E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori britanik, Wilson, përfundon misionin në Shqipëri



Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, priti dje në një takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, z. Fraser Wilson, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri. Ministri Basha vlerësoi ndihmën e gjithanshme që Britania e Madhe i ka dhënë Shqipërisë në drejtim të anëtarësimit në NATO dhe afrimit të mëtejshëm drejt BE-së. Në këtë kuadër, ministri Basha vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të ambasadorit Wilson në intensifikimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, si dhe shprehu përkushtimin e plotë për thellimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat. Në veçanti, ministri Basha shprehu falënderimet për ndihmën e jashtëzakonshme të Britanisë së Madhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ambasadori Wilson vlerësoi bashkëpunimin shumë të mire dypalësh midis dy vendeve, duke rikonfirmuar edhe njëherë mbështetjen e vendit të tij për proceset integruese të Shqipërisë dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi dypalësh do të vijë duke u intensifikuar gjithnjë e më shumë në të ardhmen. Njëkohësisht, me ambasadorin Wilson është takuar dje edhe Kryeministri Sali Berisha. Ambasadori Wilson e siguroi Kryeministrin Berisha se pas hyrjes në NATO, vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë edhe në projektin tjetër, atë të integrimit në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›