E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Dell: “Zgjedhje historike për të ardhmen tuaj”

Autori i Lajmit: Redaksia
PRISHTINE – Kristofer Dell, ambasadori amerikan në Prishtinë, u ka bërë thirrje kosovarëve që të përmbahen nga veprimet e dhunshme, në mënyrë që të mos njollosin emrin e Kosovës. “U kemi kërkuar liderëve që t’i dënojnë këto që kanë ndodhur, u kemi kërkuar përkrahësve të tyre që të përmbahen nga këto veprime, sepse këto gjëra vetëm se do të njollosin emrin e Kosovës”, - tha ambasadori amerikan. Gjatë një konference të ENEMO-s, organizata evropiane që do të vëzhgojë zgjedhjet në Kosovë, Dell u ka thënë vëzhguesve evropianë se roli i tyre në ditën e zgjedhjeve do të jetë thelbësor. “Po qarkullojnë thashetheme për manipulime. Duhet të jeni të vetëdijshëm se këtu jemi në Ballkan. Mentaliteti konspirativ është i fuqishëm, është vështirë të vërtetohet se akuzat nuk qëndrojnë. Roli juaj si vëzhgues nga jashtë është thelbësor, sepse njerëzit këtu i konsiderojnë të huajt më objektivë, më korrektë, raportues më të besueshëm për çështjet e brendshme”, - ka thënë Dell. “E tërë bota po shikon tani. Mënyra se si do të sillet ky shtet në 48 orët e ardhshme, do të jetë thelbësore për reputacionin tuaj në plan afatgjatë. “Është përgjegjësi e liderëve të të gjitha formacioneve politike në pushtet e në opozitë që të vënë interesin e Kosovës mbi interesin e ngushtë të partive, apo mbi ndjenjat e tyre”. Përmbajtja është e rëndësishme”, - ka thënë Dell pas raportimeve për incidentin e fundit në Mitrovicë, ku u sulmua me armë zjarri kandidati për kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Hysni Ahmeti, si dhe pas incidentit në Deçan, ku u gjuajt me gurë eskorta e kryeministrit Thaçi. Tri subjekte politike, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Ora, kanë denoncuar një ditë më parë përzgjedhjen e dyshimtë të kompanive që do të bartin materialet zgjedhore. Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, u ka kërkuar vëzhguesve që të jenë vigjilentë në ditën e zgjedhjeve. “Duhet thënë se abuzimet mund të ndodhin vetëm pasi të fillojnë votimet, kur njerëzit fillojnë të hedhin votat e tyre. Prandaj, prania juaj në qendrat e votimit është mbrojtje kundër manipulimit”. “Ju kërkojmë që të jeni të vëmendshëm se ç’po ndodh me votat dhe kutitë kur të numërohen dhe transportohen në komuna, në mënyrë që të jemi të sigurt dhe shpresojmë se këto zgjedhje do të arrijnë standardet ndërkombëtare”, - ka thënë Feith. Në anën tjetër, kreu i misionit ENEMO, Darko Aleksov, ka thënë se 108 vëzhgues do të jenë të pranishëm në 36 komuna në ditën e zgjedhjeve. “Do të jemi të pranishëm sa më shumë që të jetë e mundur. Do të dërgojmë 54 ekipe me nga dy persona. Pra, 108 do të dërgohen në 6 rajone”, - ka thënë Aleksov. Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, përveçse do të monitorohen nga vëzhgues ndërkombëtarë, ato do të vëzhgohen gjithashtu edhe nga 2,400 vëzhgues të koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim”.

Thaçi

“Do ta kalojmë provimin e demokracisë”

Kryeministri Hashim Thaçi shprehu besimin se Kosova do ta kalojë me sukses procesin e zgjedhjeve të para në pavarësi, gjë të cilën ai e ka quajtur provim të rëndësishëm të demokracisë. Duke folur në hapje të mbledhjes së rregullt të Qeverisë, Thaçi ka përgëzuar gjithë qytetarët e Kosovës për procesin, sipas tij, të suksesshëm elektoral. “Dëshiroj të falënderoj të gjithë qytetarët dhe subjektet politike të Kosovës për pjesëmarrje aktive dhe dinamike në fushatën elektorale. Kam besim të plotë se Kosova dhe qytetarët e saj do të japin këtë provim të rëndësishëm të demokracisë”, - theksoi kryeministri Thaçi.
Sejdiu apel qytetarëve të dalin në zgjedhje
Presidenti Fatmir Sejdiu u është drejtuar të premten qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke kërkuar prej tyre të dalin në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në mënyrë masive, dhe të përcaktojnë vetë se kush do t’u prijë në qytetet e tyre gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Sejdiu i ka falënderuar njëkohësisht qytetarët për kulturën e treguar gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa i ka vlerësuar këto zgjedhje si një test të madh të demokracisë e Kosovës. “Dua t’ju falënderoj për kulturën dhe qytetarinë që keni treguar gjatë muajit të fushatës së parë parazgjedhore që pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Po kështu, ju shpreh mirënjohjen time edhe partive politike dhe kandidatëve të pavarur për kryetarë dhe të këshilltarë komunalë, të cilët zhvilluan një garë dinamike dhe korrekte. Ndonjë incident sporadik që ka ndodhur ditëve të fundit, kurrsesi, nuk e zbeh përshtypjen e mirë që është krijuar tashmë për ecurinë e deritanishme të kësaj fushate”, - thuhet në mesazhin e presidentit Sejdiu. Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, sipas kreut të Shtetit, janë një test i madh i demokracisë për të gjithë ne, “ndaj ju thërras sërish që këtë të diel, në mënyrë masive, të dilni në vendvotime dhe të përcaktoni vetë se kush do t’ju prijë në qytetet tuaja gjatë katër vjetëve të ardhshëm”. Mosdalja në zgjedhje, sipas presidentit Sejdiu, automatikisht na e heq të drejtën e kërkimit të llogaridhënies nga ata që do të marrin mandatin për të qeverisur komunat tona, andaj ai i ftoi qytetarët të marrin pjesë aktive në këtë proces të rëndësishëm dhe me anë të votës së lirë të japin kontribut të drejtpërdrejtë për mënyrën dhe cilësinë e qeverisjes në komunën e tyre.
Ky lajm është publikuar: 14/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›