Tabuja e varfërisë dhe brisku shoqëror
Krishti nuk lind përherë në Betlehem. Nganjëherë ndryshon vend. Vendet e pafata, ku bëhet ndonjë numërim apo censiment si në kohën e tij, nuk mungojnë: tani nuk numërohen më lindjet, por numërohen vdekjet nga shpejtësia, ato nga mbytja në det dhe së fundmi nga varfëria. Këtë vit, besoj, Maria dhe Gjoni, janë rrugës për në Veri të vendit: nuk është e lehtë të gjejë ndonjë shtëpi apo stallë ku të pushojnë pak, ai plak me nusen e tij. Në veri të vendit ka shumë të varfër dhe duke qenë të tillë mikpritja do të jetë e sinqertë “bukë e kripë” e zemër në dorë, si detyrim i çdo zoti të shtëpisë. Por jo të gjithë kanë bukë. Dje për shembull në Peshkopi të Dibrës, një baba kishte lënë në mëshirë të fatit tre fëmijët e tij nën një pemë Spitali. Skamja e kishte detyruar të bënte gjestin me anormal që një njeri mund të bëjë në këtë botë: po ja që varfëria e kishte detyruar. Po
dje nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, kishte dalë urdhri i rinumërimit dhe azhornimit të emrave të familjeve që përfitojnë kompensim nga komunat ku ata banojnë.
Mirëpo skanimi i listës kishte bërë namin. Lista e atyre që përfitonin sikur ishte prerë me gërshërë, këta po, këta jo. E çuditshme dhe të bën të reflektosh. Numri i atyre që janë eliminuar nga lista është më shumë se 1000, çka do të thotë se në Shqipëri ka më shumë se dhjetëra mijë familjeve që janë pa të ardhura adekuate për një jete me dinjitet. Sipas statistikave, Numri i familjeve që jetojnë në skajet e varfërisë është tepër i lartë në vendin tonë. Rreth 29,6 % e shqiptarëve janë shumë të varfër dhe gjysma e tyre jetojnë në varfëri ekstreme, me më pak se 1 dollar në ditë. Kemi rekordet tona kudo, mos u mërzitni. Nëse këtyre 1000 familjeve u ndërpritet oksigjeni me firmën e burokratit të radhës, të cilit nuk i intereson fati i tyre, ku do të shkojnë këto familje, ku do të mbyten? Nëse ato pak para nuk sjellin gëzim, atëherë çfarë mund të sjellë mizerja ndër ta? Është një pyetje
retorike për t’ua bërë këtyre “specialistëve” të briskut shoqëror.
Mjerisht fjala “varfëri” është bërë një fjalë tabu në shoqërinë shqiptare. Ka qenë shumë e “monopolizuar” nga komunizmi si akuzë të tjerëve: ndaj bejlerëve, ndaj agallarëve, ndaj imperializmi, ndaj tregtarëve, ndaj kapitalizmit. Ata në emër të varfërisë luftuan për ta bërë një popull më të varfër. E kemi trashëguar këtë kompleks të fajit, prandaj nuk flitet për të. Na kërkohet të jemi optimistë edhe kur fëmijët qëndrojnë tre ditë pa bukë, se shërbimet sociale, se ojf-të, ojq-të, nuk funksionojnë. Një fjalë që s’duhet të prononcohet, se po ta thuash të vjen mbrapa si një hije mallkimi. Nuk është punë guximi të flasësh për të, por një çështje humaniteti njerëzor. Është një detyrim moral për të pyetur për më të “dobëtit”, është një mister kristian, një mister mysliman, një mister bektashian që të ndihmosh atë që ka nevojë. Shën Pali thoshte: “Perëndia i do të varfërit, dhe si rrjedhoje, i do edhe ata që duan të varfërit”. Por kjo nuk është zgjidhje të problemit, kjo është pranim. Ne që jetojmë në metropolet Tiranë/Durrës/Shkodër e dimë mirë që shanset ekonomike që ka një qytetar në këto qytete nuk i ka një qytetar që jeton në një fshat apo në ndonjërën nga qytezat e vogla shqiptare.
Në të gjithë botën oksidentale, politikat sociale janë lëndë e parë studimi dhe politikëbërjeje e partive të majta, që i mëshojnë idesë së rishpërndarjes së parasë publike, në mënyrë të barabartë. Çuditërisht partia e majtë më e madhe në vend, PS-ja, e ka elektoratin e vet në qendrat e urbanizuara jugore, ku edhe qendrat ekonomike familjeve është pak më e lartë se atyre që jetojnë në periferi. Alternativat e politikave sociale nga partitë e majta janë si ato vendimet e dëshpëruara për t’u operuar kallot të sëmurëve me kancer.
...