E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori amerikan tërhiqet për shkaqe sigurie nga Siria

Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr nga Siria ambasadorin amerikan. Departamenti i shtetit bëri të ditur se, tërheqja e ambasadorit është bërë për shkak të informacioneve “të besueshme për kërcënime të sigurisë”.

Zëvëndës-zëdhënësi, Mark Toner, tha se kthimi në Siri i ambasadorit, Robert Ford, do të varet nga “situata e sigurisë në terren”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që regjimi sirian t`i japë fund “fushatës nxitëse” kundër ambasadorit amerikan. Ford ka qenë një kritik i zëshëm i shtypjes së dhunshme të protestave në Siri. Ai u akuzua nga presidenti i këtij vendi, Bashar al Asad, për nxitje të dhunës.

Në muajin e kaluar, Ford dhe disa kolegë të tjerë të ambasadës u sulmuan me domate dhe vezë kur po vizitonin një figurë opozitare.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 3000 njerëz janë vrarë që kur regjimi sirian nisi të shtyp dhunshëm protestat kundër Asadit.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›