Kreu i Transparency International: “Duhet bashkëpunim për të luftuar korrupsionin”
Drejtori Ekzekutiv i Transparency International, Miklos Marshall, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën për luftën kundër korrupsionit, vlerësoi se korrupsioni në Shqipëri kërkon një luftë dhe angazhim të përbashkët të klasës politike, të institucioneve si dhe nga shoqëria civile. Drejtori Ekzekutiv theksoi se vërejti se qeveria po tregohet e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, fenomen që sipas tij është evident në të gjitha vendet postkomuniste. “Unë ju kuptoj shumë mirë, e kuptoj situatën e Shqipërisë si një vend postkomunist sepse vij vetë nga një vend i tillë”. Për Marshall janë 3 komponentët që luftojnë në rrënjë korrupsionin dhe që ai shpreson se do të japë efektet e duhura në Shqipëri. “Së pari duhet të ekzistojë një vullnet politik, d.m.th. udhëheqja politike duhet të jetë e angazhuar në luftën kundër korrupsionit. Së dyti, nevojat për luftën kundër korrupsionit vazhdohen paralelisht me reformat e tjera në fushat ekonomike etj. Dhe këtu theksoj që institucionet duhet të punojnë së bashku, pasi në rast të kundërt zhvillohet korrupsion. Së treti, dhe pika më themelore për mendimin tim, nevojitet një shoqëri e fortë civile, e cila duhet të bëjë trysni që të marrë përsipër angazhime të tilla”, - theksoi Marshall. Lidhur me pyetjen se "a është bërë punë me luftën kundër korrupsionit në Shqipëri?", drejtori Ekzekutiv i TI theksoi se në vendin tonë, pavarësisht konflikteve të nxehta politike, udhëheqja politike ka shprehur angazhimin në luftën kundër korrupsionit. “Më ka bërë përshtypje paketa e përgatitur nga qeveria kundër korrupsionit. Këta janë tregues se është bërë përparim në luftën kundër korrupsionit. Shoh që mund të bëhet më shumë, janë disa reforma, në disa sektorë publikë, por gjithsesi është dëshmuar që këtu luftohet korrupsioni”, - u shpreh Marhall.
Nga ana e tij, në këtë konferencë të përbashkët për shtyp, kryeministri Sali Berisha tha se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për aktivizimin e shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit. “Ne kemi përcaktuar një fond për shoqërinë civile, që ajo të qëndrojë e ashpër dhe transparente kundër korrupsionit në sektorin publik”, - vuri në dukje Berisha. Në vazhdim të fjalës së tij, kryeministri Sali Berisha e konsideroi korrupsionin si armikun më të egër të të gjitha lirive.
Reagimi/ Braçe: “Presidenti, larg negociatave, i angazhuar për një javë të ngjeshur sportive”
Negociatat e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për zgjidhjen e krizës politike, deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe nuk i sheh me optimizëm. Braçe ironizoi se këtë javë presidenti do të jetë i angazhuar me pasionin e tij, futbollin. “Do të doja ta linim rehat Presidentin e Republikës, pasi duke filluar nga sot, kur është finalja e Europa Ligue dhe deri në fundjavë, është një javë shumë e ngarkuar sportive dhe presidenti duhet të jetë i ngarkuar maksimalisht”, - tha Braçe. Deputeti Braçe iu kundërpërgjigj edhe deklaratës së kryeministrit, Sali Berisha dy ditë më parë. “Personazhet Don Kishot dhe Sanço Panço duhet t’i gjejë brenda qeverisë së tij, që përfaqëson ai apo zv.kryeministri i tij”, - u shpreh Braçe. Ai ka reaguar edhe ndaj shoqërimeve në polici të protestuesve të Partisë Socialiste, të cilët, gjatë ditës së djeshme bllokuan akset nacionale në mbështetje të grevistëve në kauzën për transparencën e zgjedhjeve. Braçe tha se gjuha e komunikimit për dialog dhe oferta është shndërruar në gjuhë dhune mes protestuesve paqësorë dhe policisë. “Ne nuk do t’i lejojmë të qëndrojnë më asnjë orë njerëzit tanë nëpër birucat e policisë”, - theksoi Braçe.
13 Maj 2010