E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori amerikan: Imuniteti të mos përdoret si strehë nga të inkriminuarit

Withers bën thirrje për heqjen e imunitetit të deputetëve. Ambasadori amerikan i kërkon Berishës të mbajë premtimin

Eljona Ballhysa
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, i bëri dje thirrje politikës shqiptare që të heqë imunitetin për deputetët dhe zyrtarët e lartë. Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën për integrimin, Withers u shpreh se imuniteti nuk duhet të përdoret kurrsesi si një strehë për personat e inkriminuar. Ai kujtoi deklaratën e disa kohëve më parë të kryeministrit Berisha, i cili angazhohej publikisht për shembjen e murit të imunitetit. Ndërkohë që një nga ministrat më të akuzuar të qeverisë “Berisha”, “shpëtohet” nga gjykimi për shkak se gëzon imunitetin e deputetit. Bëhet fjalë për ministrin e Mjedisit, Fatmir Mediu, për të cilin Gjykata e Lartë pak kohë më parë pushoi çështjen për shkak se ka rifituar imunitetin e deputetit, gjë që nuk lejon vazhdimin e gjykimit dhe hetimit për këtë person. Pikërisht deklarata e ambasadorit amerikan “bie si një kambanë” për këtë çështje, por edhe për çështje të tjera që lidhen me hetimin e personave imunitarë.
Thirrja
Ambasadori amerikan, gjatë fjalës së mbajtur në një konferencë mbi sfidat e integrimit, risolli në vëmendje deklaratën e zëvendëssekretarit amerikan për çështjet europiane në Departamentin e Shtetit, zoti Xhons, i cili është shprehur për qeverinë shqiptare disa ditë më parë para Komitetit të Helsinkit se “SHBA-të vazhdojnë të inkurajojmë qeverinë për të rritur mbështetjen e saj për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të pavarura gjyqësore dhe atë të Prokurorisë, si dhe për heqjen e imunitetit parlamentar në rastet përkatëse”. Më tej ambasadori amerikan, ndërsa ka komentuar këtë deklaratë, ka bërë të ditur se imuniteti nuk duhet të përdoret si strehë nga personat e inkriminuar. “Ajo shprehje nënkuptonte që imuniteti nuk duhet të sigurojë strehë për ata që përballen me masa ligjore dhe në ndjekje penale. Nuk duhet të jetë dhe një mundësi për të mbrojtur atë që është fajtor dhe për t’i mbajtur ata persona në pozita drejtuese”, - theksoi Withers gjatë fjalës së tij. “Të mos fshihesh pas petkut të ligjit për të mbrojtur interesat personale. Të gjithë e dimë që këto dispozita hynë në fuqi në fazat e hershme të zhvillimit demokratik në Shqipëri, ku nevoja për t’i mbrojtur këta zyrtarë nga abuzimet e qëllimshme penale, justifikonte dhënien e plotë të imunitetit. Tashmë Shqipëria ka bërë përparime dhe duhet ta vërë në peshore këtë”, - vijoi ambasadori. Diplomati amerikan vazhdoi më tej duke u shprehur se “imuniteti nuk duhet të minojë perceptimin e publikut për integritetin dhe sistemin politik e gjyqësor”. John Withers i kujtoi më tej kryeministrit Berisha që të mbante premtimin për shembjen e murit të imunitetit. “Disa muaj më parë kryeministri Berisha tha se përpjekje të mëdha duhen bërë që Shqipëria të shembë murin e imunitetit. Ne vetëm mund të duartrokasim dhe mirëpresim pikëpamjen e kryeministrit dhe ne shpresojmë që qëllimet e tij të bëhen realitet në të ardhmen e afërt”, - është shprehur ambasadori i SHBA-ve në Tiranë.
Precedenti
Deklarata e Withers-it vjen në kohën kur Fatmir Mediu, aktualisht ministër i Mjedisit, i akuzuar si një ndër përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit, i shpëtoi ndjekjes penale falë imunitetit të marrë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Vendimi u mor nga Gjykata e Lartë, e cila e pushoi çështjen me argumentimin se Mediu ishte i veshur me imunitetin e deputetit.
Opozita dhe familjarët e viktimave të tragjedisë reaguan kundër këtij vendimi dhe vazhdojnë të kërkojnë rihapjen e çështjes penale ndaj ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ndërsa kryeministri Berisha, menjëherë pas pushimit të çështjes nga Gjykata e Lartë, në një deklaratë për mediat, u shpreh se nuk njeh imunitet për ministrat dhe deputetët e maxhorancës. Por kjo deklaratë e Berishës erdhi në një moment kur ai e kishte emëruar ministër të Mjedisit Fatmir Mediun, duke i dhënë më shumë pushtet në një kohë kur ai ishte ende në gjykim.

24 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›