Një 24-vjeçar luan me policinë
FIER – I janë dashur disa orë policisë së Kavajës, Lushnjës, Fierit e Beratit për të vënë në pranga 24-vjeçarin Plarent Tafa, i cili duket se e ka shijuar për pak kohë “sfidën” ndaj uniformave blu. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se dy net më parë, ndërsa shkonte nga Kavaja për në banesën e tij në Poshnjë të Beratit, 24-vjeçari nuk pranoi t’u ndalonte uniformave blu. Një gjë e tillë ka bërë që policia e Kavajës, të mbajë shënim automjetin tip “Benz” me targa BR 0309 B dhe t’ia kalojë të dhënat policisë së Lushnjës duke kërkuar ngritjen e një postblloku dhe ndalimin e drejtuesit të automjetit. Megjithatë, duket se Tafa nuk ka pranuar që t’i bindet as tabelës dhe as postbllokut policor. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30 kur sapo kishte hyrë dita e enjte. Nata e errët dhe ecja me shpejtësi ka bërë që 24-vjeçari të largohet dhe policia thjesht të mbajë shënimin e radhës për automjetin. Mësohet se disa nga policët kanë marrë plagë të lehta për shkak të thyerjes së postbllokut nga ana e Tafës. Një gjë e tillë ka bërë që të lajmërohet policia e Beratit, e cila në bashkëpunim me policinë kriminale, pasi zbuloi vendndodhjen e Tafës, ta vërë atë në pranga rreth orës 16:00 të së enjtes. Prangosja e 24-vjeçarit u realizua në banesën e tij në fshatin Arrëz të komunës Poshnjë të Beratit. Pas arrestimit ai u shoqërua në mjediset e paraburgimit të Fierit, ku dhe iu komunikua akuza e “kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik”.