E Diel, 1 Nëntor 2026

Krizë në Partinë Komuniste Italiane, mbrapa komunistët shqiptarë

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Romë, 8 tetor 1966 – Partia Komuniste Italiane është goditur këto javët e fundit nga një sulm i shumëfishuar nga grupet disidente prokineze. Disidentët thuhet se janë nxitur nga zyra tregtare e Pekinit në Bernë të Zvicrës dhe nga përfaqësia diplomatike shqiptare në Romë. Ky fenomen reflekton paaftësinë e komunistëve italianë për të mbrojtur krahun e tyre të majtë, në një kohë që krahu i tyre i djathtë ishte i ekspozuar dhe i dobësuar nga ribashkimi kërcënues i socialistëve dhe socialdemokratëve në qeverinë e koalicionit të qendrës së majtë të kryeministrit Aldo Moro.

Thellohen rivalitetet

Problemet e shfaqura nga ky kërcënim i dyfishtë kanë thelluar rivalitetet mes udhëheqësve më të mëdhenj të komunistëve italianë. Ato kanë zvogëluar në minimum efektivitetin e partisë dhe mund edhe të rrezikojnë unitetin e saj. Një grup ish-udhëheqjeje nga Partia Komuniste lëshoi një deklaratë në Romë, ku qortonin mungesën e demokracisë dhe lirisë brenda radhëve të partisë dhe lëvizën për t’iu bashkuar socialistëve, - raportoi Associated Press. Deklarata denoncoi “krizën e thellë politike dhe ideologjike, e cila torturon shumë prej anëtarëve të Partisë Komuniste, të cilën udhëheqësit e partisë po përpiqen ta kalojnë. Deklarata u bëri thirrje anëtarëve të partisë që t’u bashkoheshin socialistëve.

Izolohen shumë shpejt

Grupet disidente prokineze fillimisht u shfaqën në veri të Italisë 3 vjet më parë. Por ato u izoluan me shpejtësi nga përpjekjet e udhëheqësit të ndjerë të Partisë Komuniste, Palmiro Toljati, për t’i dhënë besnikëri të vërtetë linjës sovjetike dhe duke kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme çdo çarje me komunistët kinezë. Tani, sidoqoftë, “revolucioni kulturor” aktual në Kinë nuk i ka lënë zgjedhje udhëheqjes së Partisë, por t’u bashkohet kundërsulmeve të Moskës ndaj Pekinit. Kjo ka sjellë më shumë hapësirë dhe mbështetje për prokinezët, të cilët janë shfaqur në shumë zona të Italisë. Shumica e grupeve prokineze kanë planifikuar që të zhvillojnë një takim në Leghorn, në vendin ku u themelua Partia Komuniste Italiane 45 vjet më parë, për të organizuar një Parti Komuniste Italiane në shkallë vendi (marksiste-leniniste). Kjo mbledhje do t’i dedikohet luftës kundër tendencave “revizioniste dhe borgjeze” në udhëheqjen komuniste italiane. Por shqetësimi kryesor për udhëheqjen e partisë për momentin vjen nga Jugu. Muajin e kaluar, Mikele Semeraro, një përfaqësues ish-komunist në parlamentin rajonal të Siçilisë, krijoi “Unionin Siçilian të Komunistëve Marksistë-Leninistë”. Në Kalabri, senatori Luka de Luka dhe të tjerë komunistë lokalë u ndanë gjithashtu nga partia dhe u bashkuan për të krijuar “Partinë Italiane Autonome Komuniste”. Si De Luka ashtu edhe Semeraro akuzojnë udhëheqjen e partisë për shtypjen aktuale të demokracisë së brendshme brenda partisë, dhe në të njëjtën kohë, nuk arrijnë të orientojnë një rrugë revolucionare të qartë. Akuza më e fundit sulmon rrugën përgjegjëse mes atyre që ende varfërojnë jugorët, të cilët përqafuan komunizmin në fund të Luftës së Dytë Botërore me shpresën se ajo do të sillte përmbysjen sociale dhe ekonomike të vendit. Sidoqoftë, akoma më i rëndësishëm është fakti se për shkak të aleancës së ardhshme mes socialistëve dhe kristiandemokratëve të Moros, Partia Komuniste do të privohet qoftë dhe nga një pjesëmarrje në qeveri. Dhe në jugun e Italisë, më shumë se kudo tjetër, ka një prirje tradicionale për t’u mbledhur rreth grupeve politike që kanë fuqi dhe mund të ofrojnë përkrahje. Kjo është arsyeja kryesore përse në zgjedhjet administrative të qershorit të kaluar disa votues komuniste në jug u kthyen tek socialdemokratët dhe shumë më tepër u kthyen tek socialistët. Kjo prirje duket se ka gjasa që të kapë çastin e duhur nëse socialistët përdorin fuqinë e tyre të re në qeveri për të promovuar zhvillim social dhe ekonomik.

Prishja me Toljatin

Katër vjet më parë (9 nëntor 1962) Shqipëria denoncoi direkt udhëheqësin e Partisë Komuniste Italiane si shkaktar të konfliktit që po ndan botën ndërkombëtare të komunizmit, i cili kishte marrë përmasa më të mëdha në luftën e ndërlikuar të brendshme që ka përfshirë Kremlinin, Shqipërinë, Italinë dhe Fidel Kastron. Protagonistët kryesorë ishin: Sekretari i Parë i Partisë Komuniste Sovjetike, Nikita Hrushov dhe ai i Partisë Komuniste Kineze, Mao Ce Dun, që tanimë janë më larg se kurrë në luftën ideologjike që ka ndarë prej vitesh dy gjigantët komunistë. Në qendër të debatit është politika e “bashkëjetesës paqësore” e Hrushovit, që kundërshton teoritë e Maos se lufta ndërmjet komunizmit dhe kapitalizmit jo vetëm që është e paevitueshme, por ekziston dhe besimi se fuqia numerike e Kinës do të dalë fituese. Radio Pekini nisi javën e dytë të asaj që në pamje të jashtme njihet si fushata “Urreni Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, por që përfshin dhe luftën e ashpër ndaj Bashkimit Sovjetik, për vendimin e Hrushovit për të tërhequr raketat nga Kuba dhe për t’i montuar ato në një Mynih të ri. Shqipëria, e cila u rreshtua në krah të Kinës në lidhje me këtë debat, i hodhi më shumë benzinë zjarrit me një fjalim të transmetuar nga Radio Tirana të udhëheqësit kryesor të Byrosë Politike të Tiranës, Hysni Kapo, i cili sulmoi Hrushovin, Presidentin jugosllav, Josif Broz Titon, dhe udhëheqësin e Partisë Komuniste Italiane, Palmiro Toljati, për sjelljen e tyre “antimarksiste”. Një muaj më parë, gazeta qeveritare “Zëri i popullit” shkruante: “Grupi tradhtar i Nikita Hrushovit është përfshirë si në të shkuarën ashtu edhe në të tashmen në komplote dashakeqe dhe sulme në dëm të Partisë Komuniste Shqiptare. Megjithatë, Shqipëria nuk është izoluar ashtu siç do të dëshironin disa nga armiqtë tanë. Përkundrazi, sot ajo ka më shumë miq dhe aleatë që luftojnë për kauzën e marksizëm-leninizmit. Bllokada e vendosur nga Hrushovi për Republikën Popullore të Shqipërisë, u bë pluhur e hi si një kështjellë letre”. Vëzhguesit e këtushëm thanë se fjalimi i Kapos, bërë dy ditë më parë, së pari u duk sikur donte të thoshte se shqiptarët stalinistë i kishin zgjeruar objektivat e tyre mes vendeve të bllokut komunist. Dhe së dyti, donte të thoshte se edhe udhëheqës të tjerë komunistë, pavarësisht gjeografisë, mund të ishin objektiv sulmesh të ashpra nga Tirana zyrtare. Vëzhguesit nga Vjena thanë gjithashtu se fjalimi i Kapos ishte një tjetër goditje për debatin e ndërlikuar të brendshëm mes Moskës dhe Pekinit, por me sa duket, komunistët kinezë ishin duke i përdorur shqiptarët si një lloj pararoje në grindjen Hrushov-Mao Ce Dun. Kapo tha se Toljati, partia e të cilit është dhe partia e dytë më e madhe në Itali, është kokë e këmbë brenda politikës hrushoviane dhe se komunistët italianë zbatojnë me përulje atë çka Sekretari i Partisë Komuniste Sovjetike dikton nga Moska. Ai shtoi se Hrushovi po çonte drejt një jete “antimarksiste” dhe ... po luftonte kundër “marksizëm-leninizmit”. Kapoja tha se bashkëpunimi i Hrushovit me Titon, është një “rrezik për të gjithë kampin socialist” dhe se Titoja kishte nxitur mospajtimet ndërmjet Kinës Komuniste dhe Bashkimit Sovjetik.
Ky lajm është publikuar: 14/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›