Vështrim/Hetuesi i KE-së, Dick Marty dhe maskarada e Burrelit
Shpërberjen me dhunë të ish-Jugosllavisë e bëri Serbia e kryekriminelit Millosheviq, duke lënë pas me mijëra të vrarë dhe të masakruar myslimanë të Bosnjës dhe shqiptarë të Kosovës. Tribunali i Hagës për Krime Lufte ishte formuar për t’i dënuar kriminelët e kësaj lufte të cilët e shkaktuan tragjedinë më të madhe njerëzore dhe materiale pas Luftës së Dytë Botërore. Për këto vite sa po funksionon kjo gjykatë ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit u dënuan aq pak kriminelë serbë, sa kjo gjykatë më shumë po i ngjan një cirku sesa një gjykate serioze për krime lufte. Pse themi kështu? Pikërisht për faktin se të vriten në një luftë lokale afër 300 mijë njerëz të pafajshëm e të mos dënohet Serbia për gjenocid, nuk justifikohet më asgjë. Tjetër. Dy kriminelët dhe urdhërdhënësit kryesorë të kësaj lufte për të cilët kam shkruar edhe disa herë më parë, siç janë Millosheviqi, Millutinoviqi nuk u dënuan për krimet e bëra. Së fundi, edhe krimineli Sheshel u dënua vetëm me 15 muaj burg, çka është fakt për t’u çuditur. Edhe me mijëra kriminelë të tjerë as qe janë duke u hetuar nga Gjykata e Drejtësisë në Hagë, e cila e ka për detyrë ta bëjë një hetim të tillë. Duket ashiqare se gjatë këtyre viteve kjo gjykatë u ndikua nga politika e disa qarqeve evropiane proserbe dhe vetë Serbisë. Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës znj.Carla del Ponte ishte personi i gabuar për një gjykatë aq të rëndësishme si TPI-ja. Kjo zonjë në librin e saj “Gjahu, lufta ime dhe kriminelët e luftës” - qëllimisht se në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht - lançoi një rrenë të madhe, të fabrikuar nga Beogradi, se gjoja pjesëtarët e UÇK-së paskëshin rrëmbyer afërsisht 300 civilë serbë (dhe jo shqiptarë), duke i dërguar në një fshat afër Burrelit, në Shqipëri, të cilët pastaj i kanë vrarë, duke ua marrë organet për t’i trafikuar. Sa ishte si kryeprokurore, zonja Carla del Ponte nuk e bëri publike një trafikim të tillë, por vetëm pas largimit nga ky post. Zonja Del Ponte ka pasur material më bollëk për llojlloj krimesh që kanë kryer serbët, fillimisht mbi myslimanët e Bosnjës e pastaj mbi shqiptarët e Kosovës. A thua kjo zonjë e njëanshme, siç është paraqitur në librin e saj, bëri përpjekje për njollosjen e luftës çlirimtare të UÇK-së. Ajo i “harron” të gjitha ato masakra të kriminelëve serbë që nuk mbahen mend të kenë ndodhur. Kriminelët e kryekriminelit Millosheviq, Arkanit, Sheshelit dhe shumë e shumë bandave e kriminelëve të tjerë, nuk lanë gjë pa bërë në fytyrë të kësaj bote siç thotë një fjalë e popullit mbi shqiptarët, duke filluar nga fëmijët, gratë dhe pleqtë të cilëve ua prenë pothuaj çdo gjymtyrë të trupit. Madje, kriminelët serbë shumëkënd e varrosën edhe për së gjalli. Këto të paverteta të Carla del Ponte në librin e saj u hodhën poshtë edhe nga Tirana dhe Prishtina zyrtare. Këshilli i Evropës është dashur ta ketë parasysh qendrimin zyrtar të Tiranës dhe Prishtinës lidhur më këtë çështje, e jo të fillojë hetime të reja për një rast të paqenë. Aq më keq kur Këshilli në fjalë për prokuror emëroi një antishqiptar të përbetuar siç është Dick Marty. Dihet paraprakisht se një person me orientime proserbe, siç është Marty, mund të trillojë edhe më keq sesa Carla del Ponte.
Qeveria e Republikës së Kosovës, fill pas publikimit të librit të Carla del Pontës është dashur të bënte një padi kundër kryeprokurores në fjalë. Edhe tash kur Këshilli i Evropës e ka emëruar Dick Marty-n, duhet të ofrojë fakte të cilat i ka më bollëk kundër krimeve serbe mbi shqiptarët e pafajshëm. Të kërkojë gjithashtu nga Këshilli i Evropës që sa më parë të zbardhet fati i afër 2000 të pagjeturve shqiptarë, të cilët gjenden diku në Serbi, të vdekur ose të gjallë, në kampe të ndryshme të përqendrimit (Rasti i përfolur i Novi Pazarit). Të kërkojë të zhvillohen hetimet për ekzekutimet masive të shqiptarëve. Dihet se bartja e viktimave të luftës për në Serbi është e ndaluar me çdo konventë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Këshilli i Evropës, dashurpadashur, po e barazon viktimën me xhelatin. Disa zhvillime negative te kohëve të fundit siç është mosliberalizimi i vizave vetëm për shqiptarët në të dyja anët e kufirit dhe rasti i inicimit të sërishëm të “hetimeve”, gjoja për transplantimin e organeve në Burrel, është tregues se në një formë apo tjetër po shpërblehen kriminelët serbë, e po anashkalohet një luftë e drejtë e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Por këto hetime të nisura nuk janë asgjë tjetër, pos edhe një turp i radhës nga ky mekanizëm evropian...
...