E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pellumbi:Lufta midis të "rinjëve" dhe të "vjetërve" në PS

Ish-nënkryetari I Partisë Socialiste në fillimvitet 90, Servet Pellumbi një pjesë të mirë të librit të vet "Demokracia dhe zeri i moralit" ia kushton përpjekjeve për cc'ideoligjizimin e Partisë Socialiste nga idetë dhe filozofia komuniste. Në këtë pjesë të fundit që po botojmë sot ai tregon vështirësitë me të cilat u ballafaqua ky process dhe tentativat e herëpashershme për ti ndarë anëtarët dhe drejtuesit e lartë të PS-së në të vjetër dhe të rinjë.

 

Fragment i shkëputur nga pjesa "Deformimet e pluralizmit politikë"

Në fillim faktet

Pas botimit të librit Pluralizmi politik-përvojë dhe sfida, plot një vit më parë, mendova se nuk do të kisha të bëja më me këtë temë. Të paktën jo kaq shpejt. Por nuk qenka e thënë të ndahem nga problemi me të cilin, në një formë apo në një tjetër, jam marrë që nga viti 1989. Gjatë shtatorit 2007 rrodhën disa ngjarje dhe u bënë disa deklarime politikanësh për të cilat është pak të thuash se injorojnë arritjet e pluralizmit politik, sepse në të vërtetë reflektojnë injorancë politike dhe nxitje artificiale të tensioneve dhe konflikteve brenda sistemit politik. Në mbështetje të këtij mendimi, po sjell në fillim, pak a shumë me hollësi, disa fakte.

Më 16 shtator u përkujtua 65-vjetori i Konferencës së Pezës, që hodhi themelet e Frontit Nacionalçlirimtar të popullit shqiptar dhe, siç pritej, u shndërrua në një festë vetëm të forcave politike të majta, shoqëruar me muzikë rrok. Njëlloj si për festën e çlirimit të Shqipërisë, që të majtë dhe të djathtë e festojnë të ndarë dhe në data të ndryshme. Ç'ka të veçantë atëherë në Pezën e këtij viti? E veçanta ka të bëjë kësaj here me ish-komunistin Sali Berisha, që tani është kryeministri i këtij vendi dhe të cilit i takonte që jo vetëm të merrte pjesë në festën popullore të Pezës, por edhe ta organizonte dhe ta drejtonte atë. Dhe kryeministri jo vetëm nuk arriti ta bënte një hap të tillë civilizues, por nuk ngurroi të hidhej në sulm për të denigruar përvjetorin e Pezës, duke e paraqitur atë ngjarje si një "konferencë komuniste", ndërsa pjesëmarrësit në festë, si ekstremistë dhe nostalgjikë. Ndërkaq, duke fryrë edhe fakte të izoluara, si në rastin kur ndonjë qytetar mbante në duar një fotografi të Enver Hoxhës apo ndonjë tjetër një "slogan komunist", Berisha shpejtoi të kërkonte nga Kuvendi miratimin e një rezolute për dënimin dhe ndarjen nga komunizmi dhe nga Enver Hoxha. Pra rezulton se një gjë e tillë nuk qenka bërë deri sot, pra pas 17 vjetëve. Megjithatë, njerëzit dhe mediat nuk u gabuan dhe e kuptuan ashtu siç ishte në të vërtetë: një "shashkë" për të tërhequr vëmendjen nga kriza ekonomike dhe kriza e qeverisjes që po kalon vendi, nga prirja totalitariste e përqendrimit të pushteteve në një dorë kryeministrore, nga synimi për të diktuar deri dhe për rishkrimin e historisë apo për t'u përzier deri dhe në mënyrën e organizimit të institucioneve shkencore dhe artistike. Ndërkohë, kritikat e opozitës për qeverisjen e tij, në mbledhjen e 1 tetorit 2007 të grupit parlamentar të PD-së, Berisha i quajti "të dala nga skutat më të errëta..."

Pas sulmit "antikomunist" të Berishës, nis të xhirojë edhe "lëvizja Nano". Goditja drejtohet po kundër PS-së dhe të majtës në përgjithësi, veçse kësaj here nga "brenda kështjellës". Sipas Nanos, PS-ja qenka tjetërsuar, qenka bërë staliniste; Edi Rama paska degjeneruar "në një fshatar pezak", ndërsa sipas zëvendësit të tij në katarsisin e edicionit 2007, Rama qenka bërë Stalin! Përjashtimi i gjashtë deputetëve që votuan në kundërshtim me vendimin e grupit parlamentar për zgjedhjen e presidentit nga e djathta, e transformuaka krejt natyrën e PS-së, prandaj, nanoistët, kudo që janë, duhet të bashkohen me Nanon, që këtij t'i kthehet "prona", të marrë partinë dhe ta bëjë atë "europiane"! Ec e thuaj pas kësaj se Nano e Berisha nuk i bashkërendojnë goditjet. Në shënjestër për të dy është PS-ja, që po merr forcë dhe pamje të re në një proces reformimi. Zoti P. Koçi thotë se "lëvizja Nano e forcon PS-në", veçse deri më sot asnjëherë nuk ka ndodhur e nuk mund të ndodhë as në të ardhmen ndonjë forcim nga "aksionet përçarëse të ish-ëve", veçanërisht kur ato iniciohen e drejtohen nga ai që pretendon se është "themelues" dhe që prapa i "vjen historia". Veçse, dihet, historia gjithnjë vjen pas ngjarjeve, por tërë çështja e saj është që të mos vijë siç i erdhi Ballaban Pashës.

Më 29 shtator 2007, Partia Socialiste, në një takim me personalitete nga radhët e politologëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, shpalli krijimin e një fondacioni me emrin "Qemal Stafa". Një shembull i vonuar, nëse mbajmë parasysh përvojën e shumë partive të majta europiane. Por edhe parti të tjera, veçanërisht PD-ja, mund ta ndiqnin shembullin e homologeve të tyre në Europë dhe më gjerë. Një mundësi kjo për të zbutur disi situatën që ka krijuar politika pa ide dhe në kundërshti të thella me moralin qytetar. Por është për të ardhur keq që, në vend të një fjale të mirë për iniciativën e ndërmarrë, u bënë sulme nga më absurdet e mundshme. Një e përditshme, që si për çudi po shfaq kohët e fundit një irritim të bezdisshëm nanoist, që të nesërmen e kësaj ngjarjeje do të shkruante se ekziston rreziku "që PS-ja të rikthehet në ideologjinë komuniste". Me Qemal Stafën si simbol i mendimit politik, që qenka vrarë "jo si partizan, por si komunist", kjo qenka e sigurt! Por zbulimi nuk ndalet këtu. Na dalka që ky fondacion me emrin Qemal Stafa qenka "edhe një sinjal që Rama i jep Moskës se e majta shqiptare po i rilidh fijet me të"!

Fushata "antikomuniste" vazhdon. Ndërsa një e përditshme tjetër, e drejtuar nga ish-komunistë, besoj se do të ketë habitur edhe vetë zotin Berisha, iniciuesin e fushatës më të fundit "kundër rrezikut komunist". PS-ja, sipas kësaj të përditshmeje, as që ka dhe as ka pasur ndonjëherë orientim socialdemokrat; ajo qenka me "trashëgimi kriminale dhe antikombëtare", "një bandë kusarësh, vrasësish dhe gangsterësh kuazipolitikë". "Komunizmi dhe komunistët shqiptarë ishin mafiozët e fshehur pas ideologjisë". "Enveri ishte një bandit si Al Kapone, Laki Luçiano, Vito Xhenoveze etj". Për këtë qëndrim "të fortë", sipas të thënave, kjo e përditshme dy ditë më parë qenka përgëzuar direkt nga Berisha! Dhe, ndërsa në adresë të PS-së dhe drejtuesve aktualë të saj nuk lenë gjë pa thënë dhe epitet pa përdorur, nuk thuhet asnjë fjalë për tri partitë komuniste që ekzistojnë prej vitesh, apo për Partinë e Punës të Rikrijuar, që mbrojnë të kaluarën komuniste me fanatizëm - edhe pse grinden midis tyre si në kohën e "grupeve komuniste".

Kuptohet, Berishën me të vetët nuk e shqetëson "komunizmi" si i tillë, por PS-ja dhe e majta si opozitë. Thjesht duan ta mbajnë atë nën presion ideologjik, ta frikësojnë me mosreformimin si dikur, t'i dobësojnë mbështetjen brenda dhe jashtë vendit. Para panikut që sjell "shkarja e tokës nën këmbë", harrojnë t'i matin fjalët, të paktën për të mos shkelur ligjin mbi partitë dhe Kushtetutën. Me akuzat që formulojnë, mbetet që të kërkohet nxjerrja jashtë ligjit e PS-së, e forcës kryesore opozitare. Ja, paradoksi më banal i pluralizmit në mendjet e mykura të antikomunistëve shqiptarë të fillimit të mijëvjeçarit të tretë. Ndërkohë, po përgatitet dekorimi i bashkëpunëtorëve më në zë të fashizmit.

Çideologjizimi – hap i rëndësishëm emancipues

...... Partisë Socialiste, më shumë se çdo partie tjetër, iu desh të merrej dhe të trajtonte çështje të rëndësishme të natyrës teorike dhe ideologjike. Për më tepër në kushtet e një alergjie të përgjithshme ndaj çështjeve të tilla, kur gjithë vëmendja përqendrohej në përmbysjen pa dallim të sistemit të vlerave të mëparshme, pa ditur nëse duhej ose jo diçka tjetër në vend të tyre. Koalicioni i partive të djathta, që erdhi në pushtet në mars të vitit 1992, edhe pse mori përsipër barrën e rëndë të realizimit të reformave standarde të ekonomisë së tregut dhe të demokracisë pluraliste, nuk tregonte asnjë interes për filozofinë politike të liberalizmit që, si rregull, përbën "ideologjinë" e të djathtëve. Gjithë angazhimi i tyre "ideologjik" përqendrohej në luftën kundër opozitës së majtë, kryesisht kundër PS-së, të cilën e trajtonin si parti që vazhdonte të ngulte këmbë tek ideologjia që ruante emrin e Marksit që në hyrjen e programit dhe që, për pasojë, qenkësh partia e mëparshme komuniste, por me emër tjetër! Ndërkaq, PS-ja shpesh karakterizohej nga zënia e pozitave mbrojtëse.

Si zëvendëskryetar i PS-së, i ngarkuar me çështjet politike dhe ideo-teorike, në ato vite jam marrë në mënyrë të posaçme me përpunimin e dokumenteve bazë të partisë, si dhe me argumentimin e qenies së PS-së një parti e majtë me profil të qartë socialdemokrat. Dëshmi për këtë janë shkrimet e shumta të botuara në shtypin e kohës, më kryesoret prej të cilave i përmblodha më pas në librin Dritëhije të tranzicionit. Kështu që, në Konferencën e Parë Kombëtare të PS-së (nëntor 1991), ndër të tjera do të theksoja: "Vihet re një alergji e theksuar ndaj problemeve teorike e veçanërisht ndaj ideologjisë, gjë që ka arsyet e veta, por që më tej nuk mund të përligjet... Sot ne kemi nevojë të mos kënaqemi me pritjen e ngjarjeve, kemi nevojë për analiza më të thella të shkaqeve që sollën dështimin e modelit totalitar të socializmit, çka kërkon zbulimin e dobësive serioze të vetë teorisë mbi të cilën mbështetej" (f. 39).

Në këtë periudhë kam nënvizuar në mënyrë të veçantë, së pari, se duhen bërë dallimi ndërmjet Marksit dhe marksizmi si një shkollë e mendimit ekonomik, social e filozofik, që ka vendin e vet në mozaikun e ideve të kohës, nga koncepti ideologjik komunist i marksizëm-leninizmit, nga i cili rrodhi konfrontimi ideologjik dhe intoleranca e skajshme. Së dyti, se edhe mendimet autentike të Marksit, edhe pse përmbajnë plot elemente racionalë, nuk mund të mos kenë kufizime të shumta historike dhe që, për këtë arsye, nuk mund të shërbejnë si burim i vetëm për t'u dhënë përgjigje çështjeve që shtron zhvillimi i sotëm. Së treti, forcat reformatore socialiste janë për një alternativë teorike të hapur ndaj realitetit social, që ngulmon në pluralizmin e ideve dhe të teorive, në çideologjizimin e mendimeve dhe këndvështrimeve, në dialogun dhe konkurrencën e alternativave të ndryshme. Thënë ndryshe, ne u shprehëm për atë tip shoqëror që çmon mendimin e lirë, që gjykon në mënyrë të pavarur, që gjithçka ia nënshtron analizës, që i ndryshon dhe i zhvillon pikëpamjet e veta në përputhje me kushtet konkrete historike.

Në ato vite, kur ishte relativisht më e lehtë të mohoje të vjetrën apo zakonin e keq për ta matur çdo gjë me kutin ideologjik, por shumë më e vështirë për të mos lejuar rënien në boshllëk, në një politikë pa ide e që zvarritet në spontanitet e amulli, na shkoi mendja të krijonim një fondacion të ngjashëm me këtë që është krijuar tani nga PS-ja. Për këtë qëllim, të ftuar nga PSD-ja e Gjermanisë dhe PSD-ja e Austrisë, në vitet 1994-1995, ndër të tjera kemi kontaktuar me fondacionet përkatëse, "Fridriht Ebert" (Bon) dhe "Karl Rener" (Vjenë), për të parë mënyrën e organizimit dhe për të kërkuar mbështetje, që na u premtua madje me një lloj kënaqësie dhe entuziazmi. Drejtuesit e këtyre fondacioneve e shihnin këtë hap tonin, siç na e pohuan vetë, si një mundësi të re për të shënuar arritje cilësore në partitë e reja socialdemokrate të vendeve të tilla si Shqipëria, që kanë dalë nga një regjim totalitar. Madje fondacione të tilla ishin krijuar ndërkaq në Bullgari, Hungari dhe gjetkë.

Problemin e shtruam në kryesinë e partisë, informuam edhe për mbështetjen e premtuar, që ishte mjaft konkrete. Drejtorja e akademisë "Karl Rener" më kishte shprehur dëshirën që të vinte vetë me disa bashkëpunëtorë për të ndihmuar në vend. Por, është për të ardhur keq që kjo iniciativë nuk gjeti jehonën e mbështetjen e duhur në PS, duke filluar që nga kryetari i burgosur në Bënçë. Madje kishte dhe profesorë të profileve të shkencave të sakta dhe natyrore që filluan të flisnin poshtë e lart: "Profesori, që vazhdon të punojë me skeda, do tani të na krijojë dhe shkollë partie!"

Ishte koha kur, pas sulmeve të Berishës "kundër marksistit Pëllumbi", edhe në PS filloi të merrte përmasa shqetësuese një lloj "lufte" midis të rinjve dhe të vjetërve, midis "marksistëve" dhe "malëshovistëve".

Ndërsa Nanoja, pas një ngurrimi të motivuar, në një letër drejtuar kryesisë së partisë (zakonisht letrat m'i drejtonte mua si zëvendëskryetar) kërkoi lënien mënjanë të polemikave dhe se "emrin e Marksit nga programi do ta heqë kongresi". Ndërsa më vonë, pas zgjedhjeve të dhunuara të 26 majit 1996, bashkë me emrin e Marksit kërkoi edhe largimin e "marksistëve" të identifikuar me nënkryetarët, "me guralecët"! Pas kësaj, siç dihet, unë dhashë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake dhe kështu u mbyll edhe problemi i fondacionit. Dhe PS-ja, sidomos pas ardhjes në pushtet në vitin 1997, në vend që ta përpunonte më tej profilin e saj socialdemokrat dhe të propagandonte parimet mbi të cilat mbështetet dhe vepron si forca kryesore politike e së majtës, e la fare pas dore këtë punë. Për të mos thënë që bëri të kundërtën: u shkëput nga shtresat që, sipas programit, përbëjnë bazën e saj sociale, shpalli si "program-bibël" të vetin programin qeverisës me të cilin Nanoja mori votëbesimin në Kuvend (korrik 1997), ndërsa me ndryshimet e shpeshta statutore, PS-ja herë del si "parti elektorale", herë si "parti e biznesit" dhe herë tjetër si "parti e të gjithë shqiptarëve". "Fabrika e ideve" duket sikur ka mbetur pa lëndë të parë dhe xhiron në boshllëk. Prandaj fondacioni i porsakrijuar, qoftë dhe sikur të merret vetëm me mbushjen e "boshllëkut" të krijuar, do ta përligjte veten plotësisht në kushtet kur PS-ja është përfshirë në një proces aktiv reformimi dhe rinovimi.

 

"Për të mos lejuar rënien në boshllëk, në një politikë pa ide e që zvarritet në spontanitet e amulli, na shkoi mendja të krijonim një fondacion të ngjashëm me këtë që është krijuar tani nga PS-ja ( si Fondacioni Qemal Stafa). Për këtë qëllim, të ftuar nga PSD-ja e Gjermanisë dhe PSD-ja e Austrisë, në vitet 1994-1995, ndër të tjera kemi kontaktuar me fondacionet përkatëse, "Fridriht Ebert" (Bon) dhe "Karl Rener" (Vjenë).

Problemin e shtruam në kryesinë e parties, por, është për të ardhur keq që kjo iniciativë nuk gjeti jehonën e mbështetjen e duhur në PS, duke filluar që nga kryetari i burgosur në Bënçë. Madje kishte dhe profesorë të profileve të shkencave të sakta dhe natyrore që filluan të flisnin poshtë e lart: "Profesori, që vazhdon të punojë me skeda, do tani të na krijojë dhe shkollë partie!"

"Ishte koha kur, pas sulmeve të Berishës "kundër marksistit Pëllumbi", edhe në PS filloi të merrte përmasa shqetësuese një lloj "lufte" midis të rinjve dhe të vjetërve, midis "marksistëve" dhe "malëshovistëve".

Ndërsa Nanoja, pas një ngurrimi të motivuar, në një letër drejtuar kryesisë së partisë (zakonisht letrat m'i drejtonte mua si zëvendëskryetar) kërkoi lënien mënjanë të polemikave dhe se "emrin e Marksit nga programi do ta heqë kongresi". Ndërsa më vonë, pas zgjedhjeve të dhunuara të 26 majit 1996, bashkë me emrin e Marksit kërkoi edhe largimin e "marksistëve" të identifikuar me nënkryetarët, "me guralecët"!

"Pas sulmit "antikomunist" të Berishës per festimet e Pezës, nis të xhirojë edhe "lëvizja Nano". Goditja drejtohet po kundër PS-së dhe të majtës në përgjithësi, veçse kësaj here nga "brenda kështjellës". Sipas Nanos, PS-ja qenka tjetërsuar, qenka bërë staliniste; Edi Rama paska degjeneruar "në një fshatar pezak", ndërsa sipas zëvendësit të tij në katarsisin e edicionit 2007, Rama qenka bërë Stalin! Përjashtimi i gjashtë deputetëve që votuan në kundërshtim me vendimin e grupit parlamentar për zgjedhjen e presidentit nga e djathta, e transformuaka krejt natyrën e PS-së, prandaj, nanoistët, kudo që janë, duhet të bashkohen me Nanon, që këtij t'i kthehet "prona", të marrë partinë dhe ta bëjë atë "europiane"! Ec e thuaj pas kësaj se Nano e Berisha nuk i bashkërendojnë goditjet".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›