Ambasadori Withers, dhuratë 500 libra Bibliotekës Kombëtare
Në prag të largimit të tij nga Shqipëria, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, i ka dorëzuar Bibliotekës Kombëtare një koleksion të veçantë librash. Në një ceremoni që u mbajt pasditen e djeshme në sallën amerikane të bibliotekës, ambasadori i bëri simbolikisht aktin e dhurimit të koleksionit drejtorit Aurel Plasari. Në praninë e ministrit të Kulturës, z. Ferdinad Xhaferajt, ambasadorit të Kosovës në Shqipëri dhe specialistëve të bibliotekës, ambasadori Withers ka vlerësuar punën e Bibliotekës Kombëtare, duke e quajtur një kontribut modest dhurimin e koleksionit të tyre. Janë rreth 500 tituj librash, vëllime me problematika sociale, historike, biografi, bibliografi, gjeografi, një koleksion skolastik për shkollat tetëvjeçare. Mes tyre ka edhe disa videokaseta që tregojnë aspekte të kulturës amerikane, duke nisur që nga muzika xhaz e deri te filmat klasikë amerikanë. Pjesë e këtij koleksioni kanë qenë edhe pak libra shqip, që ia kanë dhuruar ambasadorit gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, ambasadori Withers ka shprehur kënaqësinë që ndodhej në Bibliotekën Kombëtare. “Me informacionet e mia, ky vit shënon 90- vjetorin e krijimit të Bibliotekës Kombëtare dhe unë përcjell përgëzimet e mia më të ngrohta për këtë historik. Po ashtu, di që ambasada jonë ka pasur mundësinë të ndihmojmë financiarisht për organizimin e një konference të rëndësishme shkencore që do të mbahet këtu në shtator. Një ftesë i ka shkuar edhe drejtorit të Bibliotekës së Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe shpresojmë që ai do të ketë mundësinë të vijë. Së treti, në kontekstin e dinamizmit të vazhdueshëm, por edhe rritjes së bibliotekës, ky institucion vazhdon të pranojë donacione të ndryshme librash e veçanërisht gjatë këtij viti. Unë jam i nderuar që ne kemi mundësinë të bëhemi pjesë e kësaj ndërmarrjeje të madhe zgjerimi të Bibliotekës Kombëtare. Kam kënaqësinë e veçantë të prezantoj edhe një koleksion të shkëlqyer nga një studiues i njohur në Shqipëri, zotin Vasfi Samimi. Jam i lumtur që vepra e jetës së tij të mund t’u bashkëngjitet volumeve që ndodhen në bibliotekë”, ka theksuar ambasadori. Më tej, në fjalën e tij i është referuar rëndësisë që ka libri për edukimin dhe paqen mes njerëzve. “Bibliotekat për mua janë një vend i shenjtë, librat janë si lutja. Një libër është një mjet që komunikon përgjatë gjithë historisë, jetëgjatësia e të cilit shkon përtej atij që e ka shkruar dhe atyre që e lexojnë brez pas brezi. Në këtë mënyrë shërben si mjeti që përçon urtësinë e shekujve, na përçon ne shpirtin, njohurinë, urtësinë e një kohe shumë të vjetër. Na krijon mundësinë të mbetemi në komunikim me këto kohë të shkuara me këtë epokë mendimi të shkuar. Më pas ne kemi mundësinë që këtyre librave t’iu shtojmë të tjerë e t’ua përçojmë këtë trashëgimi brezave që vijnë më pas. Janë librat që na ofrojnë ne, qenieve njerëzore, mundësinë e përjetësisë. Ne vjen një ditë e vdesim, por mendimet, ndjenjat dhe ajo që ne jemi, mund të jetojë përjetë. Prandaj për mua librat janë shpresa e madhe e qenies sonë, sepse i japin mundësinë dhe i japin jetëgjatësinë qytetërimit që gëzojmë në jetën tonë, duke na lejuar që të mos na kërkohet të rimësojmë gjërat nga e para çdo herë, por të na japin mundësinë të ndërtojmë mbi atë trashëgimi që na është kaluar nga ata që shkuan para nesh. Nëse tregohemi të urtë, ne ua përçojmë këtë trashëgimi atyre që vijnë pas nesh. Doja ta mbyllja duke thënë që në të gjithë aktivitetin tim në Shqipëri, ky është një aktivitet po aq i rëndësishëm sa të tjerët. Dëshiroj të falënderoj drejtorin e bibliotekës, ministrin e Kulturës dhe të gjithë të ftuarit që marrin pjesë në këtë moment kaq të veçantë të detyrës sime në Shqipëri. Këto (mban në duar vëllimet) janë dy vëllime të enciklopedisë së historisë së mendimit kulturor dhe intelektual të Shteteve të Bashkuara dhe dëshiroj t’ia paraqes drejtorit Plasari si shenjë e mirënjohjes dhe kontributit tonë të vogël për punën e madhe që bën biblioteka”. Nga ana e tij, drejtori Plasari i ka dhuruar ambasadorit Withers një karikaturë të gazetës së shqiptarëve të Amerikës, “Dielli”, ndërsa ministri Xhaferraj i ka dhuruar librin “Statutet e Drishtit”, vepra fituese e çmimit të Bibliofilisë për vitin 2009. Ministri e ka përmbyllur këtë ceremoni, duke thënë se shpresonte që ambasadori që do të zëvendësojë Withers-in në Shqipëri, të jetë po aq dashamirës i kulturës sa ai.
#