E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Shtetit: Nuk përdorëm gaz lotsjellës



TIRANË – Policia e Shtetit ka mohuar akuzuat për përdorimin e gazit lotsjellësi në protestat e Partisë Socialiste në rrethe, ndërsa ka kërkuar që të mos bllokohen rrugët pasi do të ndëshkohen sipas ligjit. Përmes një deklarate të shpërndarë ditën e djeshme, “në asnjë rast strukturat e policisë nuk kanë përdorur gaz lotsjellës, si dhe mjete speciale ndaj pjesëmarrësve në tubim dhe veprimet e kryera nga punonjësit e policisë kanë qenë në respekt të plotë të ligjit”. Sipas saj, gjatë ditës së mërkurë, “një numër i kufizuar i qytetarëve, kanë tentuar të bllokojnë aksin rrugor nacional Korçë-Pogradec, te kthesa e Çërravës, duke arritur pengimin e kalimit të mjeteve vetëm disa fragmente të shkurtra kohore. Po ashtu, kanë bllokuar pjesërisht për rreth 10 minuta aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër. Policia e Shtetit thotë se ka vepruar konform ligjit. Në të dyja rastet ka marrë masa për të garantuar sigurinë publike, normalizuar trafikun dhe për të shmangur incidentet e mundshme.
“Sqarojmë opinionin publik se në asnjë rast strukturat e Policisë nuk kanë përdorur gaz lotsjellës apo mjete speciale ndaj pjesëmarrësve në tubim. Veprimet e kryera nga punonjësit e Policisë kanë qenë në respekt të plotë të ligjit”, - thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.
“Policia e Shtetit sërish u bën thirrje qytetarëve për mos bllokimin e akseve rrugore, pasi pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit përbën vepër penale dhe sipas nenit 293 të Kodit Penal, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 3 vjet”, - thekson deklarata. Sipas saj, strukturat policore po punojnë për identifikimin dhe shoqërimin e organizatorëve të këtyre veprime dhe materialet procedurale për çdo rast do t’i referohen Prokurorisë. Edhe dy ditë më parë policia bëri thirrje për të mos bllokuar akset rrugore kombëtare, duke paralajmëruar ndëshkim për të gjithë protestuesit.

QËNDRIMI
Veprimet e policisë nuk kanë të bëjë me misionin e saj

Kryesocialisti Rama reagoi sërish dje në lidhje me incidentet e ndodhura gjatë protestave të opozitës, të zhvilluara në rrethe, duke theksuar se “veprimet, si ato që kanë ndodhur sot, nuk kanë asgjë të përbashkët me detyrën kushtetuese dhe ligjore të Policisë së Shtetit”. Ashtu si dhe dy ditë më parë, Rama përsëriti apelin ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit, sipas të cilit, ajo duhet të jenë në krye të detyrës ndaj qytetarëve dhe qytetarëve të këtij vendi.
“Qytetarët nuk kanë dalë për të mbyllur rrugën e qytetarëve të tjerë, por për të hapur rrugën e përbashkët të demokracisë, të zhvillimit dhe të mirëqenies”, - tha kryetari i PS-së.
Në protestën e së martës pasdite, për herë të parë Rama lëshoi apel ndaj strukturave të Policisë së Shtetit, duke iu kërkuar që të respektojnë detyrat konform ligjit. Po ashtu, ai lëshoi mesazh edhe për mbështetësit e opozitës, duke u kërkuar që të mos u preket asnjë fije floku forcave të policisë.

Fidel Ylli: “Protesta dhe bllokim rrugës në të gjithë vendin”

TIRANË - Deputeti socialist, Fidel Ylli, deklaroi se PS-ja nuk ndalet së luftuari deri në fund për transparencën e zgjedhjeve dhe paralajmëron përshkallëzim të mëtejshëm të protestave. “Nuk lodhemi nga kauza, do ta çojmë deri në fund, me metoda demokratike, pa dhunë. Nëse dje (të martën) kemi bllokuar akset nacionale për 30 minuta, në ditët në vazhdim do të bllokojmë akset për 2 orë... 4 orë deri dhe me ditë të tëra..., për t’i treguar pushtetit që duhet të ulet me opozitën, pasi kjo qeveri do të jetë përgjegjëse për pengimin e integrimit. Nuk është opozita që po pengon integrimin, por qeveria”, - tha Ylli.

13 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›