E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori amerikan Wendt nis detyrën, dorëzon letrat kredenciale Presidentit Begaj

Trump propozon Eric Wendt si ambasador i SHBA-së në Shqipëri

Eric Wendt dorëzoi sot letrat kredenciale te Presidenti Begaj, ndërsa nisi zyrtarisht detyrën si ambasador i SHBA në Shqipëri

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt u takua në Pallatin e Brigadave me Presidentin Bajram Begaj, dhe dorëzuat letrat kredenciale duke nisur zyrtarisht detyrën e tij diplomatike në Tiranë.

Wendt mbërriti një ditë më parë në Shqipëri. Ai u prit në aeroport nga drejtues të protokollit të shtetit dhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së.

Gjatë dëgjesës në Senatin amerikan javë më parë, Wendt prezantoi katër prioritete që do të udhëheqin mandatin e tij në Shqipëri.

Prioriteti i parë është mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-së, përfshirë mbështetjen për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.

Sponsorizuar

Prioriteti i dytë lidhet me mbështetjen e progresit të Shqipërisë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.

Në fokus do të jetë edhe diplomacia ekonomike dhe tregtare, ndërsa prioriteti i katërt lidhet me stafin e Ambasadës, përmes një linje pune që Wendt e ka quajtur “Faktorët njerëzorë”, me synimin për të përdorur mënyra standarde dhe kreative në funksion të misionit diplomatik.

Ish-gjenerali Eric Wendt nis misionin e tij në Shqipëri pas një periudhe rreth trevjeçare pa një ambasador amerikan të emëruar në Tiranë, që prej përfundimit të mandatit të Yuri Kim në qershor 2023.

Dorëzimi i letrave kredenciale në Pallatin e Brigadave pritet të shoqërohet edhe me një takim kokë më kokë mes Presidentit Bajram Begaj dhe ambasadorit Wendt, përtej ceremonisë zyrtare.

Të mërkurën, ambasadori amerikan pritet të zhvillojë takimin e parë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Ndërkohë, më 2 tetor, Ambasada Amerikane në Tiranë pritet të organizojë në një hotel në qendër të kryeqytetit ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri. a.b

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›