E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori Gaiani: Realizoni tri kërkesat e integrimit

17-10-2012 / Gazeta 55

“Italia, avokate e mbështetjes së integrimit të Shqipërisë në BE”


Ambasadori italian në vendin tonë Massimo Gaiani ka deklaruar nga Elbasani se Italia është ekstremisht e interesuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qeveria italiane, tha ai, është avokati më i madh i kësaj kauze por se ky vend duhet të bëjë përpjekje maksimale që të përfundojë edhe 2 kilometrat e fundit që i kanë mbetur për në BE. “Italia është tejet e interesuar për integrimin e Shqipërisë në BE dhe është avokati kryesor në këtë proces duke dhënë mbështetje të vazhdueshme”, u shpreh ambasadori Gaiani. Ndërkohë i ka bërë thirrje gjithë forcave politike që të bëjë përpjekje për të arritur tre kërkesat e parashtruara nga projekt raporti që kanë të bëjnë me reformat, administratën dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, politika duhet të dalë mbi interesat e saj duke vënë interesat e popullit dhe kombit për të arritur objektivin kryesor atë të integrimit në BE. “Shqipëria duhet të bëjë përpjekjet e fundit për reformat që nuk janë arritur deri tani, siç janë shteti i së drejtës, funksionimi i mirë i administratës publike, si edhe lufta ndaj korrupsionit. Edhe pse është bërë mjaft duhet arritur edhe më shumë”, tha ai. Në vijim, ambasadori italian, Massimo Gaiani, vlerësoi pozitivisht raportin e prezantuar nga Komisioni Europian, që sipas tij “pasqyron mjaft qartë përparimet që janë kryer nga Shqipëria”. Më parë ambasadori realizoi takime me prefektin e Elbasanit Shefqet Deliallisi ku theksoi nevojën e mësimit të gjuhës italiane, me kryetarin e bashkisë Elbasan Qazim Sejdini ku u njoh me qytetin e problematikën. Këtu ai bëri premtimin që do të negociojë qoftë me qeverinë shqiptare qoftë me kompanitë italiane për çështjen e fushës së plehrave. Në universitet ambasadori realizoi takime me studentë e pedagogë dhe promovoi qendrën call center e cila do të hapë 300 vende të reja pune në Elbasan.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›