E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Bosh: “Partitë politike duhet të zbardhin financat”



Eljona Ballhysa
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, i pranishëm dje në konferencën mbi luftën kundër korrupsionit, të organizuar nga Transparency International, u bëri thirrje partive politike në Shqipëri që të bëjnë publike burimet e financimit të tyre. Bosh e cilësoi të pamjaftueshëm hetimin që bën Komisioni Qendror Zgjedhor gjatë fushatës elektorale dhe sugjeroi që të përcaktohet një institucion i vetëm që të merret me transparencën e financimit të partive politike. Ambasadori Bosh tha se në rast se partitë fshehin burimet financiare, ndodh që në shumë raste të lindin praktika të dyshimta biznesi. Në përfundim të fjalës së tij Bosh u bëri thirrje partive që të nisin punën për hartimin e reformës së re zgjedhore në mënyrë që ajo të jetë gati në zgjedhjet vendore të 2011-s, si dhe theksoi se ekzistojnë të gjitha zgjidhjet kushtetuese, gjyqësore dhe politike për t’i dhënë fund krizës aktuale politike.
Apeli
“Ne kemi nevojë të shohim urgjentisht një reformë në mënyrën e rregullimit të financimit të partive politike. Kjo reformë duhet të ndodhë si pjesë e një pakete më të gjerë reforme elektorale dhe, duke qenë më pak se një vit larg zgjedhjeve të pritshme vendore, ky proces duhet të fillojë pa humbur më kohë. Ekzistojnë zgjidhje kushtetuese, gjyqësore dhe politike që i lejojnë aktorët kombëtarë t’i japin fund situatës aktuale politike dhe të fillojnë reformën zgjedhore brenda Kuvendit të Shqipërisë”, - është shprehur Bosh.
Gjatë fjalës së tij ai bëri të ditur se partitë politike në Shqipëri asnjëherë nuk e kanë pasur përparësi çështjen e transparencës së burimeve financiare. Ai tha se kjo çështje është e përcaktuar mjaft qartë në Kushtetutën e Shqipërisë, në të cilën shkruhet se “burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre duhet të bëhen publike”.
Sipas ambasadorit Bosh, “shkalla e informimit të publikut për përmasat dhe strukturën e buxhetit të partive politike është krejtësisht e pamjaftueshme. Ndërkohë që shumë parti politike europiane i publikojnë online buxhetin dhe raportet buxhetore të tyre, kjo nuk ndodh në Shqipëri. Në rastin më të mirë mund të gjejmë raporte kontrolli në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, madje dhe atëherë informacioni që mund të marrim, në rastin më të mirë, është fragmentar”, - është shprehur ambasadori i OSBE-së.
Sugjerimi
Gjatë fjalës së tij ai sugjeroi që të përcaktohet një institucion për ndjekjen në vazhdimësi të transparencës së fondeve dhe burimeve të financimit të partive politike në Shqipëri. “Aktualisht, Kontrolli i Lartë i Shtetit i kontrollon partitë politike jashtë periudhës zgjedhore, ndërsa gjatë një fushate elektorale është KQZ-ja ajo që e kryen këtë rol. Përmenda pak më sipër probleme në lidhje me sasinë e informacionit në kontrollet aktuale. Dua të shtoj, gjithashtu, që këto raporte nuk sigurojnë informacion të mjaftueshëm që të tregojë nivelin e kontrollit dhe verifikimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të partive – madje as nuk tregohet nëse ky informacion është i plotë.
Kjo tregon se cilësia e kontrollit të pavarur politik në këtë vend mbetet nën nivelin mesatar - përsa i përket të qenit dukshëm sipërfaqësor dhe mungesës së transparencës. Do të ishte një praktikë e mirë në të ardhmen nëse ky kontroll do të kryhej nga një institucion i vetëm, nëse jo nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, atëherë ndoshta nga KQZ-ja ose nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive”, - është shprehur Bosh. Gjithashtu ai kërkoi ndryshimin e Kodit Zgjedhor përsa i përket ndarjes së fondit shtetëror për partitë politike gjatë fushatës zgjedhore. “Fondi shtetëror për partitë politike nuk duhet të ndahet në mënyrë jo të barabartë duke u dhënë padrejtësisht përparësi partive parlamentare. Është e nevojshme që të sigurohet deklarimi i të ardhurave dhe shpenzimeve të partive në lidhje me financimin e fushatave, si dhe të specifikohen kriteret në bazë të të cilave KQZ-ja mund të kryejë në kohë verifikimet e duhura të raporteve financiare të partive politike. Një tjetër çështje që duhet konsideruar është nevoja për të monitoruar më nga afër financimet private. Në mungesë të rregulloreve të duhura, interesat tregtare dhe individët e pasur, të përfshirë në jetën politike, mund të ndrydhin pjesëmarrjen demokratike duke penguar zhvillim ekonomik vendas, madje të transformojnë vetë natyrën e qeverisjes dhe debatit politik.
Në rastin më të keq, partitë politike mund të pranojnë fonde nga interesa biznesi që mbështetin qëllimisht disa parti politike për të siguruar kontrata fitimprurëse, apo edhe më keq akoma, për të qenë të sigurta se këto institucione do të mbyllin një sy ndaj praktikave ‘të dyshimta’ të biznesit”, - është shprehur ambasadori Bosh.

13 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›