E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet në SHBA me Kryeministrin e Kuvajtit Sheikh Nasser Mohamed Al – Ahmed Al - Sabah

Kryeministri Berisha u takua sot, gjatë vizitës në SHBA, me Kryeministrin e Kuvajtit, Sheikh Nasser Mohamed Al – Ahmed  Al - Sabah. Të dy kryeministrat shprehën kënaqësinë për takimin mes tyre dhe vlerësuan marëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Kryeministri Berisha dhe Kryeministri kuvajtian ftuan njëri - tjetrin për të vizituar vendet respektive,  Shqipërinë dhe Kuvajtin, ftesa që u pranuan me kënaqësi nga të dy palët.

Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin e Kuvajtit me zhvillimet në Shqipëri dhe klimën pozitive të krijuar për investimet në vend, duke i konsideruar mjaft të rëndësishme investimet e huaja. Ai vlerësoi prezencën e një prej kompanive më të mëdha të Kuvajtit, Al Karaf,  në Shqipëri.  Shqipëria, tha Kryeministri Berisha, është shndërruar në një vend atraktiv për investimet e huaja dhe mirëpret çdo investitor. Kryeministri theksoi se fokusi i qeverisë për zhvillimin e vendit është në sektorin e energjisë dhe atë të infrastrukturës.  

Në takim, të dy kryeministrat u ndalën edhe në çështjen e Kosovës. Kryeministri Berisha tha se 120 ditët e bisedimeve shtesë mes Prishtinës dhe Beogradit, për statusin final të Kosovës janë faza finale. Rusia po bllokon këtë proces dhe nuk dihet për çfarë arsyesje, për shkak të arsyeve të saj  imperiale, apo për arsyen se nuk i sheh me sy të mirë shqiptarët.

Kryeministri i Kuvajtit,  Sheikh Nasser Mohamed Al – Ahmed  Al – Sabah, u shpreh se Kosova është  një çështje e një rëndësie shumë të madhe. Serbia është përgjegjëse, tha ai, për të gjitha vuajtjet e kosovarëve dhe për shkeljen e të drejtave të njeriut nga ana e saj. Për këtë arsye, vijoi Sheikh Nasser Mohamed Al – Ahmed  Al – Sabah,  Serbia nuk ka të drejtë morale të qeverisë Kosovën. E vetmja gjë e natyrshme për kosovarët është vetvendosja.  Kryeministri kuvajtian tha se Kuvajti komunikon me Serbinë për të qetësuar ankthet e tyre, ndërkohë që Rusia  duhet ta shohë me urtësi zgjedhjen e opsionit të pavarësisë  për Kosovën, si zgjidhja e duhur si për shqiptarët edhe për serbët.

. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›