E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doris Pack: “Politika shqiptare të bashkojë forcat për integrimin”

17-10-2012 / Gazeta 55

Eurodeputetja Doris Pack i bën apel politikës të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm


“Rekomandimi i Komisionit Europian për t’i dhënë statusin e kandidatit Shqipërisë duhet të bashkojë forcat politike shqiptare”. Ky është apeli i eurodeputetes Doris Pack. Duke u shprehur ekskluzivisht për “ABC news, Doris Pack thekson, se pranimi i rezultatit në zgjedhjet e ardhshme është kyç. Nëse humbësi i zgjedhjeve të ardhshme nuk do të pranojë rezultatin, atëherë Shqipëria nuk do të mund të fillojë negociatat e anëtarësimit me BE-në. “Shqipëria e meriton statusin e kandidatit. Mjafton të shohësh, se sa probleme janë kapërcyer për të arritur deri këtu, duke përfshirë dhe çështje të brendshme jo të lehta. Palët ia dolën për të gjetur zgjidhjet e nevojshme, por jo gjithçka është realizuar. Unë u gëzova kur mora vesh rekomandimin e Komisionit Europian. Kjo duhet ti përçojë një mesazh partive politike në Shqipëri që të bashkohen për të arritur hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Për këtë, duhet që zgjedhjet e ardhshme të pranohen nga të gjithë. Dikush do të humbi. Ky është sistemi demokratik. Ka fitues dhe humbës. Humbësi i vitit të ardhshëm duhet të përgatitet për të pranuar rezultatin. Nëse humbësi fillon të njëjtin avaz si humbësi i dy viteve më parë, atëherë mund ti harroni negociatat e anëtarësimit. Nëse zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme dhe të certifikuara nga organizmat ndërkombëtarë, atëherë të gjithë duhet të pranojnë rezultatin. Ne nuk e dimë kush do fitojë, por duhen zbatuar rregullat demokratike. Vetëm në këtë mënyrë Shqipëria mund të fillojë negociatat e anëtarësimit”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›