Kinemaja spanjolle në Berat
Nga data 12 deri më 16 korrik, Ambasada e Spanjës organizon në qytetin e Beratit javën IX të kinemasë spanjolle, “Europa në ekran”. Ky aktivitet që po organizohet në sheshin e Bibliotekës Publike, ora 20:30, u inaugurua mbrëmjen e së hënës nga ambasadori spanjoll, Manuel Montobio, dhe kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi. Berati është stacioni i parë i javës IX të kinemasë spanjolle “Europa në ekran”, që u inaugurua në Tiranë më 14 qershor. Ky aktivitet është parashikuar që të udhëtojë më pas edhe në qytete të tjera shqiptare, si në Shkodër, Durrës dhe Pogradec. Java IX e kinemasë spanjolle ka vazhduar dje me filmin dokumentar, “Arkat spanjolle” (“Las cajas españolas”), realizuar në 2004-n me regji të Alberto Porlan, ndërsa sot do të shfaqet filmi “Sud Ekspres”. Filmi është një kryqëzim jetësh, ku gjashtë histori njerëzish anonimë ndërthuren përgjatë rrugës së trenit që shkon nga Parisi në Lisbonë. Me anë të protagonistëve të këtij udhëtimi përgjatë Jugperëndimit të Europës eksplorohen ngjashmëritë dhe diferencat e mëdha në këtë moment kritik që po kalon Kontinenti i Vjetër. është një film vital, sepse treni gjithnjë ka ofruar këtë gjë: emocione në lëvizje. Hyrja është e lirë dhe filmat do të shfaqen në versionin origjinal, të subtitruar në anglisht dhe shqip.
#