Ambasadori Withers në zyrën e Topit për lirinë e medias dhe pavarësinë e Gjyqësorit
Ambasadori Amerikan në Tiranë, John Withers, ka zhvilluar dje një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Takimi është zhvilluar gjatë paradites së djeshme në Presidencë. Burimet e informacionit nga Presidenca kanë bërë të ditur se dy politikanët kanë biseduar mbi situatën politike në vend, kryesisht për lirinë e medias dhe për pavarësinë e institucioneve kushtetuese. Ky takim midis ambasadorit amerikan dhe Presidentit të Republikës ka ardhur vetëm pak ditë pas dhunës së ushtruar nga një biznesmen ndaj një prej përfaqësuesve të medias së pavarur. Si ambasadori Withers, ashtu dhe presidenti Topi e dënuan këtë akt dhune ndaj gazetarit. Ambasadori amerikan, gjatë fjalës së mbajtur në një takim me mediat, theksoi domosdoshmërinë që organet e Drejtësisë të tregojnë se janë të pavarura duke vendosur në vend drejtësinë. Ai u shpreh se një akt i tillë nuk i takon një shteti që është anëtar i NATO-s.
Takimi
Gjatë takimit, presidenti Topi i shprehu ambasadorit Withers mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë dhe bindjen se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve mike dhe aleate do të zhvillohen edhe më tej. “Gjatë takimit u diskutua rreth situatës politike në vend, konsolidimit të institucioneve të pavarura, forcimit të shtetit të së drejtës, rreth gjendjes së mediave në Shqipëri në përgjithësi, si dhe problemeve të shfaqura kohët e fundit me lirinë e shtypit dhe të fjalës”, - shkruhet në njoftimin për shtyp. Nga ana e tij, ambasadori Withers, pasi ndau të njëjta mendime me kreun e shtetit shqiptar, theksoi edhe njëherë interesin e qeverisë amerikane për situatën dhe zhvillimet politike, ekonomike dhe të demokracisë në Shqipëri, duke e konsideruar vendin tonë si aleatin më të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Thirrja
“Mos u dorëzoni përpara kanosjes, mos u dorëzoni përpara kërcënimeve, mos u dorëzoni përpara dhunës! Ajo që ju keni në duar nuk është thjesht një profesion, nuk është thjesht një mënyrë për të fituar jetesën. Ju mbani në duar një nga parimet më të bekuara të demokracisë. Luftoni për të sepse ia vlen. Ia keni borxh këtë profesionit tuaj, ia keni borxh këtë kombit tuaj dhe ia keni borxh këtë vetes tuaj”. Kjo është thirrja që Withers bëri pak ditë më parë, gjatë fjalës së tij për të gjithë komunitetin e gazetarëve. Ai e cilësoi tragjike dhe të papranueshme dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Baze. Withers theksoi se një ngjarje e tillë ndodh në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron për integrimin në BE. “Por, ky incident ka implikime dhe pasoja më të mëdha sesa thjesht akti i këtij sulmi. I tillë është edhe ky moment sot për Shqipërinë. Shqipëria është një vend në prag të integrimit në disa nga institucionet më të rëndësishme, më të mirënjohura ndërkombëtare që ne kemi. Është tashmë anëtare e NATO-s dhe po përpiqet të jetë anëtare e Bashkimit Europian. Shqipërisë i duhet të provojë se është e denjë për anëtarësinë në këto aleanca të mëdha. Dhe unë ju them sot se një provë e gatishmërisë suaj do të jetë se si institucionet e këtij vendi do t’i përgjigjen sulmit të kolegut tonë Mero Baze”, - është shprehur Withers, ndërsa u ka bërë thirrje organeve të Drejtësisë që të reagojnë sa më parë. “Unë e përshëndes apelin e Berishës për hetim të plotë dhe të menjëhershëm të fakteve dhe që sistemi i Drejtësisë në Shqipëri ta kryejë procesin pa ndërhyrje”, - është shprehur Withers, ndërsa theksoi se do të ishte e papranueshme në rast se nuk do të ndodhë asgjë pas këtij incidenti.
Europarlamentarët: Zgjidhni krizën politike për të marrë liberalizimin e vizave
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në takimin e parë të zhvilluar dje në Bruksel, ka marrë të njëjtën këshillë që ambasadorët e BE-së në Tiranë i bënë dje klasës politike shqiptare dhe që është zgjidhja e krizës politike në vend dhe rikthimi i opozitës në Kuvend. Pas takimit me raporterin e Parlamentit Europian, Nikolaos Chountis, ky i fundit deklaroi se komuniteti ndërkombëtar shpreson që palët të zgjidhin problemet politike të krijuara, në mënyrë që të arrihen edhe objektivat për të cilat Shqipëria ka aplikuar. “Shpresojmë shumë që problemet e brendshme në Shqipëri do të zgjidhen shpejt, në mënyrë të përgjegjshme nga qytetarët dhe partitë politike shqiptare, me qëllim që të arrihen më mirë objektivat e tyre”, - u shpreh Chountis. Nga ana e tij, Meta u shpreh se i ka shpjeguar zyrtarit rrethanat e krijuara pas bojkotit të opozitës. “I shpjegova se qeveria është e angazhuar të bëjë ç’është e mundur, brenda kompetencave të saj, pa cenuar pavarësinë e Gjyqësorit dhe vendimeve të tij, për të ruajtur stabilitetin politik dhe për të vijuar reformat integruese”, - u shpreh Meta.
Vetëm një ditë më parë, ambasadorët europianë të akredituar në Tiranë i kanë bërë thirrje klasës politike shqiptare për arritjen e kompromisit për të dalë nga kriza politike e krijuar për shkak të mungesës së opozitës në Kuvend. Tetë ambasadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, gjatë fjalës së mbajtur në një konferencë të organizuar me rastin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, janë shprehur se faktori politik shqiptar duhet të gjejë gjuhën e përbashkët dhe të dalë nga situata e krijuar. Sipas ambasadorëve, u takon pozitës dhe opozitës gjetja e kompromisit dhe se faktori ndërkombëtar nuk duhet të ndërhyjë në një situatë të tillë. “Që të jeni pjesë e Bashkimit Europian duhet t’i zgjidhni vetë problemet tuaja, e jo të prisni ndërhyrje nga jashtë”, - ka qenë deklarata e ambasadorit austriak në Tiranë, Florian Rauning. Madje kjo fjali tregon qartë qëndrimin e përbashkët të të gjithë përfaqësuesve të Bashkimit Europian në Shqipëri. Duke qartë se kjo situatë po vëzhgohet më vëmendje nga ndërkombëtarët, të cilët kanë vendosur thjesht të monitorojnë pa marrë rolin e negociatorit. Kjo është hera e parë që klasa politike shqiptarë duhet të tregojë se di t’i zgjidhë vetë problemet, pa ndihmën e ambasadorëve. Por deri tani situata është në ngërç. Opozita vazhdon bojkotin duke thelluar protestat për shkak të mosrealizimit të kërkesave nga maxhoranca. Ndërsa qeveria nuk ka asnjë plan konkret për rikthimin e opozitës në Kuvend.
Gjatë ditës së sotme pritet që ministri i Jashtëm Meta të zhvillojë një takim me komisionerin europian për Zhvillimin, Oli Ren.
11 Nentor 2009