Ambasadori Wizner Akuzat ndaj Kosoves jane te cmendura
Ambasadori amerikan, Frank Wisner, përfaqësuesi amerikan i treshes ndërkombëtare që ndërmjetësoi bisedimet ndërmjet Beogradit e Prishtinës, para pavarësisë, në një intervistë që i dha RTV21, akuzat e Dick Marty-t për kreun e Kosovës dhe të UÇK-së i ka quajtur të çmendura. “Edhe pse nuk di diç më shumë sesa ajo që është thënë në media, unë jam thellësisht skeptik ndaj këtij raporti. Mirëpo, skepticizmi im nuk është i rëndësishëm, por ajo që është thënë në këtë raport duhet të argumentohet, pra po qe se ka fakte dhe argumente që mbështesin ato që janë thënë në raport, ato duhet t'u dorëzohen autoriteteve në Kosovë. Kosova është vend i rendit dhe ligjit, ka sistemin juridik, ka prokurorinë dhe jam i sigurt se po qe se argumentohet se është kryer vepër apo krim, autoritetet në Kosovë do ta hetojnë në tërësi, ashtu siç pret edhe komuniteti ndërkombëtar që të trajtohet ky problem. Tani radha është te Marty dhe informatorët e tij që të sjellin argumente dhe ta vendosin në kanalet adekuate dhe derisa të bëhet kjo, gjë që unë për veten time nuk e besoj, them që ta lëmë procesin të zhvillohet dhe pastaj të gjithë do ta kuptojmë të vërtetën. Unë e di se qeveria e Kosovës i ka mohuar akuzat dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua, sepse qeveritë nuk bëjnë mohime pa argumentime. Pra, t’ia lëmë drejtësisë ta ndajë drejtësinë”, tha Wisner. Duke iu referuar kohës së paraqitjes së raportit, ai vlerësoi se ka kurdisje dhe koordinim me kohën e zgjedhjeve, kurse lidhur me pohimet se Dick Marty është pro serb dhe antikosovar e anti-UÇK, ai tha: “Do të isha i kujdesshëm dhe nuk kisha dashur ta potencoj”. “Të thënat në raportin e tij janë risi për mua! E vetmja që kohë pas kohe vinte para nesh ishin deklarimet e palës serbe se ne e dimë me kë kemi të bëjmë. Asnjëherë nuk është bërë pjesë e negociatave për statusin final, asnjëherë nuk është bërë pjesë legale, asnjëherë nuk është sjellë ndonjë e dhënë, ndonjë informatë apo diçka tjetër! Kurrë para meje nuk ka ardhur asnjë gjë lidhur me këtë, as edhe një informata më e vogël, fare!!!”. Në pyetjen se a mendon që kjo do ta dobësojë pozitën e Kosovës në procesin e bisedimeve me Beogradin, Wisner vlerësoi se kjo nuk do ta dobësojë pozitën e Kosovës. “As në pikëvështrimin tim dhe jam i sigurt as në pikëvështrimin e SHBA-së. Nuk do ta ndryshojë as perceptimin e Serbisë për legalitetin e pavarësisë së Kosovës”, tha diplomati amerikan.