Mllefi ndaj LSI-së i kryetarit pa mandat të PS-së ka shpjegimin e vet
Shfajësimi i mëkatarit që ulërin në shkretëtirë: por mbetet një vox clamantis in deserto
I. PS-ja shqiptare, kur vendosi të ndërrojë emrin e PPSH-së, - alias Partia Komuniste Shqiptare, - e bëri këtë veprim spektakolar dhe të pasinqertë, vetëm e vetëm për mbijetesë. Ajo e kuptoi se populli shqiptar nuk mund ta votonte më Partinë e Punës të Shqipërisë, me sekretar të parë Enver Hoxhën. Hysni Milloshi, që nuk e tradhtoi diktatorin Hoxha, mori si pasojë vetëm 0,5 % të elektoratit, nga 99,999 % (!) të fitorjeve zgjedhore të E.H-së.
Pra, PS-ja përmes një makinacioni politik me kryefjalë rinovimin, është shprehja demagogjike e një strategjie për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, që të ruajë kastën e nostalgjikëve dhe për t’u dhënë sihariqin të majtave europiane se tanimë atyre iu shtua edhe një parti tjetër motër, buzë Adriatikut. Kështu u përftua ajo martesa politike me kryesocialistin italian Betino Kraksi, të cilit marifetçiu Fatos Nano i dha teserën e anëtarësisë së PS-së shqiptare, me numrin 2! (pas numrit 1 të kryesocialistit shqiptar). Ndodhi, pra, një paradoks interesant: Partia e Kraksit u tret si kripa në ujë, për shkak të abuzimeve financiare, ndërsa PS-ja shqiptare mbijetoi, duke u fryrë të gjitha fanfarave të rinovimit, që koha i demonstroi si një artificë hipokrite, sa për të vënë, fillimisht, pushtetin ekonomik në dorë.
Ajo lidhje e zhurmëshme me socialistët italianë, për të pasur një emërtim të ri, duket se paska qenë ogurkeqe. Ky emër i ri në flamurin partiak, tani mbetet i binjakëzuar, për të ruajtur, sidoqoftë, atë groteskun e “ndërtimit të socializmit” me njuë dorë në kazmë dhe tjetrën në pushkë (!), me Partinë Socialiste serbe!
* * *
Ish-komunistët emërndërruar, pas fitores plebishitare demokratike të 22 marsit të vitit 1992, jetuan një kohë të artë, për shkak të marrëdhënieve tregtare të hershme të diktaturës me perëndimin, por edhe për solidaritetin ideologjik të këtyre ish-ve me njëri-tjetrin. Paraja pjell paranë. Dhe u paraqit ajo dukuri e mbrapshtë e pronarit të ri, që u bë edhe uzurpator i pronës së ligjshme.
Një veçori tjetër e rrezikshme e kësaj partie “të rinovuar” është se grumbulloi dhe i anëtarësoi si kontigjentin e saj të dhunës, të gjithë mëkatarët e kohës së diktaturës: ish-sigurimsat sadistë, hetuesit shpirtkatranë, prokurorët katilë, operativët e hurit e të litarit, për të nxjerrë vetëfajësira fantazmagorike, e të tjera të këtij kallëpi.
Kjo ishte vija e parë e mësymjes pushtetrrëmbyese të revolucionit bolshevik “të vonuar” që çoi në plotfuqishmërinë e Komiteteve të Shpëtimit Publik (1997).
Kallashparlamenti u quajt “i domeneve” dhe u dha mandat vampirëve dhe injorantëve, përveç të shkolluarve fanatikë, të cilët e nxorën jashtë ringut “rinovimin” fals për të cilin s’kishin më nevojë. Mbeti e pareshtur propaganda enveriste (domethënë edhe ajo staliniste; sepse Enveri, Ramizi, Nexhmija nuk e kishin mohuar kurrë Stalinin, paçka se ai e kishte përdorur Shqipërinë si plaçkë tregu). PS-ja jonë ka mbetur edhe sot debitore ndaj Rezolutës së AP-së së BE-së për dënimin e krimeve të diktaturave nazifashiste dhe komuniste: Madje i sfidoi këto rezoluta. Cila nga partitë e majta euroatlantike i bën jehonë, sot Stalinit? Në Europën Lindore vetëm në vendin tonë nuk u bë destalinizimi. Dhe PS-ja jonë, as post factum nuk ka bërë një akt denoncimi ndaj Stalinit dhe Enver Hoxhës. Përkundrazi. Nexhmija vazhdon edhe tani propagandën enveriste në të gjitha mediet e shkruara dhe televizive, të blera me bollëk nga Edi Rama. Cili nga titullarët e rëndësishëm të PS-së ka denoncuar 16 shtatorët e Pezës me ovacionet panegjirike ndaj E. Hoxhës? Edi Rama, si apologjeti numër 1 i këtyre festave të homazheve diktatoriale, e ka pasuruar edhe më tej PS-në e tij në mandatime të rinjsh, që janë fyçkë në politikë, e që deklarojnë paturtpësisht se e kanë për nder që janë bij firmëtarësh në cilësinë e sekretarëve të parë të komiteteve të Partisë së Shkodrës e të Kukësit, firmat e të cilave kanë sanksionuar dënime kapitale , internime të pafajshmish dhe zullume të tjera çnjerëzore. Këta krenarë për prindërit kriminelë janë Ditmiri me shoqet e tij, që as duan t’ia dinë fare për integrimin europian, sipas përvetësimit të mësimeve të Edvinit!
Kjo e është politika “e re” e Ramës me njerëzit e nostalgjive të vjetra! Për këtë farë nostalgjie, primare është vënia me çdo kusht në dorë e pushtetit. Dhe pak rëndësi kanë NATO, libarizimi i vizave, Integrimi Europian, etj.
II. Lëvizja socialiste për Integrim është parti e majtë me frymëzime për Integrimin. Aleanca e saj me PD-në, kësisoj, ka në qendër të vëmendjes interesat e Shqipërisë, që janë të huaja për politikën e personalizuar të Edvinit. Historikisht aleancat ndërmjet të djathtëve e të majtëve janë jetësuar në emër të interesave të vendit. Le të kemi parasysh De Golin, me qeverinë e atyre që u quajtën qëndresëtarë të Rezistës, por edhe me ministra komunistë, nga partia e Moris Torezit. Alçide De Gasperi në Itali ka qenë në bashkëpunim me komunistët e Toliatit, të cilët e ngritën zërin bashkërisht kundër krimeve të llahtarshme në foibet (humnera) nga partizanët e Titos, me synime për të vënë në dorë tokat e Italisë verilindore, të Tristes e të Venecia-Xhulias.
Ja çdo të thotë lidhje, në qendër të të cilave qëndrojnë interesa kombëtare. PD-ja ka ditur të bëjë dallimin ndërmjet PS-së së Edi Ramës dhe LSI-së. Mllefi i PS-së ndaj LSI-së është antihistorik. Integrimi është frymëzimi i përbashkët i PD-së dhe i LSI-së, por jo i PS-së, që ka parësore zhvatjen e pushtetit me çdo kusht. PS-ja e Edvinit as që do t’ia dijë për integrimin, përderisa propaganda e saj është nihiliste, në kuptimin që nuk pranon asnjë përparim të këtij katërvjeçari, duke nxjerrë vrer të zi për të gjitha arritjet e PD-së dhe të aleatëve të saj, gjer tek ato realizime të madhërishme, si autostrada monumentale Durrës-Morinë, me kryeveprën e pashembullt në Ballkan të tuneleve të Kalimashit.
Nga ana tjetër LSI-ja, e rrudhur vetëm me katër mandate, kishte akuzuar për vjedhje votash PS-në, por jo Partinë Demokratike. Faktet konkrete i kishte dhënë Dritan Prifti i LSI-së, përpara se të jetësohej koalicioni PD - LSI. Partia Socialiste, e babëzitur për pushtet të pamerituar, e kishte batërdisur LSI-në e majtë (por edhe PD-në, partinë e çamëve, PR-në, etj.) sipas udhëzimeve egocentrike të Edvinit, që u zbulua me fakte si hajdut votash. Kjo grabitje votash kishte qenë një specialitet i hershëm pësëist gjatë tetëvjeçarit famëkeq. Tani Edvini po çirret e po nduket se hajdutin (që është ai vetë), “e kanë vjedhur hajdutët”. E tani ulërin, se i doli fjasko ajo politika e tij e përçartur, “përtej së djathtës e të majtës”, që do ta bënte kryeministër, duke qenë edhe kryetar bashkie (!). Domethënë plani i tij për të qene diktator absolut në demokraci doli një blof qesharak, (“UNË jam fititmtari”, që mbetet një zë që thërret në shkretëtirë), sepse humbja e partisë së tij, në zërat më prestigjiozë të protagonistëve të saj, tani po vihet në dukje gjerësisht se mbetet në opozitë për gafat politike të atij që nuk e quan veten politikan, por misionar: misionar i politikave përçarëse! Kjo përçarje e re, e dyta, e ka dëmtuar tejmase PS-në dhe e ka burimin te një fakt i thjeshtë: se E. Rama nuk pyet askërkënd në ish-partinë e vet.Ai këshillohet me vetveten! Kështu, kjo përçarje e dytë e PS-së është bërë, tanimë, e papërgënjeshtrueshme. Mallkimi i tij ndaj LSI-së, tani i ngjan shfajësimit të mëkatarit. Mllefi ndaj LSI-së i kryetarit pa mandat të PS-së ka, si pasojë, shpjegimin e vet. Shpjegim i cili, me siguri, do të shtjellohet dhe do të analizohet më thellë. Ashtu siç do të përligjet në vazhdimësi, si zgjidhje më e natyrshme dhe më e përzgjeëdhur për interesat shqiptare, bashkëpunimi i PD-së me LSI-në, që kërkon një jehonë pozitive më të gjerë në shtypin dhe në TV-të shqiptare.
...