E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha vlerëson rolin e USAID-it në suksesin e reformave

Kryeministri Berisha u takua dje, në New Jork, me Henrietta Fore, Nënsekretare e ShBA-ve për Menaxhimin, Administratore e përkohshme e USAID-it dhe e Ndihmës së Huaj.

Znj. Fore vlerësoi përpjekjet e qeverisë shqiptare për reformat dhe bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve. Ajo u interesua për fushat në të cilat mund të zgjerohet bashkëpunimi midis dy qeverive dhe shprehu gatishmërinë e saj për të punuar në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha falënderoi znj. Fore për ndihmën e çmuar që USAID dhe qeveria amerikane kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë. “Me ndihmën tuaj, - tha Kryeministri, - ne realizuam “One stop shop”, i cili është një armë e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit.”

Z. Berisha e njohu znj. Fore me disa nga hapat e mëtejshëm që po ndërmerr qeveria si “One stop shop” për licencat dhe lejet e biznesit në mënyrë që të luftojmë korrupsionin. “Korrupsioni është si kanceri dhe duhet të luftohet në vazhdimësi dhe me vullnet të palëkundur. Ne reduktuam shpenzimet operative, nxorëm administratën nga konflikti i interesit, po luftojmë informalitetin dhe po arrijmë rezultate në këto fusha. Mirëpresim çdo sugjerim tuajin në fusha të ndryshme për përmirësimin e rezultatit të përpjekjeve tona,” u shpreh Kryeministri.

Duke u ndalur në reformën në drejtësi, Kryeministri Berisha theksoi se kjo reformë është e domosdoshme dhe tanimë me presidentin e ri ekziston një vullnet i ri për të arritur rezultate të ndjeshme edhe në  këtë fushë deri tani problematike. Gjithashtu Kryeministri theksoi edhe vullnetin e palëkundur të qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, e cila, u shpreh Kryeministri,  do të vazhdojë dhe do të përshkallëzohet me reformën në drejtësi.

Gjatë bisedës me znj. Fore, Kryeministri Berisha u përqendrua edhe në nevojën  për vazhdimin e reformës në arsim si prioritet madhor i qeverisë. “Shqipëria mirëpret çdo ndihmesë dhe qeveria është e gatshme të rrisë investimet në arsim si shtyllë themelore e programit të saj,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu ndihmën që USAID-i i jep fermerëve shqiptarë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›