Socialistët hrushovianë gremisin stalinizmin edvinist
Me të drejtë u shqetësova shumë për heshtjen disaditore të barometrit politik të PS-së, Erion Braçes. Kurrë, në historinë e së shkuarës majtiste, Erion Braçja nuk ka heshtur pa dalë në palaçollëkun politik më shumë se një ditë. Kjo ma shtoi edhe ankthin e së keqes që Erion Braçes, diçka e qoftëlargut mund t’i ketë ndodhur.
U interesova gjithkund që - të paktën - të mësojë se mos ka pësuar gjë patologjikisht. Gripi i derrit nuk priti shtatorin që të mbërrinte edhe në Shqipëri. Ai mbërriti me gushtin bashkë dhe shkaktoi epideminë kongresore partiake të socialistëve... .
Shenjat e para të gripit të derrit në trupin e sëmurë të PS-së ishin temperatura e lartë dhe e qëndrueshme në ligjëratat e Braçes. Si pionier shembullor i Enverizmit dhe i devotshëm i stalinizmit edvinist, Erion Braçe shpalli agjent të paguar nga Sali Berisha, Ben Blushin, socialistin e parë hrushovian që guxoi të shqepë gjithë PS, si kostumin e vjetëruar të Stalinizmit Edvinist.
Nuk e di pse nuk u morën vesh me njëri-tjetrin, aty brenda PS, Taulant Balla dhe Erion Braçja, përsa u përket parave që paska dhënë rryshfet Sali Berisha për blerjen e Ben Blushin dhe përçarjen e PS-së. Taulant Balla na foli për milionat e lekëve, dollarëve, eurove, stërlinave, koronave, rublave, jenëve (thua të kem harruar ndonjë monedhë që përmendi Taulant Balla?...) nga pasuria berluskoniane të Sali Berishës, dhe – Për Çudi Politike - harroi të shtonte edhe milionat e dollarëve që shpenzoi Sali Berisha, i cili bleu Ben Blushin?! - e tha Erion Braçja dhe thënia e Braçes është Pravda e Stalinizmit Edvinist.
Tani kë PS të besojmë për ryshfetin politiko-ekonomik të Kryeministrit Sali Berisha?
Erion Braçen që deklaroi me guxim enverist rysheftin e blerjes (peshë e gjallë) të Blushit nga kryeministri Berisha? Apo Taulant Ballën, që nuk i përmendi vetëm këto miliona dollarë të blerjes (jo të Kristiano Ronaldos...) të Blushit nga Berisha? Kjo - të them të drejtën - pak më shqetësoi, se PS tani është çdo drejtues socialist - ndaj heshtja e Erion Braçes ka rëndësi themelore për të ardhmen e sigurtë të PS.
Dhe nuk vonoi dhe doli sheshit pse hesht kaq ditë të tëra rresht Erion Braçja. -I ka marrë arratinë Edvini, i zoti, Erion Braçes, dhe e ka lënë politikisht jetim, të vetëm midis të gjithëve socialistëve hrushovianë... . Dhe Braçja - bilbili politik i propagandës staliniste edviniste, është i kallur në reaminacionin e heshtjes. Hrushovi ishte një – i vetëm - që doli flamurtar dhe shqepi gjithë PK-në Bolshevike Staliniste.
Në PS - për fatin tonë të mirë - pas vdekjes politike të stalinizmit Edvinist më 28 qershor 2009, kanë dalë në mikrofonët e mediave botërore dhjetëra socialistë hrushovianë. Edhe pse janë dhjetëra socialistë hrushovianë, të gjithë këta kritikmëdhenj të stalinizmit edvinist, - Për Çudi Politike - përdorin të njëjtat ligjërata politike të Hrushovit kundër stalinizmit edvinist. -PS nuk ishte parti demokratike, - kujton Arben Malaj. –Krerët e PS ishin arrogantë politikë, -kujton Bashkim Zeneli. -PS ishte parti e një politike të keqe -kujton Kastriot Islami. -PS ishte partia e kultit Edvinian - thotë Ben Blushi.
Thanë edhe të tjera, socialistët hrushovianë, nga ato të tjera që nuk i tha dot Hrushovi, ngaqë nuk e njohu personalisht stalinizmin edvinist. Sado apolitik të jesh, sado antisocialist të mbetesh, vetvetiu të vjen të pyesësh tërë këtë duzinë socialistësh hrushovianë që garojnë midis tyre se cili do të shajë më shumë e më ashpër Mërhumin Politik - Stalinizmin Edvinist të PS. - Shokë socialistë hrushovianë, Ju, dje ku ishit? Dhe sot, nga cili planet diellor erdhët në Tokën e PS dhe zbuluat stalinizmin edvinist? - Mirë stalinisti Edvin Rama e shndërroi PS në Partinë e Kultit Edvinist, po ju, të deri të djeshmit krerët e Kryesisë të PS - a nuk ndjeni aspak përgjegjësi që e ngritët me duart, me miratimin tuaj Kultin Edvinian në PS?
Pyesim kësisoj jo edhe aq nga meraku se cili do të jetë Udhëheqësi i ri i socialistëve. Ankthi i të tjerëve, josoocialistëve, është - e kuptojnë më qartë atë që nuk kuptojnë socialistët fanatikë - se ndryshojnë në Udhëheqjen e PS vetëm kulte individësh. Pa ndryshuar politika, pa ndryshuar ideologji, pa ndryshuar filozofi demokratike. Një Opozitë (e këtillë sikurse Partia Socialiste) e invalidimit politik është tregues edhe i shkallës së emacipimit demokratik të Shoqërisë në përgjithësi. Askush nga këta “trima” socialistë hrushovianë nuk guxoi të hapte gojën për të këqijat partiake të stalinizmit edvinist në Asamblenë partiake të fundkorrikut.
Dhe - jo në parti - kritikëmëdhenjtë socialistët hrushovianë tashmë nuk lënë ditë, nuk lënë mikrofon të importit e të eksportit pa shqepur politikisht gjithë PS staliniste edvinistë. Socialistët hrushovianë – Tashmë - asnjë leckë politike nuk i lanë më në trup PS-së të stalinizmit edvinist.
E zhveshën, ashtu siç çjerr forcërisht një të përdalë, socialistët hrushovianë e kanë lënë –sot - PS lakuriq politikisht. PS tashmë i ngjan asaj të përdale politike, që pasi e kanë përdhunosur fizikisht, këta socialistë hrushovianë mundohen që ti hedhin përsipër trupit të dhunuar të PS ndonjë rrobë - të cilësuar Programe Politike të Udhëheqësit në potencë.
Kjo është Pravda, kjo është e vërteta politike në PS në këto ditë gushti të Thyer. Deri në fundgushtin e kongresit partiak.
Një udhëheqës i vdekur dhe i pakallur. Derisa Edi Rama i fshihet PS në importin politik, në SHBA. Braçianët e Ruçianët, përkohësisht heshtin, ngaqë kanë mbetur jetimë politikë, dhe zgjedhin, duke nuhatur politikisht, erën e të zotit partiak, që t’i shërbejnë paskëtaj - me të njëjtin zell e devotshmëri enveriste.
Dhe socialistët hrushovianë po na bëhen Udhëheqës me intervista, me deklarata, me akuza, me stërbetime, sa majtas e sa djathtas, ku të gjejnë grazhdën e të ...folurit.
Kjo është Opozita shqiptare e PS.
Ose, të jemi realistë, Parti Socialiste nuk kishte as dje. Ajo ishte Parti e Kultit Edvinist. Po nuk më besoni mua, pyesni Ben Blushin e Arben Malajn, Udhëheqësit e pretenduar.
Them - Udhëheqës të pretenduar - sepse deri më sot, nga këta Udhëheqës të pretenduar, askush në parti nuk i ka propozuar. Vetëpropozohen nëpërmjet deklaratave mediake.
Një risi politike kjo, e vetëshpalljeve dhe e vetëdeklarimeve të socialistëve të sotëm hrushovianë. Dhe, sikurse edhe Hrushovi, edhe socialistët tanë hrushovianë, gjënë e parë që do të bëjnë, sa të ngrohin bythën në karriken e Udhëheqësit partiak, është të gremisin gjithçka që lidh partinë me të kaluarën e tyre historike. Sikurse bëjnë edhe bojaxhinjtë me restaurimin e jashtëm të një godine. Çngjyrosin bojën e vjetër dhe e rifreskojnë me një bojë të re. Edhe Partia Socialiste modernizimin e saj politik - sipas programit politik të (socialistëve hrushovianë) Udhëheqësve potencialë, Malaj e Blushit - do ta fillojë dhe do ta mbarojë me ribojatisjen politike të Partisë, sipas gustove dhe përmasave të atij që do t’i ngrohë të pasmet në karriken e kryetarit partiak të socialistëve.
...