E Diel, 1 Nëntor 2026

Unioni, s’ka zjedhje në KLD pa ligjin

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Anëtarët e Shoqatës së Gjyqtarëve nuk pranojnë zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë pa miratimin e ligjit. Një zgjedhje e tillë, jo vetëm që nuk është legjitime, por këtë zgjedhje e rrëzon edhe ligji për KLD-në. Ndërkohë juristët i bëjnë thirrje politikës të qëndrojë larg çështjes për Konferencën Gjyqësore, pasi ky është një debat juridik dhe zgjidhet vetëm me ligj. Juristi i Shoqatës së Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, Klodian Rado, këmbëngul që, në rast se konferenca gjyqësore do të mblidhet pa kaluar projekligji në Parlament, do të ketë shkelje të Kushtetutës. Sipas Rados, për këtë çështje nuk ka ndarje të gjyqtarëve në dy grupe, por interpretime të ndryshme që mbyllen vetëm me një rrugë: pritjen e gjyqësorit derisa Parlamenti të votojë projektligjin e Konferencës Gjyqësore. “Do të ishte antikushtetues një organ që do të funksiononte pa ekzistencën e një ligji”,- u shpreh Rado. Gjykatësi dhe juristi që përfaqëson çështjet e gjyqësorit në Kushtetuese, Klodian Rado, parashikon se edhe në rastin më të keq, nëse mbledhja e pesë dhjetorit vendos të bëhet Konferenca e Gjyqësporit e prej andej të zgjidhen anëtarët e KLD, atëherë do të jetë vetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë që, sipas ligjit, nuk do t’i njohë këta anëtarë.

Bllokimi

Mungesa e opozitës në Kuvend ka bllokuar punën në sistemin e drejtësisë shqiptare dhe veçanërisht mbledhjen e Konferencës Gjyqësore. Ky shqetësim është ngritur edhe nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, e cila organizoi një takim me vartësit e saj në rrethe, por dhe aktorët e interesuar për çështjet e gjyqësorit sikurse është Euralius, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata e Gjyqtarëve, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për Konferencën Gjyqësore. Por ky vendim ka vënë kundër njëri-tjetrit kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, dhe numrin dy të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahia. Beçaj u shpreh se duhet një rregullore në mungesë të ligjit që mundëson mbledhjen e konferencës, i cili është i pamundur të miratohet për sa kohë mungon opozita dhe kalimi i kësaj rregulloreje bëhet vetëm me 3/5 e votave. Për miratimin e ligjit për Konferecën Gjyqësore duhen plot 84 vota.

Unioni

Anëtari i bordit drejtues të Unionit Gjyqësor, gjykatësi Gerti Hoxha, deklaron se mbledhja e dhjetorit nuk do të ketë kompetencat e Konferencës Gjyqësore dhe, sipas tij, nuk do të zgjedhë anëtarët e KLD-së. “Kemi vendosur që më 5 dhjetor të organizojmë një mbledhje të gjyqtarëve, ku do të diskutohet për pavarësinë e sistemit gjyqësor, rritjen e transparencës së publikut të drejtësia dhe mbledhjen e Konferencës Gjyqësore. Kjo mbledhje nuk është Konferenca Gjyqësore Kombëtare”,- u shpreh Hoxha,
duke iu referuar deklaratës së përbashkët, me të cilën doli trupa gjyqësore gjatë takimit të thirrur nga Gjykata e Lartë. Gjykatësi Gerti Hoxha bën apelin për një emergjencë që duhet zgjidhur sa më parë në gjyqësor. Si pjesë drejtuese e unionit të gjyqtarëve, Hoxha deklaron se derisa çështja e Konferencës Gjyqësore dhe për rrjedhim e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të zgjidhet, asnjë gjyqtar nuk duhet të bëhet pre e politikës, por duhet t’i shërbejë pavarësisë së gjyqësorit.

Ligji

Aktualisht, nuk ka asnjë ligj për Konferencën Gjyqësore, dhe është ky forum që zgjedh 9 anëtarë të KLD-së. Për shkak të mungesës së ligjit, konferenca nuk është mbledhur, dhe 4 anëtarë të KLD-së, kanë mbaruar tashmë mandatin 5-vjeçar dhe duhet të zëvendësohen.
Deri në vitin 2005, edhe pse nuk ka pasur një ligj të posaçëm për organizimin e Konferencës, anëtarët e Këshillit janë zgjedhur nga mbledhja e Konferences Gjyqësore dhe ishte pikërisht ky organizim pa ligj, që çoi në nevojën e miratimit të kornizës ligjore. Ligji i 2005-ës, në vija të trasha, u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese, sepse në të parashikohej delegimi i votës së shumicës së gjyqtarëve, tek një pjesë e tyre, dhe qysh kur trupa Kushtetuese e rrëzoi atë në fundin e 2008-ës, ka pasur disa iniciativa nga Ministria e Drejtësisë për hartimin e një drafti të ri.
Ky lajm është publikuar: 14/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›