E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Ligji antimafia është antikushtetues. PD: PS-ja është e frikësuar



Partia Socialiste ka reaguar ndaj projektligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, ose siç quhet ndryshe, “Ligji antimafia”. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, tha se ky projektligj, nga disa amendime të veçanta, po formësohet si një ligj i ri, duke zgjuar objektin dhe kategoritë mbi të cilin zbatohet, por pa u justifikuar qartë se përse është i nevojshëm një zgjerim i tillë dhe sa problematik ka qenë zbatimi i ligjit në fuqi, nisur nga fakti që një ligj i tillë ka mbi 5 vjet që zbatohet. Gjiknuri tha se ky ligj bie ndesh me vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë, i cili përcakton se sekuestrimi mund të zbatohet vetëm kur ka një dyshim të arsyeshëm. “Projekti i ri i maxhorancës ‘Berisha’ jo vetëm që nuk e respekton këtë standard demokratik, por synon të përfshijë si subjekte të këtij ligji çdo person apo qytetar, mjafton që ai të demonstrojë një nivel të caktuar jetese, i cili mund të mos përputhet me të ardhurat e tij. E thënë ndryshe, çdo qytetar që mund të ketë vënë pasuri mund të jenë subjekt i masave të këtij ligji, që do të thotë pasuria e tij mund të sekuestrohet dhe ai duhet të japë llogari se si e ka krijuar këtë pasuri, dhe njëkohësisht ligji u jep kompetenca të gjera Policisë e Prokurorisë, pavarësisht nga përfshirja ose jo e personit në aktivitetet kriminale që parashikon ligji. Ky ligj, në mënyrë krejt antikushtetuese, merr përsipër të amendojë ligje që kërkojnë 3/5 e votave për miratim, pasi de facto amendon Kodin e Procedurës Penale apo ligjin “Për Gjykatën e Krimeve të Rënda”. Nuk është e rastit që shoqatat e avokatëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve e kanë kundërshtuar miratimin e këtij ligji, si dhe kanë paralajmëruar rreziqet që mund të vijnë prej zbatimit të tij. Partia Socialiste thekson se miratimi me nxitim dhe pa u konsultuar i këtij ligji nga ana a maxhorancës ka gjasa të kthehet në një problem për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore. Në vend të nxitimit dhe dezinformimit për gjoja arsyet e miratimit të tij, maxhoranca do të bënte mirë të shtynte miratimin e tij në Kuvend dhe të zgjeronte rrethin e konsultimit me të gjithë aktorët e interesuar, si dhe të sqaronte e korrigjonte dispozitat që kanë ngjallur reagim publik si burim i mundshëm abuzimi”, - tha Gjiknuri. Ndaj deklaratës së deputetit socialist ka reaguar dje Partia Demokratike me anë të zëdhënëses Erla Mëhilli. Ajo e quajti të paprecedentë qëndrimin kundërshtues ndaj një ligji që synon të luftojë krimin e organizuar. “Frika nga ligji antimafia i Partisë Socialiste është një shenjë ndjellakeqëse e madhe për këtë parti, po edhe për vendin.
Nuk ka vend në botë ku opozita të ngrihet e të mos kërkojë forcimin e ligjit antimafia si një kusht kryesor për luftën kundër krimit të organizuar. I rikujtojmë opozitës se ky është një ligj i kërkuar nga Bashkimi Europian në kuadër të liberalizimit të vizave”, - tha zëdhënësja e Partisë Demokratike.

11 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›