadori Bosch.
Ndërsa, Kryetarja e KKRT-së, Mesila Doda, tha se "ky institucion po punon aktualisht për një draft për operatorët televizivë, që konsiston në kalimin nga një sistem analog, në një sistem numerik". Të pranishëm në këtë konferencë janë drejtues të mediave në vend, gazetarë, analistë etj.