E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori Danilovich vlerëson reformat e qeverisë kundër korrupsionit

Në vijim të takimeve në New York, ku ndodhet për të marrë pjesë në sesionin e 62-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Berisha u takua me Ambasadorin John Danilovich, Drejtor Ekzekutiv i Llogarisë së Korporatës së Mijëvjeçarit.

Ambasadori Danilovich u shpreh se progresi i arritur në vend është i shkëlqyer. Ai vlerësoi përpjekjet maksimale të qeverisë në uljen e korrupsionit dhe arritjen e standardeve perëndimore, duke siguruar për vazhdimin e bashkëpunimit e mëtejshëm me qeverinë shqiptare. “Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në mënyrë që të forcojmë bazat e këtyre reformave dhe të vazhdojmë partneritetin tone,” u shpreh ambasadori Danilovich.

Kryeministri Berisha shprehu falënderimet për ndihmën e madhe dhe të çmuar në reduktimin e korrupsionit me ane të krijimit të “One stop shop” (QKR). “Kjo arritje, - tha Kryeministri - mundëson uljen e burokracisë dhe kontaktet e drejtpërdrejta midis zyrtarëve dhe klientit që do mundësonte shkëmbime korruptive.” Kryeministri tha se qeveria shqiptare do ta përshkallëzojë këtë hap me krijimin e “One stop shop” për licencat dhe lejet e biznesit në mënyrë që të përmirësojmë praktikat në Shqipëri. “Ekonomia po ecën mirë, me rritje 6 për qind, kemi ulur barrën fiskale deri në pikën që jemi vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë, kemi krijuar një task forcë për krimin ekonomik, po mundohemi të krijojmë të gjitha kushtet që biznesi në Shqipëri të ketë lehtësira dhe t'i mundësojmë zhvillimin e aktivitetit me sa më pak burokraci dhe korrupsion,”  u shpreh Kryeministri.

Duke u ndalur në iniciativën “Shqipëria, një euro”, Kryeministri e vlerësoi këtë nismë një shtysë të madhe për investimet në vend.

Kryeministri e njohu ambasadorin Danilovich me reformën në drejtësi, duke theksuar se drejtësia po shkon drejt reformave të thella nën drejtimin e Presidentit Topi.

 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›