Luan Rama: “Bashkëpunim për t’i dhënë zgjidhje grevës”
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Luan Rama, e ka ftuar Partinë Socialiste për një bashkëpunim politik për t’i dhënë një zgjidhje grevës së urisë, e cila ka arritur në ditën e saj të 12-të. Luan Rama ka theksuar se kjo çështje duhet të marrë një zgjidhje për një kauzë më të madhe, siç është ajo e Shqipërisë europiane. Ndërkohë që nuk ka hezituar të shprehë keqardhjen për sakrificën e grevistëve dhe t’i kërkojë Ramës të mos vërë në rrezik shëndetin e tyre. “Me përgjegjësi qytetare, Lëvizja Socialiste për Integrim e bën edhe njëherë publik apelin e vet për t’i ftuar palët në dialog politik, për të inkurajuar çdo iniciativë që i shërben zgjidhjes politike në respekt të Kushtetutës, institucioneve, të garantimit të transparencës dhe të zgjidhjeve normale në një shtet europian, që kur palët kanë konflikt i drejtohen gjykatës dhe, nga ana tjetër, garanton se do të bëjë maksimumin dhe do të jap çdo kontribut të saj në të mirë të zgjidhjes së çdo dialogu politik, në respekt të institucioneve të vendit”, - është shprehur Rama.
Berisha, gazetarëve: “Mos hyni në grevë se s’kam kujt t’i flas”
Në përfundim të ceremonisë së organizuar dje me rastin e 9 majit, Ditës së Europës, kryeministri Berisha, pasi e cilësoi 9 majin si ditën e idealit fisnik të qytetarëve të Europës, gjeti pak çaste të bënte humor me gazetarët duke iu referuar edhe situatës politike në vend. I ndodhur vetëm pak metra larg çadrave të grevistëve të PS-së, Berisha u tha dje gazetarëve që mos futen në grevë urie pasi nuk ka me kë të flasë pastaj. Ndërsa përsa i përket ditës së 9 majit, Berisha tha se “kjo është dita e idealit më fisnik të qytetarëve të Europës, e idealit të paqes, idealit të bashkëpunimit, idealit të prosperitetit e idealit të së ardhmes. Është një kënaqësi shumë e madhe për mua që ky ideal është i përqafuar nga ky komb me përqindjen më të madhe se nga çdo komb tjetër, çka përbën një forcë të madhe, të jashtëzakonshme, shtytëse përpara për Shqipërinë drejt BE-së”,- është shprehur Berisha.
13 Maj 2010