E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, 30 minuta kokë më kokë me Withers-in te hotel “Rogner”

Kryesocialisti, në Ditën e Europës, shmang takimin me Berishën

Eljona Ballhysa
I pranishëm në ceremoninë e organizuar nga ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan, me rastin e Ditës së Europës, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka biseduar veçmas për rreth 30 minuta me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, John Withers. Rama, i shoqëruar nga deputeti socialist Ditmir Bushati, ka mbërritur në ceremoninë e organizuar në hotel Rogner rreth orës 13:00 dhe për 30 minuta ai ka qëndruar në shoqërinë e ambasadorit amerikan. Që të dy faktorët e politikës kanë biseduar me njëri-tjetrin në një moment kur kriza politike në vend ndodhet në kulmin e saj. Takimi Withers-Rama vjen vetëm një ditë pas takimit të ambasadorëve Withers e Montobio me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ku kanë biseduar për gjetjen e rrugëve për një zgjidhje kushtetuese dhe sa më të shpejtë të krizës politike. Ndaj dhe mendohet se temë e bisedës së djeshme mes Withers-it dhe Ramës ka qenë pikërisht situata e vështirë politike në vend, ku prej 12 ditësh, 22 deputetë të PS-së dhe rreth 180 qytetarë janë futur në grevë urie në çadrat e ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Shmangia
Ajo që ra në sy ishte largimi i Ramës pikërisht në momentin kur në ceremoni ka mbërritur kryeministri Sali Berisha. Pas takimit me ambasadorin Withers, Rama është larguar nga ambienti ku pritej të mbahej fjalimi i rastit nga ambasadori Lohan, që ishte dhe organizatori i këtij takimi. Rreth orës 13:30 kryesocialisti Rama, i shoqëruar nga deputeti socialist Ditmir Bushati, u larguan nga ceremonia. Në çast mbërrin kryeministri Berisha, i cili i drejtohet podiumit të improvizuar në ambientet e jashtme të Rognerit. Pas kryeministrit mbërrin ambasadori i KE-së, Helmut Lohan, i shoqëruar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Më pas Lohan u drejtohet të pranishmëve duke i cituar shtetarin francez, Robert Shuman, i cili më 9 maj mbajti fjalimin që hodhi rrënjët e krijimit të Bashkimit Europian. “Robert Shuman flet për arritje konkrete dhe kjo më sjell ndër mend arritjet konkrete që duhet të bëjë Shqipëria si kusht për integrimin e saj në BE. Robert Shuman flet për eliminimin e konfliktit mes armiqve të vjetër edhe kjo përmban kuptim për zgjidhjen e konflikteve të brendshme të Shqipërisë. Jo më kot Këshilli i Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së, që u zhvillua dje, theksoi rëndësinë e një dialogu politik konstruktiv ndërmjet aktorëve dhe partive politike më të mëdha në vend”, - tha Lohan. Por Rama nuk arriti ta dëgjonte mesazhin e ambasadorit Lohan.
Bashkimi
Ata që e dëgjuan këtë mesazh ishin tre drejtuesit e vendit; presidenti Topi, kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Topalli, të cilët jo rrallëherë kanë shfaqur elemente konflikti mes tyre. Por, në këtë ceremoni që të tre janë bashkuar, kanë qëndruar pranë dhe madje kanë trokitur gotat e pijes. E gjithë dollia e ngritur mes tre drejtuesve kryesorë të vendit dhe ambasadorit Lohan ka ndodhur vetëm pak metra larg çadrave të grevistëve të PS-së, të cilët kërkojnë transparencën e procesit zgjedhor, një shtet ligjor e demokratik dhe funksionimin e pavarur të institucioneve të Drejtësisë.

Withers e Montobio bisedojnë veçmas

Pas largimit të kryesocialistit Rama, ambasadori amerikan, John Withers, është ulur në tavolinë bashkë me ambasadorin e Spanjës, vendi i të cilin mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, Manuel Montobio. Të dy ambasadorët kanë qëndruar për disa minuta bashkë në shoqërinë e njëri-tjetrit duke biseduar, ndoshta për situatën politike në Shqipëri dhe gjetjen e rrugëve për arritjen e një marrëveshjeje konsensuale. Në korridoret e politikës flitej për organizimin nga dy ambasadorët, Withers dhe Montobio, të takimeve të veçanta me dy aktorët kryesorë të politikës shqiptare, me Ramën dhe Berishën. Por ende nuk është përcaktuar zyrtarisht se kur do të zhvillohen këto takime të rëndësishme për gjetjen e rrugës për arritjen e një marrëveshjeje konsensuale.

Dy ish-presidentët, Moisiu e Meidani, kërkojnë dialog për krizën

Thirrjes për dialog i janë bashkangjitur dje dhe ish-presidentët Alfred Moisiu e Rexhep Meidani. Sipas Alfred Moisiut, pasardhësi i tij, Topi, nuk mund të bëjë më shumë se kaq për t’i detyruar palët të dialogojnë. “Ne jemi një republikë parlamentare dhe Presidenti ka mundësinë për t’i ftuar, por tango kërcehet dyshe. Pra duhet të ketë dëshirën dhe vullnetin e palëve të tjera”, - tha Moisiu. Ndërsa për ish-presidentin Meidani gjetja e dialogut mbetet domosdoshmëri. “Ndaj dhimbjen dhe vuajtjen me grevistët, por, nga ana tjetër, nxis dialogun, kontaktin midis drejtuesve politikë për të arritur në mbylljen e kësaj greve dhe njëkohësisht për të stabilizuar institucionet politike në Shqipëri, për të stabilizuar jetën parlamentare”, - tha Meidani.

13 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›