E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori Sequi në reflektimin e syve të Zef Shoshit

Që arti është ushqimi shpirtëror kryesor i Ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Z. Ettore Sequi, kjo nuk ka dyshim. Një nga provat e shumta që e mbështet këtë fakt është edhe miqësia e tij e veçantë me piktorin shqiptar, Zef Shoshi.
Mjeshtër i portretit - piktori 73-vjeçar me origjinë nga Shkodra ka mjaft admirues shqiptarë të krijimtarisë së tij por midis të huajve Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë është kartëvizita e tij më e mirë. Z. Sequi është i vetmi që mban një qëndrim vlerësues konstant ndaj veprimtarisë së tij artistike. Kudo që ndodhet ai flet me vlerësimet më të larta për piktorin e talentuar që studioi në Akademinë e Artit të Leningradit në vitet 1957-1961.
Tek i sheh bashkë në ndonjë event arti, ashtu origjinal e pa pompozitet, nuk ke si të mos mendosh se këta dy Zotërinj kanë të përbashkët diçka të pavdekshme dhe shumë të nevojshme për botën e sotme: Bukurinë e butësinë e tyre shpirtërore.
Nuk ju është dashtë shumë për të vlerësuar njëri-tjetrin. Kurrë nuk janë ulur për të bërë një bisedë me orë të gjata. Por, ama që në takimin e parë e deri më sot, Z. Sequi do t’i drejtohet piktorit shqiptar vetëm me fjalën “Maestro” e Z. Shoshi do ta thërrasë mikun e tij Italian vetëm Signore Sequi. Bile për këtë të fundit, Z. Shoshi kujton: “Mbaj mend se bëra një gabim “të madh” në adresim herën e parë që më telefonoi. Ndoshta i pamësuar të marrë telefonata nga personalitete të tilla e në emocion e sipër ju përgjigja “Signore Ettore…” Prej asaj dite, i vura shumë rëndësi adresimit të saktë,” - kujton piktori.
Do të ishte viti 2003 kur Maestro do të telefonohej nga diplomati Italian atëherë në postin e Zëvendës Ambasadorit Italian.
“Më telefonoi dhe u takuam. Më kërkoi t’i bëja portretin e tij. Mbaj mend se ishte një nga herët e vetme që do të flisnim më gjatë dhe do të jepja edhe nja dy tre mendime për situatën në vend. Shpreha shqetësimin tim për gjendjen që vendi po kalonte në atë kohë. Kuptohet në rolin e diplomatit, ai vetëm pohonte dhe nuk preferonte të hynte në debate”, - kujton Z. Shoshi gjithmonë me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë.
Më tej diplomati që mban mbi supe plot 26 vite karrierë do ta ftonte në një event të organizuar në shtëpinë ë tij për tu “përplasur” më pas në Katedrale ku Z. Shoshi kishte realizuar portretin e Arqipeshkvit, Imzot Rrok Mirditës dhe atë të Papës, Gjon Pali i II. Me rastin e prezantimit të këtyre portreteve të magjishme u organizua një meshë e veçantë ku i pranishëm ishte Z. Sequi por edhe Kardinali Ivan Dias, ish nunsi i parë apostolik në Shqipëri.
Në atë kohë Z. Sequi do të ndihmonte edhe të ndjerën, të shoqen e Ambasadorit të Italisë në atë kohë, Z. Bova për një portret që ajo donte ti bënte të shoqit.
E kështu nisi rruga e miqësisë midis këtyre dy zotërinjve që duket se nuk njeh mbarim.
“Është njeri shumë komunikues, i ëmbël, i dashur, i kandshëm”, - thotë Z. Shoshi me theksin e tij të fortë prej shkodrani i cili më tej shton “Është një vlerësim i madh që më bën dhe unë e vendos në një vend nderi midis miqve të mi”.
Më tej e pyes Z. Shoshi: Çfarë është e bukur në miqësinë tuaj? Dhe ai do më përgjigjet pa u menduar gjatë: “Butësia e komunikimit shpirtëror dhe artistik”.
Aty për aty shton me një buzëqeshje në fytyrë: “Se di kam dasht shpesh me e pyet lidhur me mbiemrin e tij. Mbiemër Sequi ka edhe në Shkodër. Është një regjisor në Teatrin e Shkodrës, Paulin Sekui. Më kuriozon”.
Gjithmonë pikëtakimi i tyre është arti sepse ata mendojnë se me anë të saj mund të shprehen më mirë se kurrë. Në shtëpi mban dy libra të piktorëve të shquar italianë: Massimo Kampili dhe Felice Kazorati, dhuratë nga Z. Sequi. Kudo bashkohen nga arti.
Në fakt ndjesia se mund të takosh diku Z. Sequi ashtu papandehur, në mënyrë spontane është më e bukura që mund të provosh.
“Takohemi në ndonjë ekspozitë. Herën e fundit u takuam në ekspozitën e organizuar me rastin e 100-vjetorit të fotografisë spanjolle. Në aktivitete të tilla bën gjithmonë çmos me më prezantue me përfaqësues të trupit diplomatik. Ka tendencën të më bëjë të njohur tek të huajt”, - thotë Z. Shoshi.
Kompleksiteti njeri-artist është themeli i kësaj miqësie sa të bukur aq intriguese.
Dikur Z. Sequi i premtoi piktorit edhe një udhëtim në Sardenjë, vendlindja e tij sepse ai gjithmonë ka menduar se karakteri, traditat dhe kostumet shqiptare kanë të përbashkëta me ato të Sardenjës. Por, ky projekt mbeti në mes sepse Z. Sequi do të emërohej në 2008 në detyrën tjetër të tij, atë të Dërguarit Special të Bashkimit Europian në Afganistan. Gjithsesi, Maestro e vlerësoi mendimin dhe idenë e mikut të tij të mirë. Plot 3-4 vite të mira kaluan por çuditërisht sapo do të vinte përsëri këmbën në Shqipëri në fillim të 2011 kur do të emërohej Ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri, i pari që do të kishte fatin të merrte telefonatën e Z. Sequi do të ishte pikërisht ai - piktori.
“E kam dëgjuar se kur është përzgjedhur për postin e Ambasadorit të BE-së në Tiranë, Zj. Catherine Ashton përzgjodhi midis shumë kandidatëve pikërisht atë të Z. Sequi. Ajo ka kuptuar diçka nga vlerat e tij si njeri e si diplomat”, - hidhet Z. Shoshi sapo fillojmë të flasim për emërimin e tij në këtë post që kërkon vërtet përkushtim e punë, veti që ai i reflekton mrekullueshëm.
E pyes nëse e ka ndjekur në përpjekjet e tij në aspektin e integrimit të vendit. “E ndjek, e ndjek. I dëgjoj mesazhet e tij. Mendoj se ai vepron si një diplomat. Si i tillë është njeri i ekuilibrit, i qetë, i thotë mendimet si duhet dhe bën punën e tij. Më bëri përshtypje, kur thoshte “Kryeni detyrat e shtëpisë. Më krijonte pak një gjendje humorit. E thotë me thjeshtësi por me vërtetësi”.
Tek shpështjell nga gazeta portretin e Z. Sequi, ma tregon dhe më bën ndonjë koment të rastit. Shpejt më thotë “a din se këtë gazetë me të cilën kam mbështjellë portretin e tij s’më bën dora me e shky. Siç e sheh është e fuqishmja Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Aq komunikues e ka vështrimin sa të duket se flet me shpirtin e saj”.
Dhe unë e lexova mesazhin ndër rreshta të piktorit fin e elegant. Ajo gazetë nuk mund të ishte më mirë se aty.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›