E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori Rohan: Shkëmbimi i territoreve, ide e gabuar

Ambasadori Albert Rohan është plotësisht kundër idesë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, e përkrahur para disa ditësh edhe nga kongresisti amerikan Dana Rohrabacher. “Përgjigja ime është shumë e prerë - jo. Jam kundër kësaj ideje. Nuk mendoj se shkëmbimi i territoreve është zgjidhje. Jam fuqishëm kundër kësaj”, ka thënë Rohan, në një bisedë për të përjavshmen e Prishtinës, “Express”. Diplomati austriak Rohan dhe shefi i tij i dikurshëm Martti Ahtisaari kanë ndërmjetësuar bisedimet për statusin e Kosovës dhe kanë hartuar planin gjithëpërfshirës nën mbikëqyrjen e gjashtë shteteve të fuqishme, anëtare të Grupit të Kontaktit. Ish-ndërmjetësi nuk ka asnjë informatë nëse ndonjë nga qeveritë e këtij grupi mund të jetë prapa këtij opsioni të promovuar nga kongresisti Rohrabacher. “Nuk jam në dijeni për ndokënd, i përfshirë në vendimmarrje, që përkrah këtë ide. Mendoj se kjo ka qenë deklaratë e kongresistit i cili mund të jetë i interesuar për Kosovën, por nuk është një nga faktorët vendimmarrës”, ka thënë ambasadori Rohan. Diplomati austriak thotë se idetë për shkëmbime territoriale dhe të ngjashme me to asnjë herë dhe në asnjë formë nuk janë përmendur gjatë dy vjet negociatash. “As privatisht, as zyrtarisht. Kjo për mua është plotësisht një ide e re. Askush asnjëherë nuk ka menduar për këtë. Është ide e gabuar”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›