Shtatë shpirtrat e Bill Klinton
Kur president ishte Billi dhe Hillari ishte thjesht një first-lady, gazetat shkruanin se në shtëpinë e tyre, më inteligjente ishte ajo. Tani që Hillari është Sekretare Shteti dhe Billi është një politikan në pension, të gjithë shkruajnë se më inteligjenti është ai. Me sa duket, është fati i pandreqshëm i familjes “Klinton”, çiftit më të jashtëzakonshëm të politikës amerikane, që qysh nga 1992 kanë bërë të flasin për ta, por gjithmonë jashtë kornizave dhe me përfundime po të tilla. 2008-a duhet të ishte viti i Hillarit, i së parës grua në Shtëpinë e Bardhë, por në të vërtetë është viti i parë i Obamës.
Edhe 2009 duhet të ishte viti i saj më i favorshëm. Duke u bashkuar me Barak Obamën, kishte mundësinë të tregonte kapacitetin e saj si lidere në politikën e jashtme amerikane, për në fakt tani, bota rivlerëson më shumë burrin e saj. Falë blicit në Korenë e Veriut.
Për pesë vjet Uashingtoni ka bërë që shteti i fundit stalinist të dalë nga izolimi ndërkombëtar dhe të bashkëpunojë rreth temës që e kanë shumë të përzemërt në Shtëpinë e Bardhë: pra bombave atomike të Pyongyang-ut. Madje as Kina, që është aleati kryesor i Kim Jong II, nuk ka arritur të përfitojë kaq shumë. Por Billit, i ka mjaftuar të shkonte për “vizitë private” në kryeqytetin e Koresë së Veriut, për të marrë me vete dy gazetaret amerikane të burgosura nga regjimi komunist me punë të detyruar.
Dy vajzat gazetare janë pritur triumfalisht në një Amerikë, e cila në këto raste i jep liridalje patriotizmit të saj të theksuar, kurse presidenti Obama, që në të vërtetë nuk e ka pasur shumë qejf ish-presidentin, dje e ka falënderuar publikisht: “Ky sukses i papërsëritshëm është meritë e tij”. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka shpjeguar se ishte një “mision humanitar” e pastaj ka qartësuar se “marrëdhëniet midis dy shteteve kalojnë nëpër binarë të tjerë”, atë të vënies mënjanë të projektit të ndërtimit të armëve atomike dhe dhënies fund të provokimeve.
Billi rilindi, edhe njëherë tjetër. Në 1994, pas dy vitesh në Shtëpinë e Bardhë dukej se ishte një president monoton, por më 1996 Ai u rizgjodh përsëri. E pashpjegueshme politikisht. Afërmendsh historia e seksit me Monica Lewinsky-n gati sa s’e dërgoi në një hetim të Kongresit (empeachment), por çuditërisht pas kësaj gjullurdie, ai ia doli të ishte më popullor se më parë, dhe kur e shoqja i humbi shpresat e nominimit si kandidate për presidente nga Partia Demokratike, shumë menduan se ishte shansi i fundit për një revash ndërkombëtar, paçka se vetëm si një bashkëshort këshilltar. Por tani shikojeni se si, me një shtyrje të guximshme, jotipike për diplomacinë, ai u e shndërrua sërish në triumfator. Për gati katër muaj ndoqi çështjen e dy reportereve, dhe duke u koordinuar vetëm në orën e fundit me Shtëpinë e Bardhë.
Është bash këtu problemi, fakti se shef i diplomacisë amerikane ishte e shoqja dhe koreanoveriorët e patën denigruar atë publikisht, duke lëshuar fjalë se ajo nuk kishte asnjë influencë në Shtëpinë e Bardhë. Dhe suksesi i jashtëzakonshëm i Billit nuk është se e rriti prestigjin e saj, përkundrazi.
Në një anë Hillary Klinton, është me një problem shëndetësor në krah, çka nuk e la të merrte pjesë në “G8”-n e Aqulias, as në Moskë, as në Korfuz dhe as e pranishme në nënshkrimin e marrëveshjes në Kremlin midis Obamës dhe Medvedievit. Problemi është vetëm i saji, pasi askusht ende nuk ia ka ndjerë mungesën... Klinton sot duket si një shef diplomacie i dorës së dytë, si anonimi Christopher, dhe jo si Madelaine Allbright, as si Colin Powell dhe as si Condoleezza Rice. Tani ajo është e detyruar të na befasojë, të na mbushë mendjen se ajo është e zonja, e të mos ndodhë si tek rrëfenja kur ndonjë diplomat i thotë: Si jeni, Hillary, mirë? Kur do të vijë Billi, burri juaj?
...