Meta: “Jemi gati të heqim imunitetin, por na duhen votat e opozitës”
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka përshëndetur dje deklaratën e ambasadorit amerikan për heqjen e imunitetit, ndërsa ka shprehur vullnetin e qeverisë dhe të maxhorancës për të marrë këtë vendim. Por, zëvendëskryeministri u shpreh se për të hequr imunitetin duhen edhe votat e deputetëve të opozitës në Kuvend. “E përshëndes deklaratën e ambasadorit Withers për kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë. Dua t’ju siguroj se ne jemi të hapur në çdo moment ta realizojmë edhe nga pikëpamja institucionale, por për këtë duhet edhe mirëkuptimi i opozitës, sepse është një veprim shumë i rëndësishëm. Ne, çdo moment që opozita do të jetë gati dhe do të japë mbështetje për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, jam absolutisht i sigurt që maxhoranca do ta avancojë këtë proces, pasi ka shprehur vullnetin e saj për t’i hapur rrugë Drejtësisë për çdo çështje që ka të bëjë me hetimin e cilitdo, përfshi edhe ata që gëzojnë sot imunitet”, - është shprehur ministri i Jashtëm. Këtë deklaratë Meta e bëri dje, në një konferencë për shtyp, gjatë së cilës ai vlerësoi raportin e kreut të OSBE-së, Robert Bosh, të paraqitur një ditë më parë në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë. “Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për vëmendjen dhe seriozitetin me të cilin Këshilli i Përhershëm i OSBE-së dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ndjekin dhe diskutojnë zhvillimet në vendin tonë. Në deklaratën e ambasadorit Bosh dje, në mbledhjen e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, vlerësohen dhe evidentohen arritjet e Shqipërisë në të gjitha fushat e mandatit të Pranisë, arritjet në procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërisë në përgjithësi, si dhe në veçanti zhvillimi i zgjedhjeve të 28 qershorit, të cilat shënuan progres të prekshëm dhe realizuan shumicën e angazhimeve të OSBE-së”, - është shprehur Meta. Ndërsa përsa i përket bojkotit të opozitës, zëvendëskryeministri u shpreh se maxhoranca është e hapur të nisë dialogun me opozitën. “Maxhoranca ka afruar të gjitha mundësitë dhe hapësirat që lejon sistemi ynë kushtetues dhe institucional dhe askush nuk duhet të kërkojë nga një maxhorancë që të ndryshojë thelbin e këtij sistemi, i cili ka të bëjë me pavarësinë e pushteteve, ku element kyç mbetet pavarësia e Gjyqësorit. Gjithçka tjetër është e hapur për t’u diskutuar dhe për t’u zgjidhur me dialog”, - është shprehur Meta.
24 Tetor 2009