Lënë grevën 26 grevistë, deputeti Besnik Bare u rikthehet çadrave
Numri i grevistëve që kanë lënë grevën për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore ka arritur në 26 deri në ditën e 12-të. Deputeti Besnik Bare, i cili la grevën dy ditë më parë, u është rikthyer përsëri çadrave përpara Kryeministrisë. Të ngujuarit në çadrat përpara Kryeministrisë gjenden përballë një sakrifice sublime për t’i dhënë zgjidhje kauzës, por më problematike paraqitet gjendja e atyre grevistëve që vuajnë nga diabeti. Grevistët që konsumojnë vetëm ujë po përballen me probleme shëndetësore si luhatje tensioni, komplikacione në stomak, dhimbje muskulore etj. Afrim Syla, 38-vjeçari nga Kukësi, ka lënë pak minuta para mesnatës së djeshme ambientet e çadrës së grevës së urisë para Kryeministrisë. Në mesnatë mjekët kanë konstatuar se 38-vjeçari nuk mund të rezistonte më në grevë, ndaj kanë rekomanduar dërgimin e tij drejt Spitalit Infektiv. Në momentet që autoambulanca i është afruar çadrës për transportimin e Afrim Sylës drejt spitalit, në sheshin para Kryeministrisë ka qenë i pranishëm edhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, deputetët Gramoz Ruçi, Namik Dokle dhe Eduard Shalsi.
Astrit Sefekolli, 50-vjeçari nga Korça, ka lënë grevën pasditen e djeshme, pas rëndimit të gjendjes shëndetësore dhe komplikimeve në stomak. Mësohet gjithashtu që 50-vjeçari vuante edhe nga tensioni, probleme këto që e kanë detyruar stafin mjekësor pranë grevës ta nisë atë urgjentisht drejt Qendrës Spitalore Universitare për të marrë ndihmën e parë.
Deputeti Blendi Klosi, një prej grevistëve që vuan nga diabeti, ka refuzuar të largohet nga greva dhe ka shprehur dëshirën për të çuar përpara kauzën e opozitës. Sipas mjekëve, për personat që vuajnë nga diabeti greva është dyfish më rrezikshme, pasi ata mund të bien në koma të tipave të ndryshëm. Sipas mjekëve, gjendja e personave që vuajnë nga kjo sëmundje do të rëndohet më shumë dhe do të vijë një moment që ata do të bien në koma hipoglicemike nga ulja e madhe e sheqerit dhe gjendja do të jetë shumë e rëndë alarmante. Ndërkaq, grevistët mund t’i mbijetojnë grevës së urisë vetëm duke konsumuar ujë deri në 30 ditë. Siç është bërë e ditur edhe nga endokrinologu Feçor Agaçi, me kalimin e ditëve fillojnë të shkatërrohen organet, të shfaqen simptoma nga më të ndryshmet dhe në fund shkatërrohet edhe sistemi nervor.
13 Maj 2010